Pse u zhduk procesverbali
i kongresit ballist të Beratit

Pse u zhduk procesverbali<br />i kongresit ballist të Beratit
Do të ishte shumë e pabesueshme që Faik Quku si sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, të mos ketë qenë këshilluar për tezën e militarizimit total të Ballit Kombëtar, para shtrimit të saj në komitetin qendror, me vetë kryetarin, Mit’hat Frashërin.

Ky, deri sa në 1949 ndërroi jetë, bashkë me tërë heshtjen ndaj kongresit të Beratit, nuk është prononcuar për këtë episod. Mbase i është nënshtruar interesave dhe rrethanave politike që i impononin më pas të mos dëshmonte se në qytetin e një mbi një dritareve pati tentuar, në mënyrë shumë të tërthortë, për një paqe me komunistët. Dhe kush po e bënte këtë me duart e një tjetri, sekretarit të përgjithshëm? Vetë antikomunisti ad hoc, kryeantikomunisti i shqiptarëve gjatë tërë viteve të Luftës, Mit’hat Frashëri.

Po të merrte udhë ushtarizimi i Ballit me qëllim jo ndeshjen me gjermanët, por vetëm zbythjen e arrogancës së Frontit Nacional-Çlirimtar, këta të fundit do t’i shihnin me gëzim e po aq dyshim. Balli Kombëtar i militarizuar në të gjithë strukturën e tij politike dhe tërë masën njerëzore që kishte, armët nuk do t’i merrte prej rënies nga qielli. Do t’i huante prej qeverisë shqiptare, e cila do t’i tërhiqte nga magazinat e armatës hitleriane dhe do t’i ngarkonte nëpër kamionë të saj për t’i shkarkuar më pas nëpër oborret e komiteteve krahinorë të nacionalistëve.

Po sikur kaq shumë armatim në muajt pasardhës të kongresit ballist të Beratit, duke qenë se gjermanët po humbitnin në të gjithë frontin dhe ishin në disfatë të vazhdueshme, në një çast të caktuar t’u ktheheshin kundër?
Me nazistët ishte mirë të mos flisje shumë dhe të mos ngjallje dyshime. Ndërkohë pas vitit 1945, sidomos në motet e qëndrimit në SHBA, ndërsa shpërtheu Lufta e Ftohtë, rrëfimi i një historie përpjekjeje miqësimi politik transit me bolshevikët e PKSH-së, tashmë nën urdhrat e plota të Moskës dhe të Stalinit, do të zemëronin amerikanët.

Faik Quku tenton revansh
Po ta rrëfejmë edhe më plotësisht çfarë ndodhi në paraditen e 3 janarit 1944, ndërsa punimet e kongresit do të nisnin pasdite, shfaqet më bindëse pse për këtë seancë është ushtruar më tepër censurë se ndër pjesët e tjera të punimeve të kuvendit ballist të Beratit.

Pasi Faik Quku parashtroi platformën e tij se çfarë duhej të ndodhte në të ardhmen me organizatën e tyre, komiteti qendror në ndërrim i Ballit diskutoi, por nuk u bënë të një mendjeje.

Për ta mësuar si u debatua dhe çfarë deklaruan anëtarët e saj është e pamundur. Nuk ekziston asnjë procesverbal për atë paradite, asnjë gjysmëfletë me të paktën dy-tri fjalë të shënuara mbi të.

“Jo”-ja e komitetit qendror u bë më e ngjeshur kur Faik Quku e konkretizoi militarizimin e organizatës nëpërmjet një modeli funksionimi që e largonte Ballin Kombëtar prej vetë natyrës së tij, luajtjes së rolit politik. Quku tha se në drejtim duhej të largoheshin civilët dhe në vend të tyre të uleshin ushtarakët.
Pra më së pari Faiku.

Sekretari i Përgjithshëm i BK u përpoq të argumentonte se vërtet Balli i ardhshëm do të kishte në krye një komandant të përgjithshëm shumë fuqiplotë, por pranë shtabit do të ngriheshin dhe vepronin tre seksione ndihmëse.

I pari dhe më i rëndësishmi do të qe për çështje politike, i dyti për ato ekonomike dhe i treti do të merrej me propagandën. Pra në thelb Balli i vjetër, edhe pse do të vishej ushtarakisht, do të ruhej. Ca më tepër ai nuk do të humbiste prej identitetit të mëparshëm organizativ po të vinin në jetë edhe një hallkë tjetër. Sipas projektit të tij Faik Quku shtoi se pranë komandantit të përgjithshëm do të vepronte një komitet këshillues. Ky do të qe “i përbërë nga personalitetet më në zë, më me eksperiencë dhe më të aftë”.
Por ishte kot të mëshonte në vlerën e tezës së tij. Ndërsa Mit’hat Frashëri, tek dëgjonte me vëmendje, bënte neutralin dhe ushtronte mjeshtërisht dhuntinë e tij për të qenë i baraslarguar dhe po aq i barasafruar me të gjithë, komiteti qendror në ikje doli në mospajtim.

