ELBASAN - Shfrytëzimi pa kriter i inerteve të përroit të Kushes në Elbasan dhe dëmtimi i argjinaturës mbrojtëse ka bërë të mundur daljen e tij nga shtrati, duke rrezikuar dhjetëra shtëpi dhe toka bujqësore. Banorët e zonës ankohen se firma kontaktuese Actor, që po ndërton autostradën Elbasan–Tiranë ka shfrytëzuar përroin mbi kapacitetin e lejuar, çka sipas tyre përbën rrezik për përmbytje.

Denoncimi është bërë nga banorët e 5 fshtatrave Karakullak, Balëz, Shijon, Reçan dhe Bradashesh.

“Argjinaturën që mbrohet nga përroi Kusha po rrezikohet nga marrja pa kriter e firmës, duke iu afruar shumë argjinaturës që mbron fshatin dhe tokën. Të vënë dorën sa më parë se kjo ka përmasa të tjera”, shprehet njëri nga banorët.

Banorët që janë prekur nga veprimet e firmës Actor i bëjnë thirrje instuticioneve përkatës si, Prefekturës, Drejtorisë së Shfrytëzimit të Ujërave dhe komunës së Bradasheshit për të ndërhyrë sa më parë në parandalimin e një katastrofe të mundshme. Dëmi i llogaritur sipas banorëve në rast se do të dalë përroi i Kushes nga shtrati i tij arrin 300 ha.

“Punimet që po bëhen, zhavorri që po merret duhet të bëhet me kriter, në mënyrë që përroi i Kushes të kalojë në mesin e argjinaturës. Të mos prishen dy shpatet sepse po u prishen përmbyten tokat. Jemi dakort që firma të vazhdojë të punojë, vetëm të ndryshojë devijimin dhe të mbrohet krahu ynë”, shprehet një banor i zonës.

Kërcënimi i tyre shkon me tej dhe shprehen se “në rast se nuk do të merret asnjë masë nga instancat e lartpërmendura, atëherë do të bllokojnë firmën, e cila po shfrytëzon përroin e Kushes”.

Prefekti i Elbasanit Shefqet Deliallisi pohoi për problemin në fjalë se përroi i Kushës është devijuar gjatë punimeve të autostradës Elbasan-Tiranë dhe rrjedha e tij përbën rrezik për fshatrat ku kalon. Deliallsi theksoi se pretendohet nga banorët se rrezikohen banesat aty pranë dhe tokat bujqësore, ndërsa ne si prefekturë kemi nisur në vendngjarje një grup specialistësh për të monitoruar situatën.

Redaksia online
(eç/ad.ti/shqiptarja.com)