Me pankarta “Hiqni duart nga Narta! Po shkatërroni zonën e mbrojtur!”, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile marshuan drejt pyllit, i cili së fundmi është rrethuar me tela.

Protestuesit shpartalluan portën dhe hynë në kantierin e ndërtimit në shenjë revolte ndaj dëmtimit të zonës së mbrojtur.

Dy-tre efektivë policie dhe disa roje private nuk bënë rezistencë, ndaj protestuesit vijuan me shkatërrimin e rrethimit....

“Po shtrohen rrugë në distancë 7 km, në zonë të mbrojtur. Hiqet si projekt i vogël turistik, por këtu do bëhen rezidenca që do shtrihen deri në grykëderdhje të Vjosës. Do zhduket ky habitat në emër të zhvillimit, s’do ketë më vend për jetën e egër”, tha një protestues.

“Kantieri s’ka asnjë tabelë informuese, s’ka logo kush po ndërton. Policia nuk po ndalon punimet. Duhet të konfiskojë makineritë! Edhe IKMT dhe ADZM nuk ndërhyjnë për të monitoruar zonën e mbrojtur”, tha Joni Vorpsi, nga PPNEA.

Organizatat mjedisore Protection and Preservation of Natural Environment in Albania denoncon se është rrethuar me tela një sipërfaqe e madhe prej 600 hektarësh dhe nuk ka asnjë informacion mbi projektin.

“S’ka transparencë për publikun. Thuhet se do bëhet një qytet i tërë me hotele e rezidenca me 10 mijë dhoma të parashikuara”, tha Joni Vorpsi, nga PPNEA.

Të shqetësuar janë dhe banorët e zonës, sidomos peshkatarët që kanë të lidhur jetën me lagunën e Nartës.

“Punoj 30 vjet në lagunë, ne na refuzojnë lejet e peshkimit për shkak të resorit. Këtu kam dhe tokat e nënës por janë duke i rrethuar me tela”, tha Bledar Mërtiri, banor i zonës.

“Gjithë jetën time këtu e kam bërë plazhin… po na marrin dhe po na vjedhin ato pak gjëra që na kanë mbetur”, tha Brunela Mërtiri, banore e zonës, aktiviste.

Në kantier nuk ka asnjë tabelë informuese, por është Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i cili përmes një deklarate për mediat sqaron se punimet po kryhen në tokë private, e cila në hipotekë rezulton në emër të subjektit “Albania Land Development”, ç’ka nënkupton se nuk është pjesë e zonës së mbrojtur.

Po sipas IKMT, kompania zhvilluese është “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po kryen punime përgatitore dhe rrethim kantieri, bazuar në lejen e lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Po kështu disponon dhe raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

"Në përgjigje të interesimit të medias “Për verifikimin mbi punime të dyshuara në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) sqaron:

Në vijim edhe të shqetësimeve të shprehura në publik, IKMT ka kryer verifikimet në terren në Pishë-Poro-Nartë. Nga ky verifikim është konstatuar se në Zonën Kadastrale 1007, në pasurinë Nr. 262/12 të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit.

Këto punime rezulton se po kryhen në bazë të Vendimit Nr.5, datë 29.04.2026 “Për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone”, me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë "Zvërnec South Adriatic Development" sh.p.k. Leja e sipër cituar është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërkohë, sipas njoftimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit po vijon më tej me procedurat e lëshimit të Dokumentit të Lejes së Zhvillimit, në përmbushje të akteve nënligjore dhe në zbatim të ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Subjekti disponon dhe Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional, Banimi, Shërbimesh, Hotelerie, Rekreacion, Marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 Kate”, me vendndodhje në Zvërnec, me Subjekt Zhvillues Shoqërinë Zvërnec South Adriatic Development Sh.P.K.

Për çdo leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, IKMT krijon grupe të përbashkëta inspektimi në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit me synim garantimin e ligjshmërisë në zbatimin e projekteve të miratuara", njoftoi IKMT. 

Sakaq në faqen zyrtare të KKTU-së, rezulton se më 29 prill të këtij viti është dhënë leje vetëm për rrethimin e pronës dhe punime përgatitore siç janë rrugët brenda kanierit.

Vendimi i KKTU-së

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka marrë dy leje zhvillimi për ndërtimin e resortit turistik por këto leje ende nuk janë zbardhur. Pra ligjërisht këtu po kryhet vetëm rrethimi i pronës, ende jo ndërtimi i resortit.

Kujtojmë se në këtë zonë ka shfaqur interes për të investuar dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner por kompania “Zvërnec South Adriatic Development” duket se nuk ka lidhje pronësie me të.

“Zvërnec South Adriatic Development” është në pronësi të kompanisë offshore “Dutch Trust Management BV” të regjistruar në Holandë. Sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB, kjo kompani është e lidhur përmes një grupi kompanish guackë edhe me projektin e Sazanit dhe dy vëllezërit investitorë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat.