Lançimi i inxhinieringut, domethënë i ndërtimit të fitores si bashkim mekanik përqindjesh, pohon në thelb vetëdijen e pamundësisë së koalicionit qeveritar për të fituar me bilanc, siç është zakoni për çdo qeveri. Në këto kushte kupola politike dhe njerëzit e mendimit në këtë koalicion shpresat më të mëdha i kanë pikërisht te loja në prapaskenën e zgjedhjeve.
Këta të fundit po thonë papushim, duke përshtatur një të folur me tone “objektive”, se konsumimi tetëvjeçar i qeverisë në pushtet thjeshtohet si minus elektoral me faktin se në krahun tjetër opozita “nuk është frymëzuese”. Në këto kushte, vijojnë ata, palët janë pak a shumë në kuotat e vjetra të mbështetjes dhe s’mund të propozojnë asgjë tjetër veç një gare të vjetër, të detyrueshme nga ligjet!
Si përfundim, pritet që vendi të dalë nga zgjedhjet ashtu siç ka hyrë, me një epërsi të lehtë të koalicionit qeveritar, që është gjithnjë e mjaftueshme për të mbajtur pushtetin. Për të mbështetur e përmbyllur mrekullinë e inxhinieringut elektoral, që po kumbon si eureka e madhe e think tank-t proqeveritar, referohen vazhdimisht, me theks aktualizues, për të mos thënë si të dhëna të pandryshueshme, rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2009, nganjëhërë edhe ato të vitit 2011.
Gjithkush që i dëgjon, pyet vetvetiu në formë replikuese: Po mirë, përse votohet atëherë kur shifrat e rezultateve qenkan ato të zgjedhjeve të kaluara dhe fituesi u varka vetëm nga lëvizjet e partive në lojën e karrigeve? Në këtë pyetje shohim të dalë në pah një prej kundërthënieve thelbësore të inxhinieringut elektoral, si një teori dhe praktikë që ka rëndësinë e vet, por që nuk mund të eklispojë apo t’i mbivendoset asaj që është misteri, kuptimi dhe mrekullia e zgjedhjeve: vota e lirë e qytetarëve të lirë.
Është e vërtetë se rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme kanë vlerë për të mbështetur analizat dhe pritshmëritë elektorale, por ato nuk mund të merren kurrë të pandryshueshme. Do të ishte marrëzi. Është e vërtetë gjithashtu se taktikat dhe aleancat, sidomos me sistemin elektoral që kemi, kanë rëndësinë e tyre të padiskutueshme dhe madje mund të rezultojnë përcaktuese në shumarën e votave që grumbullon secili koalicion elektoral.
Por e gjithë kjo nuk e cenon as në parim, as në praktikë faktin madhështor se në fund të fundit është publiku që vendos. Publiku është forca madhore e zgjedhjeve në demokraci. Nuk ka tjetër. Taktikat elektorale janë të dorës së dytë. Nuk ka dyshim se ngulimi me tendencë dhe me teprim në fuqinë e inxhinieringut elektoral ka për qëllim zhvendosjen në kulisa të një beteje që nuk mund të mos jetë e publikut; ai synon të ushqejë idenë se publiku shqiptar nuk ka gjykim, pra nuk di të gjykojë për bëmat dhe bilancin e politikës, por zhvendoset andej-këndej, si një turmë pa tru, sipas kursit të autobusëve të partive dhe interesave të kryetarëve të tyre.
Ka pasur e ka akoma teori që mbështesin tezën se politika nuk është punë e popullit, edhe pse ka në fokus popullin. Këto teori tani janë më periferike se kurrë. Publiku në vendet demokratike e ka fituar dora-dorës tagrin e sovranit që vendos me votë të lirë kush duhet të drejtojë në një periudhë të caktuar me ligj.
Aftësia dhe e drejta e publikut për të gjykuar ka gjetur shprehjen më të lartë në rotacionin e pushtetit si një forcë ripërtëritëse e demokracisë. Edhe shqiptarët, megjithëse më të vonuar se shumë popuj të perëndimit me demokracinë, kanë ditur të votojnë përgjithësisht drejt në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në dy dekadat e fundit.
Në mesataren e vet, gjykimi popullor, aty ku vota është numëruar e shpallur siç është hedhur, ka rezultuar ai i epërmi dhe i duhuri për periudhën. Na palmaren e tranzicionit Shqipëria mban si stoli dy rrotacione të pushtetit me votë të lirë. Herën e parë me 22 mars 1992 në rrethanat e një ndryshimi të urdhëruar nga historia dhe herën e dytë me 3 korrik 200 në kushtet e një ndryshimi të urdhëruar nga zakonet e sistemit.