Me këtë gjendje të trazuar 74 delegatët e kongresit dhe anëtarët e udhëheqjes së lartë të Ballit zunë vend pasdite në sallën e madhe të kinemasë së Beratit.
 
Flet Mit’hat Frashëri, po ku e ka të shkruar fjalën?
 “Kongresi u hap pasdite më 3 janar 1944”, shkruan historiani Kristo Frashëri. Paspatj vijon: “Punimet u zhvilluan në sallën e kinemasë së qytetit. Për të drejtuar punimet e kongresit u ngarkua Koço Muka. Kongresi ngarkoi gjithashtu një komision për verifikimin e mandateve. Pastaj Mit’hat Frashëri në emër të Komitetit Qendror mbajti raportin para kongresit.

Faik Quku, i cili na jep hollësira për ngjarje shumë më pak të rëndësishme, kufizohet vetëm me dy rreshta. Ai shkruan tekstualisht: “Mithat Frashëri mbajti një fjalim, duke shpjeguar gjendjen dhe paraqiti dorëheqjen e komitetit qendror”.

Më pas profesor Frashëri vë në dukje: “Edhe Faik Selenica, një pjesëmarrës i Kongresit të Beratit, në kujtimet e veta të shkruara herët në emigracion që në vitin 1951, i bie shkurt: “Kryetari i organizatës BK bëri në kongres një paraqitje të ngjarjeve që nga themelimi e deri në fund të vitit 1943”.

Shton po ashtu në analizën e vet historiani Kristo Frashëri: “Uran Butka nga ana e tij, i cili është marrë posaçërisht me historinë e BK, shkruan se Mit’hat Frashëri në raportin e vet u ndal “më shumë në analizën e luftës civile, kush e nxiti atë, kush e nisi, kush e prishi Marrëveshjen e Mukjes, pse e shkelën atë si dhe përgjegjësinë e Ballit Kombëtar”.

Ndërsa e bën këtë panoramë dhe prej saj del një tablo relative e pasdites së 3 janarit, profesor Frashëri ndalet në një problem që nuk mund të anashkalohet: raporti i punës së Ballit Kombëtar, i mbajtur realisht prej Mit’hat Frashërit, nuk është paraqitur asnjëherë si lëndë e shkruar (ne do të shtonim: apo në çdo formë tjetër ruajtjeje, i procesverbalizuar apo i regjistruar me zë ose stenografi).

Kjo mungesë dokumentare është e vërtetë jo vetëm deri në 2012, kur Kristo Frashëri e shtroi publikisht këtë çështje dhe me siguri, deri sa ndërroi jetë, e priti një përgjigje, por edhe më pas, deri në çastin kur po hidhen në letër këto rreshta.

Përderisa të gjitha burimet ekzistuese e bëjnë atë fjalë të Mit’hat Frashërit të mbushur me ide mjaft interesante dhe, siç del, me asnjë thirrje brenda saj për bashkëpunim të hapët me gjermanët apo kushtrim për kryqëzatë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare, paraqitja e këtij dokumenti do të përbënte një rast të mrekullueshëm për një riprofilizim, pas tetorit 1943, të kursit politik të Ballit Kombëtar dhe po ashtu për një imazh të tij shumë më të përmirësuar.

Ngulim këmbë në këtë arsyetim sepse, nga sa del, në fjalën e tij analizuese për të shkuarën, por edhe programuese drejt të ardhmes, referuar Faik Selenicës, në Kongresin e Beratit Mit’hat Frashëri i bëri ftesë Frontit Nacional Çlirimtar për një marrëveshje të re bashkëpunimi dhe ndaluar kështu vëllavrasjen.

Kaq pohon Selenica dhe nuk shkon më tej, ta zgjerojë edhe më shumë informacionin, por gjithsesi kjo nuk është pak. Në thelb mbetet të jetë e besueshme. 
 
Në kërkim të provës se ka pasur një fjalim të Mit’hat Frashërit

 Reginald Hibbert tek libri i tij “Fitorja e hidhur”, Tiranë 1993 (“Albania’s National Liberation Struggle The Bitter Victory”, Pinter Publishers, London and Neë York 1991) shkruan se në 31 tetor 1943 gjeneral-brigadierit Dejvis, i parashutuar në Shqipëri, takoi për herë të parë Enver Hoxhën. Mes temave të shumta të bisedës qe edhe ajo e qëndrimit të Lëvizjes Nacional Çlirimtare ndaj Ballit Kombëtar.

