TIRANË, 16 Janar/ATSH/.- Qarkullimi i automjeteve në rrugën Tiranë- Elbasan në fshatin Ibë, duke filluar nga ora 08.00 e datës 17.01.2015 deri në orën 20.00 të datës 18.01.2015, do të bllokohet për shkak të punimeve që do të kryhen për heqjen e masës shkëmbore dhe masivit të dheut që është shumë pranë rrugës ekzistuese.
Në një njoftim për shtyp të Policisë së Shtetit bëhet e ditur se Autoriteti Rrugor Shqiptar nëpërmjet një shkrese i ka kërkuar Drejtorisë së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bllokimin e qarkullimit të automjeteve në të dyja kahët e lëvizjes në këtë aks rrugor për shkak të punimeve në rrugë.
Meqënëse ky proces duhet të kryhet në kushte të larta sigurie për shkak të rrezikshmërisë që ai mund të paraqesë për banorët e zonës dhe përdoruesit e rrugës, Policia Rrugore në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Policisë së Rendit do të marrë masa për bllokimin e rrugës, duke mos lejuar të qarkullojë në këtë aks rrugor asnjë automjet, si dhe nuk do të lejojë banorët që të lëvizën në zonën ku do të kryhen punime.
Policia e Shtetit informon të gjithë drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar të qarkullojnë në këtë aks rrugor gjatë fundjavës që lëvizja do të kryhet nga rruga e Durrësit./m.m/