Pse Veriu po 'i shërben' Kosovës dhe Serbisë zyrtare?!

Pse Veriu po 'i shërben' Kosovës dhe Serbisë zyrtare?!

“Veriu” po “i shërben” pothuaj njëkohësisht, por në një drejtim tjetër Kosovës dhe Serbisë zyrtare. Zhvendosjen e vëmendjes nga problematikat e brendshme ekonomiko-sociale. Prej muajsh, ministrat e Kosovës dhe Serbisë më shumë merren me dialogun, sesa me kushtet e qytetarëve të tyre dhe nivelin ekonomik të vendeve respektive. Edhe pse shumë i kritikuar nga media opozitare, drejtuesi i Statistikave serbe Kovaçeviq, do të tregonte pozicionin e Serbisë në raport me vendet e Bashkimit Evropian, lidhur me rrezikun e varfërisë. “Sipas të dhënave të fundit, të marra në bazë të Anketës për të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës (SILC), shkalla e rrezikut të varfërisë në vitin 2021 ishte 21.2 për qind. Kjo do të thotë se rreth një e pesta e popullsisë së Serbisë ishte në rrezik të varfërisë!” Megjithë një përmirësimi relativ, ekonomia serbe do të vazhdojë të ngadalësohet në vitin 2023 për shkak të inflacionit të lartë të vazhdueshëm, kërkesës më të ulët nga partnerët e saj kryesorë tregtarë evropianë dhe rritjes së kostove të huamarrjes që do të rëndojnë mbi konsumin, eksportet dhe investimet private. Dhe, këto i lexon lehtë në Serbi te fuqia blerëse e publikut, por edhe shqetësimet sociale.

Paradoksalisht, lufta Rusi-Ukrainë ka një ndikim të drejtpërdrejtë fare modest në ekonominë serbe, pasi Rusia përbën rreth 4% të eksporteve të tregtisë së mallrave të vendit dhe 5.3% të importeve të saj. Serbia ka dënuar shkeljen e sovranitetit territorial të Ukrainës dhe ka votuar në favor të një rezolute të OKB-së, që kërkon tërheqjen e forcave ruse, por mbetet i vetmi vend në Evropë që përmbahet nga vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë, efekti indirekt i luftës, i cili është materializuar në çmime më të larta globale të energjisë në tregun evropian, është përhapur në Serbi te çmimet e ushqimeve dhe mallrave të tjera për shkak të rritjes së kostove të prodhimit dhe transportit. Kjo e shtyu normën vjetore të inflacionit në Serbi në një mesatare prej rreth 12% në vitin 2022, d.m.th., norma më e lartë e inflacionit që nga viti 2008-2009, kur kriza financiare goditi Serbinë. Tensionet e çmimeve po e gërryejnë shumë fuqinë blerëse të familjeve dhe konsumi i tyre parashihet të ngadalësohet më tej gjatë muajve të dimrit dhe pranverës 2022-2023, referuar coface.com (Economic Studies and Country Risks/Serbia).

Por, kjo anë po mbulohet ndërsa pushteti zyrtar në Serbi e ka shmangur vëmendjen tek problemet e tjera “të brendshme”, siç e konsiderojnë Kosovën dhe turbullirat e Veriut, që me sa duket ushqehen dhe nga paradokset jo të pakta të Perëndimit.

Në një sens tjetër, qeveria e Kosovës e ka shmangur të gjithë diskursin e vendit drejt problemeve të Veriut, që me të drejtë po shfaqen shumë shqetësuese me provokimet e vazhdueshme serbe. Aman, tashmë, po duket disi dhe pjesa infantile e drejtuesve kosovarë, që dialogun e kishin shmangur dhe e kishin në radhët minorë të prioriteteve të tyre (E theksoi me forcë Kurti në fitoren e tij), ndërsa sot e kanë të detyruar ndër prioritetet e tyre kryesore. Po problemet e brendshme? Ish-kryeministri Hoti ka renditur në një mesazh të tij në rrjetet sociale rënien e shpenzimeve për ekonomi, arsim dhe shëndetësi duke iu referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave bazuar në raportin për llogaritë qeveritare 2015-2022: “Shifrat flasin vetë. Kosova do të pësojë kolaps ekonomik me këtë qeverisje. Kolapsin demografik Kosova ka filluar ta ndjejë me emigrimin masiv në dy vitet e fundit”.

A po mundet pra “Veriu” t’i lehtësojë situatat ekonomiko-sociale në vendet respektive?! Kjo me sa duket po. Serbia po e harron para qytetarëve të saj, detyrën kryesore, zbutjen e inflacionit, kurse premtimet e ministrave kosovarë tashmë janë dukshëm në kalenda. Ose, siç shkruante kolegu Mushkolaj se: “Beogradi nuk po e ndal Liburn Aliun që t’i përfundojë rrugët e lëna në gjendje të mjerueshme, as Arbërie Nagavcin t’i ndërtojë çerdhet e premtuara dhe ta rrisë cilësinë në arsim. Serbia nuk po e pengon Hekuran Muratin që ta rrisë pagën minimale, e as Arben Vitinë që t’i përmirësojë kushtet në spitale. Tash 27 muaj n’pushtet, Vetëvendosja ka bërë pak punë të hajrit”. E, kjo është një kambanë alarmi, se çfarë bëhet me pushtetin dhe administrimin e tij…në Ballkan.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gripi i shpendëve, vatër në Zall-Herr të Tiranës, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë: Morëm masat, u karantinua zona

Gripi i shpendëve, vatër në Zall-Herr të Tiranës, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë: Morëm masat, u karantinua zona