TIRANE-  Punimet për zgjerimin e rrugës së Elbasanit me 6 korsi po kthehen në një tmerr për të gjithë qytetarët që jetojnë aty apo që i duhet të kalojnë.

Re pluhuri mbulojnë çdo ditë një nga akset më kryesore në Tiranë ku po bëhet zgjerimi i rrugës nga Fakulteti i Filologjikut  deri në Sauk pa marrë asnjë masë për ta lagur vazhdimisht me ujë atë.

Moti i nxehtë e ka bërë gjendjen të padurueshme. Në këtë situatë, Ambasada Amerikane që ndodhet në fillim të kësaj rruge ka marrë masa duke i pajisur me maska mbrojtëse punonjësit e saj. Shembullin e tyre e kanë ndjekur edhe shitësit ambulantë në këtë rrugë. 

Situata është dramatike edhe për studentët e Histori-Filologjisë, Ekonomikut dhe Gjuhëve të Huaja që iu duhet të bashkëjetojnë me këtë re pluhuri në pjesën më të mëdha të kohës.

Punimet kanë nisur që prej qershorit të vitit 2012 u bllokuan disa muaj për të rifilluar muajin e kaluar por nga ritmi me të cilat po ecin, duket se do të jetë e largët dita kur të pritet shiriti i përfundimit të tyre. 

rruga e elbasanit me logo
(Foto: Pluhuri dhe punimet në rrugën e Elbasanit)

Në korrik të 2012 Agjencia Rajonale e Mjedisit ndëshkoi me gjobë në vlerën 1 milionë lekë të reja, drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve pasi kjo drejtori nisi punimet për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit pa marrë më parë leje mjedisore.

Nisja e punimeve pa leje  mjedisore u  pranuar edhe nga kreu i baskisë, Lulzim Basha, i cili pat deklaruar se kjo është një çështje e ngelur pezull mes bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH-së.

shitesja rruga e elbasanit
(Në foto: Një nga shitëset ambulante të zonës me maskë për t'u mbrojtur nga pluhuri i rrugës)

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)