PUKE - Një minator vetëm 20 vjeç humbi jetën në orët e para të ditës së sotme, (19 dhjetor) në minierën e Lakut të malit të Roshit në Pukë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit në fshatin Lumbardh të komunës Qafë Mali, ku ndodhet edhe miniera. Viktima Elton Gjeta punonte në turnin e natës, kur është mbuluar nga një masiv dheu në galerinë e minierës. Kanë qënë menjëherë minatorë të tjerë që pasi kanë dëgjuar zhurmën kanë ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë 20-vjeçari Gjeta por përpjekja e tyre ka qënë të kota për shkak të masivit të dheut.

Minatorët e tjerë menjëherë kanë njoftuar përfaqësuesit e kompanisë turke ‘Ber- Albe’ që menaxhon galerinë. Këto të fundit kanë lajmëruar policinë e cila ka vonuar disa orë ndërsa kompania turke nuk ka lejuar tërheqjen e trupit të 20-vjeçarit pasi sipas tyre trupi do tërhiqet vetëm pas kryerjes së hetimeve nga efektivët e policisë. Nga ana tjetër sipas drejtorisë së policisë së Shkodrës shkak i vonesës së mbërritjes në vendngjarje të grupit hetimor është bërë rruga e largët si dhe terreni malor në të cilin ndodhet miniera. Kushtet e minierave në këtë rreth janë tepër të amortizuara për shkak te vjetërsisë së tyre.

Që pas rënies së komunizmit, thuajse të gjitha minierat në vendin tonë janë privatizuar, kryesisht nga investitorët e huaj. Por, në të gjitha rastet minatorët ankohen për kushtet e punës, edhe për mungesën e kontratave kolektive. Madje, për të drejtat e tyre minatorët jo pak herë janë ngritur në greva, por duket se kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

(Redaksia online)
(sg/Shqiptarja.com)