Enver Hoxha, sipas Hibbert, “nguli këmbë që Balli Kombëtar duhej luftuar e çarmatosur në të gjithë vendin dhe i përfshiu mbretin Zog e zogistët (Abaz Kupin) në mallkimet për “bashkëpunëtorët”.

Pasi shkëmbyen edhe më tej idetë e tyre dhe Dejvis nguli këmbë që “LNÇ duhej të luftonte vetëm kundër gjermanëve” dhe vetë “mori përsipër të kërkonte nga BK dhe zogistët që të zotoheshin se do të vepronin po ashtu”, pati këtë rezultat: “Më në fund Enver Hoxha premtoi se do të bashkëpunonte me BK kundër gjermanëve, nëse BK gjithashtu do të luftonte kundër gjermanëve në bashkëpunim me LNÇ. Njëkohësisht shpalli bindjen e tij të patundur se BK kurrë nuk do të pranonte”.

Pasi u rikthye në bazën e tij në Bizë të Martaneshit gjenerali i brigadës Dejvis pak ditë më pas, pra pa kapërcyer java e parë e muajit nëntor 1943, kreu në një fshat të afërt, në Shëngjergj, një takim me Mit’hat Frashërin, i cili qe në shoqërim me Abaz Kupin. Gjenerali britanik ua tha çfarë pati rënë dakord me shefin e komunistëve dhe “Në fillim, ata u tërbuan kur dëgjuan premtimin e Enver Hoxhës, të cilin nuk e besonin dhe refuzuan që të jepnin zotimin reciprok. Por ata e ndryshuan qëndrimin brenda natës dhe, së fundi, dhanë një zotim të shkruar, të cilën Dejvisi e mori me vete në Bizë. Ai e ftoi Enver Hoxhën në Bizë (Hoxha jep si datë 11 nëntorin) dhe këtë herë ishte radha e Hoxhës për t’u tërbuar. Blofi i tij kishte gjetur përgjigje. Ai e hodhi poshtë zotimin e Ballit Kombëtar si të pavlefshëm dhe u betua se partizanët do të luftonin kundër gjermanëve e do ta shkatërronin BK në të njëjtën kohë”.

Gjithnjë sipas librit të Reginald Hibbert, në 19 nëntor sipas një raporti që i dërgoi qendrës, gjykonte se “Lufta civile tashmë ka nisur ndërmjet LNÇ dhe Ballit Kombëtar e do të shtohet. Unë e quaj se ka të ngjarë të fitojë LNÇ, sepse është e re, është më agresive dhe ka një ngjyrim terrorist. Balli Kombëtar ka ndërmend ta kundërshtojë LNÇ në shkallë të gjerë dhe ka mundësi që të ndihmohet nga zogistët e Abaz Kupit. Vlerësimi im është se lufta do të zerë pjesën më të madhe të dimrit për t’u zgjidhur. Unë personalisht kam bërë çmos me të gjitha palët për ta shmangur luftën civile, por pa sukses”.

Mbështetur nga çfarë referuam më sipër prej librit “Fitorja e hidhur”, në kongresin e Ballit në Berat ka shumë të ngjarë që në fjalën e tij të paruajtur si dokument, duke i bërë komunistët përgjegjës për luftën vëllavrasëse, Mit’hat Frashëri të ketë shqiptuar, në formë të një loje politike, pra të një blofi, një përpjekje për t’u marrë vesh me njerëzit e LNÇ me qëllim ndërprerjen e përplasjes së brendshme me armë.

Gjithsesi, edhe pse këtë gjest e pohon pjesëmarrësi në kongres, Faik Selenica, mungesa e fjalës së shkruar është një pengesë e madhe për t’u bërë plotësisht i bindur se ftesa (apo truku politik) i udhëheqësit të Ballit ka ngjarë me të vërtetë. E fiksuar në një tekst të shkruar ajo do të analizohej gjer në imtësi  në kuptimin e drejtpërdrejtë të saj si edhe nën të kuptuarat.
 
Kongres i rregullt kur ndodhi, i parregullt më pas për t’u regjistruar në histori

 Po përse ky dokument mbetet ende i panjohur?

Sipas Profesor Kristo Frashërit fjala e Mit’hat Frashërit mund të jetë mbajtur me gojë. Duket shumë e habitshme një zhvillim i tillë, pra një mënyrë si kjo të sjelluri politik, kur je i detyruar të shprehësh mendim në emër të një forumi, në rastin konkret në emër të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar. Sepse në fund të fundit për të hartuar një mendim të përbashkët duhet ngritur një grup pune. Në rast se kjo nuk bëhet atëherë, para se t’i lexohet kuvendit kongresual, raporti i duhet bërë i ditur vetë forumit, i cili ka në dorë lejen për t’ia kumtuar tërë organizatës dhe strukturave vartëse të saj në të gjithë vendin.

