POGRADEC - Drejtori i Ujësjellësit të Pogradecit Marsel Isallari është kërcënuar nga një punonjës i këtij institucioni, menjëherë pas bërjes publike të auditit të brendshëm të urdhëruar prejtij që nxorri në pah abuzime të shumta me një dëm prej 2 milionë euro në buxhetin e shtetit. 

Punonjësi 30-vjeçar Meardi Berberi do të procedohet penalisht në gjendje të lirë nga policia për veprën penale "kanosje për shkak të detyrës".

Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Pogradecit, punonjës i kësaj ndërmarrje ka kanosur me fjalë për motive të dobëta për shkak të detyrës, Drejtorin e Ndërmarrjes së  Ujësjellës Kanalizime Pogradec.

Ndërkohë më herët në një deklaratë për mediat, kryetari i Bashkisë së Pogradecit tha se Meard Berberi me detyrën e përfaqësimit juridik i ndërmarrjes ushtroi jo vetëm presion me fjalë ndaj drejtorit të ri por edhe demonstroi me armë zjarri duke e kërcënuar. Sipas kryebashkiakut Eduard Kapri, kërcënimi erdhi pasi Këshilli i Administrimit mori vendim për të shkurtuar një pjesë të punonjësve me argumentin se nuk vinin fare në punë, ndërsa të tjerë nuk justifikonin pagën. Meard Berberi ishte një nga të prekurit prej këtij vendimi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)