TIRANE- Psikologu i njohur, njëkohësisht edhe përgjegjës i departamentit të Punës Sociale, pranë Universitetit të Tiranës, Edmond Dragoti shpjegon pasojat negative që mund të lënë fjalime të tilla në mendjen e të miturve.

"Deklaratat e kryeministrit nëpër shkolla janë shkelje zyrtare e të drejtave të fëmijëve dhe kjo sjell ndikimin negativ te ta. Sepse duke ligjëruar, jo vetëm i ndikon ata politikisht, por edhe i detyron të ndikohen politikisht me forcën e ligjit dhe të shtetit. Prandaj nëse dalja e një politikani të zakonshëm do të ishte një gabim, në rastin e daljes së kryeministrit është një gabim akoma më i madh. Fëmija ka nevojë për të njohur realitetin në mënyrë spontane dhe të organizuar, por jo të frymëzohet me konfliktin politik, me përçarjen politike, me manipulimin politik sepse gjurmët që lënë tek ai janë më të forta se ndikimi tek të rriturit", - shpjegon profesor Dragoti.

Ai shprehet se Ministria e Arsimit nuk ka forcën të ndalojë kryeministrin, ndaj në këtë situatë, rolin kryesor duhet ta marrë shoqëria civile. "Ministria e Arsimit e ka të pamundur të reagojë, pasi ajo nuk është e pavarur nga kryeministri, prandaj nuk presim ndonjë reagim të saj. Në të gjitha rastet kur u drejtohemi në këtë mënyrë fëmijëve, do të thotë që i kemi humbur shpresat tek të rriturit për t'i formuar politikisht. Shoqëria është ajo që duhet të ngrejë zërin, sepse nuk mjafton vetëm të hartosh ligje, por duhet ti realizosh, t'i vësh në jetë ato. Dhe ata që duhet të ngrenë zërin në këtë moment janë shoqëria civile dhe organizatat e prindërve, sidomos prindërit duhet të reagojnë", - përfundon Edmond Dragoti.

Komiteti i Helsinkit

Vjollca Meçaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit shprehet se kjo është një situatë delikate ku kryeministri i vendit po tenton të prekë nëpërmjet fëmijëve pjesën më private, votën. "Ashtu si mediat edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit po përjeton me shqetësim tentativën për të përfshirë institucionet arsimore në politikën korente, dhe mbi të tëra, të miturit që studiojnë në këto shkolla. Është e vërtetë që të miturit gëzojnë të drejtën e informimit, por informacioni që marrin në mjediset shkollore duhet të jetë i depolitizuar, sepse ligjërisht e kemi të sanksionuar depolitizimin e sistemit arsimor publik. Nga ana tjetër, të tentosh të përdorësh fëmijët e mitur ndaj prindërve të tyre, veçanërisht në lidhje me lirinë e votës, që përbën një të drejtë ekskluzive të personave madhorë dhe që si e drejtë ka karakter të theksuar personal, është tepër e gabuar. Fëmijët e mitur do të ushtrojnë të drejtën e votës kur të bëhen madhorë dhe atëherë ne do të duhet të respektojmë lirinë e tyre në këtë drejtim. Çdo mjet e mënyrë e përdorur për të influencuar në ushtrimin e të drejtës së votës nga shtetasit konsiderohet një cënim i kësaj të drejte, aq me tepër kur veprime të tilla kryhen nga përfaqësues të forcave politike që konkurrojnë në zgjedhje", - shpjegon Meçaj. Më tej ajo shton se jo vetëm fjalët e kryeministrit, por edhe mënyra se si pritet ai, mund të ndikojnë tek fëmijët. "Deklaratat e bëra nga kryeministri mund të ndikojnë tek fëmijët. Ai është një personalitet i lartë i shtetit tonë dhe jo vetëm ky fakt, por edhe mënyra se si pritet dhe shoqërohet nga autoritetet e tjera të arsimit, protokollet formale që ndiqen dhe mbi të gjitha fjalët që thuhen influencojnë në botëkuptimin e të miturve, të cilët ende nuk kanë pjekurinë e duhur për të krijuar një vlerësim të pavarur dhe objektiv rreth ngjarjeve që ndodhin në jetën e tyre. Kjo është dhe arsyeja që ata janë të privuar nga disa të drejta politike", - shpjegon juristja e
(ek/sg/shqiptarja.com)