«Më kanë hetuar për muaj të tërë, por nuk kanë gjetur ASNJË GJË». Kështu nis letra e lamtumirës që Jeffrey Epstein thuhet se e ka shkruar me dorë dy javë para një tentative vetëvrasjeje, më 23 korrik 2019, kur financieri u gjet gjysmë i pavetëdijshëm, me shenja varjeje në qafë.

Shkresa, e pakonfirmuar dhe pa datë, është deklasifikuar dhe publikuar e plotë pasi disa pjesë të saj kishin dalë në media më 30 prill në faqet e New York Times.

Letra është publikuar tani nga Departamenti i Drejtësisë, i cili ka pranuar kërkesën e paraqitur në gjykatë nga gazeta newyorkeze.

“Është një privilegj të zgjedhësh momentin kur i jep lamtumirën,” vazhdon mesazhi i shkruar në letër me vija dhe i paautentikuar, me një shkrim dore të vështirë për t’u lexuar. “Çfarë doni të bëj? Të shpërthej në lot!!” vijon teksti. “Nuk është aspak argëtuese.” Dhe përfundon me këto fjalë të nënvizuara: “NUK VLEN TË BËHET!”

Nicholas Tartaglione, ish-shoku i qelisë i Epstein, ka deklaruar se e ka gjetur letrën në korrik 2019, pasi financieri ishte gjetur pa ndjenja me një copë pëlhure të lidhur rreth qafës. Epstein i mbijetoi atij episodi, por u gjet i vdekur disa javë më vonë, në moshën 66 vjeç, në qendrën e paraburgimit Metropolitan Correctional Center në Lower Manhattan, e cila sot është e mbyllur.

Letra u bë publike dje nga gjykatësi Kenneth M. Karas i gjykatës së White Plains, Nju Jork, i cili ka ndjekur çështjen e ish-shokut të qelisë. Tartaglione, ish-oficer policie në Briarcliff Manor, në shtetin e Nju Jorkut, po priste gjyqin për një vrasje të katërfishtë.

Në intervista të fundit telefonike për New York Times nga një burg në Kaliforni, ai ka thënë se e kishte gjetur letrën brenda një graphic novel pasi z. Epstein ishte transferuar nga qelia e tyre pas një tentative vetëvrasjeje.

Letra përmban disa shprehje si “të shpërthej në lot” dhe “nuk është argëtuese”, që Epstein i përdorte shpesh në email-et e tij, dhe që shfaqen edhe në një tjetër shënim të gjetur në qelinë e tij në momentin e vdekjes./ Corriere della Serra