Në të dyja këto sprova pjekurie të demokracisë shqiptare ka ndodhur të jetë protagonist Fatos Nano, çfarë e mban në histori ketë personazh kompleks të tranzicionit. Demokracia ka një rend të vetin në lidhje me rendësinë e figurave politike. Portat e historisë i hapen shpeshherë humbësit, që në këtë rast ka autorësinë e një standardi të progresit.
E thoshte në mënyre lapidare Akuarone që në vitet tridhjetë: Po përpiqem t’i bind shqiptarët se sprova e demokracisë është nuk është më e marrë, por me e lënë pushtetin”. Kryeministrit Berisha e ka lënë edhe ai pushtetin në zgjedhjet e vitit 1997, po po të mbajmë parasysh faktin se ato zgjedhje u zhvilluan në kushtet e protektoratit ndërkombëtar të 6000 trupave të operacionit “Alba”, rezultatet e tyre nuk mund tua faturojmë thjesht faktorëve vendas.
Mund të kishim pasur një rotacion në fije të perit edhe në zgjedhjet e vitit 2009. Numërimi i keq dhe shumë i keq i votave në një të tretën e territorit kombëtar, sipas raportit përfundimtar të OSBE-ODHIR-it dhe refuzimi i hetimit parlamentar të kësaj njolle të radhës në historinë e zgjedhjeve shqiptare bënë që e vërteta e gjykimit të qëruar të publikut në ato zgjedhje të mos merrej vesh kurrë. Por një e vërtetë shumë e rëndësishme u mor vesh gjithsesi.
Berisha, edhe pse kishte një bilanc të pasur arritjesh, përfshirë ngjarjen historike të hyrjes së vendit në NATO dhe, më tej, edhe pse krijoi një koalicion më të madh se shefi i opozitës, Rama, nuk i fitoi ato zgjedhje. Iu deshën mandatet e LSI-së që të rilindte në karrigen e tij. Nisur nga bilanci vërtetë mbresëlënës, shumë njerëz kanë pas parashikuar një fitore bindëse të Berishës në ato zgjedhje.
Nuk ndodhi sepse publiku kishte një gjykim për tragjedinë e Gerdecit, kishte një gjykim dhe një shije për pompozitetin, arrogancën, përvetësimin apo personalizimin e arritjeve nga kryeministri; kishte një gjykim për korrupsionin që në atë periudhë kishte dhënë shenjat e rikthimit të vrullshëm… Gjykimi negativ i publikut për këto çështje zvogëloi gjykimin pozitiv për arritjet dhe doli rezultati që doli.
A mos mendon kush se një publik që ka pasur dhuntinë e reagimit të hollë kur e bombardonin me tullumbace dhe spektakle marramendëse suksesi që nuk ishin pa thelb, e ka humbur këtë dhunti katër vjet më vonë kur shumë prej arritjeve të asaj kohe janë kthyer mbrapsht, kur korrupsioni ka shkuar pothuajse në pikën ku e mori PD në vitin 2005 dhe kur kanë ndodhur ngjarje të rënda që trondisin ndërgjegjen demokratike të çdo populli?
A mos mendon kush se shqiptarët e hanë sapunin për djathë me farsën kriminale të 21 janarit, kur vrasësit me uniformën e shtetit shpallen të pafajshëm, sepse nuk paskan patur njohje paraprake me viktimat e tyre? A mendon kush se shqiptarët janë bërë aq cinikë e të pandjeshëm nga varfëria dhe interesi sa të mos e dinë se me 21 janar garda e republikës ka hapur zjarr jo vetëm kundër qytetarëve të pafajshëm, por kundër të drejtës së tyre kushtetuese e demokratike për t’u revoltuar me qeverinë, për të kërkuar largimin e saj? A mos mendon kush se shqiptarët janë trembur dhe do ta falin edhe në kutitë e votimit këtë goditje të tmerrshme?
E shënuam me sipër se shqiptarët kanë votuar drejt dhe kanë gjykuar me drejtësi pothuajse të kulluar në të gjitha votimet. Kështu besoj do të ndodhë edhe me 23 qershor. Kam bindjen se në mesataren e gjykimit kësaj radhe nuk do të peshojë vetëm vota negative “të ikin këta që janë”, por edhe vota pozitive” kush duhet të vijë”. Shefi i opozitës Edi Rama është thirrur në kauzë ta mundë Berishën me program, duke e tejkaluar. Kjo pritet të sqarohet sot dhe nesër në konventën e PS-së për programin. Të tjerat vinë pas programit.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 23 shkurt 2013
(b.m/shqiptarja.com)