Gjithsesi fjala është mbajtur dhe për çdo rrethanë tjetër që lidhet me të, ndodhemi në errësirë të plotë. Jemi të shtrënguar të pranojmë se Mit’hat Frashëri ka folur pa letër, ndërsa kjo nuk ka qenë fare çështje e mbajtjes së sekretit për të mos u zbuluar dhe goditur prej gjermanëve. Punimet e atij kongresi u bënë në legalitet të plotë, nën kujdesin dhe mbrojtjen e qeverisë së Mehdi Frashërit dhe nën dijeninë e plotë të forcave naziste të pushtimit. Shoqëruar me këtë shkrim do të riparaqesim një foto të disa delegatëve, bërë në sheshin para kinemasë dhe një tjetër në hyrje të qendrës së qytetit të Beratit.

Janë dëshmi tepër shprehëse se asnjë rrezik nuk e kërcënonte këtë veprimtari të rëndësishme të nacionalistëve që të mund të detyroheshin t’i fshihnin dokumentet e tyre të shkruara.

Fjala e Mit’hat Frashërit është mbajtur me gojë, sigurisht referuar disa pikave që mund t’i ketë mbajtur të shkruara në një fije letër apo gjysme të saj. Në kushte të tilla, gjithnjë të hamendësuara, na takon të bëjmë një hetim më të thelluar.

Sipas rregullit më të thjeshtë që funksionon në kuvende të tilla, një thelb i shkurtuar i pikëpamjeve më kryesore që janë shprehur, duhet të jetë fiksuar në procesverbalin e mbledhjes. Por një material i tillë nuk është paraqitur prej ballistëve kurrë, siç edhe po ashtu kush ka diskutuar, çfarë kanë thënë.

Kongresi i Ballit, ngul këmbë historiani Kristo Frashëri, nuk ka të shkruar as edhe ndonjë vendim që ka marrë.

Me pak fjalë për aq sa rezulton për historishkrimin shqiptar, nga ana organizative dokumentare ky kongres lë shumë për të dëshiruar. Nuk është i tillë kur bëhet fjalë për respektimin e parimeve të funksionimit të brendshëm procedurial të mbledhjes. Në të gjitha hallkat e zhvillimit të atij kuvendi ka pasur mosdhunim të rregullave dhe ruajtje të frymës demokratike të ballafaqimit të mendimeve të ndryshme. Kongresi i Beratit duket si një ngjarje e dyzuar, me dy fytyra. Organizativisht fjala ka qenë krejtësisht e lirë, kurse e shkruara jo. Qëndrime të tilla kontradiktore mund t’i shkaktojë vetëm një urdhër: të mos lihet pas asnjë gjurmë e fjalëve që janë thënë.
 
Ndërhyn për të pasqaruar rrethanat Xhelal Staravecka
 Në rastin e kongresit të Beratit, pa dyshim pas themelimit, ngjarja më e rëndësishme dhe më komplekse e jetës politike të Ballit Kombëtar, e ke të vështirë të besosh se moslënia pas e shenjave të shkruara ka të bëjë me karakteristikën e njohur të leshelisë që kjo organizatë e kishte tipar të vet që nga fillimi dhe u bë shkaku kryesor pse nuk ja doli të forcohej dhe t’i bënte ballë, me forcat e veta, rrezikut që po vinte bashkë me çlirimin nga pushtuesit gjermanë, diktaturës bolshevike.

Ndërkohë autori i këtyre radhëve ka ndeshur në një provë se gjatë punimeve të kongresit është mbajtur një procesverbal, madje ky edhe është redaktuar, çfarë do të thotë riplotësuar.

Dëshmia e veçantë, e mos pohuar prej gjithë të tjerëve pjesëmarrës në kongresin e Beratit, përfshi edhe sekretarin organizativ Faik Quku, autor i dy librave për jetën politike nacionale (“Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore”), ndodhet në një botim të kryer në Tiranë në vitin 2012. Profesor Frashërit, këto çaste në një moshë shumë të thellë, ka shumë të ngjarë të mos i ketë rënë në sy.

Ky është libri i Xhelal Staraveckës, i titulluar “Përpara gjyqit të historisë”, kujtime historike 1912-1966.

Nga faqja 315 deri në atë me numër 318, mes të tjerash, ai shkruan edhe për kongresin ballist të Beratit.

Ndërsa për Abaz Ermenjin ka mendimin e palëkundur se është një mendjemadh (“profesori si megalloman që është”), Xhelal Staravecka tregon se i mësipërmi, pasi kishte dështuar në luftime me përkrahësit skraparllinj të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, madje qe shpartalluar rëndë, “e ndali vrapin në Berat ku do të merrte pjesë në kongresin që po bëhesh ato kohë”.

dosier

 (Vijon)

XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë