Rezultati i Shqipërisë prej 60,4 pikësh është pak më poshtë mesatares së BE-së me 67,4 pikë.
Ky rezultat e vendos Shqipërinë në vendin e 17-të, në krahasim me vendet e BE-së, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në fushën e pushtetit, rezultati i vendit prej 60,9 pikësh është më i lartë se mesatarja e BE-së prej 51,9.
Megjithatë, pabarazia gjinore është ende e pranishme në shkallë të konsiderueshme, veçanërisht sa i përket pabarazive në të ardhura, ndarjes gjinore në arsimin e lartë dhe ndarjes së punëve të shtëpisë.
Këto janë të dhënat e raportit të parë të publikuar në Shqipëri për Indeksin e Barazisë Gjinore 2020.
Sipas zyrës së shtypit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Manastirliu gjatë prezantimit të raportit tha se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave janë prioritete të qeverisë shqiptare.
“Matja e progresit dhe orientimi se ku duhet shkuar janë arritur sot përmes publikimit të Indeksit të Barazisë Gjinore, i cili është realizuar për herë të parë në Shqipëri, duke e përafruar vendin tonë më tepër me vendet e Bashkimit Evropian", tha Manastirliu.
Sipas Manastirliut, raporti “Indeksit të barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri” është një pikë kthese e rëndësishme për t’I bërë të matshme arritjet dhe mangësitë sa i takon hendekut gjinor.
E pranishme në prezantimin e raportit të parë për Shqipërinë, Virginija Langbakk, Drejtoreshë e Institutit Evropian për Barazi Gjinore u shpreh:
"Dëshiroj të përgëzoj Shqipërinë për Indeksin e saj të parë për Barazinë Gjinore, i cili do t'i mundësojë vendit të monitorojë ecurinë e barazisë gjinore.
Vlen sidomos të theksohet rezultati i lartë i Shqipërisë në fushën e pushtetit. Me një analizë të hollësishme të situatës së barazisë gjinore në fushën e parasë, punës, pushtetit, kohës, shëndetit dhe dijeve, politikëbërësit tashmë mund të gjejnë zgjidhjet e duhura për sfidat që na mbeten për arritjen e barazisë gjinore", u shpreh Virginija Langbakk.
Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, theksoi se Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i angazhuar në promovimin e barazisë gjinore dhe në fuqizimin e grave dhe vajzave.
“Shqipëria ka shënuar progres pozitiv në procesin e miratimit të kuadrit normativ për barazinë gjinore në vend. Ne duhet të punojmë së bashkë me qeverinë qendrore dhe lokale; me shoqërinë civile dhe me partnerë të tjerë për të fuqizuar politikat të mbështetura në evidencat e barazisë gjinore dhe në garantimin e zbatimit të tyre në praktikë”, tha ai.
Rezultati i lartë i Shqipërisë në fushën e pushtetit e rendit atë në vendin e 6-të në krahasim me vendet e BE-së, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rezultati i lartë i vendit vjen nga përfaqësimi i grave në organet politike dhe ato ekonomike.
Megjithatë, sa i përket përfaqësimit të grave në organe kërkimore, mediatike dhe sportive, Shqipëria ka ende punë për të bërë.
Rezultati më i lartë i Shqipërisë i përket fushës së shëndetit dhe është 81,8.
Ky rezultat është pak më poshtë se ai i BE-së, i cili është 88,1. Fusha e punës shënon 67,6 pikë, që është rezultat i ngjashëm me mesataren e BE-së.
Vazhdon ndarja gjinore në tregun e punës, ku për shembull, gratë dominojnë në shërbimet sociale.
Shqipëria është vendi i tretë nga vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për në BE që zhvillon Indeksin e Barazisë Gjinore.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut i kanë publikuar tashmë indekset e tyre përkatëse.
Me më shumë indekse rajonale tashmë, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia do të mund të krahasojnë performancën e tyre në rajon dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) ka mbështetur hartimin e indeksit për Shqipërinë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, INSTAT, Bankën Botërore, Expertise France dhe me Zyrën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Indeksi i Barazisë gjinore në Shqipëri u hartua në kuadrin e Instrumentit të BE-së për Para-Aderimin (IPA) dhe u financua nga Bashkimi Europian.