Tiranë- Janë 7 emrat e kandidatëve për të zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese vendin e lënë vakant nga gjyqtari Fatos Lulo i shkarkuar nga vetingu, pasi nuk mundi të justifikonte pasurinë. Kuvendi i Shqipërisë shpalli në datën 25.7.2018, hapjen e procedurave të aplikimit për vendin e lënë vakant nga Lulo.

Siç njofton Kuvendi deri më tani kanë paraqitur aplikimet kandidatët e mëposhtëm:

1.     znj. Elsa Toska    

2.     znj. Fiona Papajorgji

3.     z. Ilir Panda

4.     z. Sinan Tafaj

5.     z. Theodhori Sollaku

6.     znj. Valbona Bala

7.     z. Vasil Bendo

Report Tv dhe Shqiptarja.com mësojnë se kandidatja Elsa Toska është Pedagoge në Fakultetin juridik, znj. Fiona Papajorgji është Këshilltare në Gjykatën Kushtetuese,  Ilir Panda është ish-ministër drejtësie, pedagog i Magjistraturës dhe ekspert i nivelit të lartë në reformën në drejtësi. Ndërsa Sinan Tafaj vjen si përfaqësues i Shoqërisë Civile, (Shoqata e të verbërve). Një emër tjetër që bie në sy është ai i Theodhori Sollakut Ish-prokuror i Përgjithshëm. Lista pasohet nga Valbona Bala ish-Këshilltare në Gjykatën Kushtetuese dhe avokati Vasil Bendo.

Kujtojmë që procesi i vetingut ka futur në kolaps edhe Gjykatën Kushtetuese e cila nga mbetur me dy anëtarë, Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha.

Lulo në veting

Gjyqtari Lulo iu nënshtrua skanimit të trefishtë të vetting-ut për pastërtinë e figurës, aftësitë dhe pasuritë, por që me sa duket këto të fundit e nxorën atë jashtë drejtësisë. Një raport i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive konstatoi se Lulo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë. Aty evidentohen dhuratat e të motrës prej 100 mijë eurosh në një rast, një zyrë avokatie, por edhe një borxh prej 480 mijë dollarësh kanadezë, i marrë prej saj për të blerë një banesë në Kanada.

vijon