Një punonjës i një kompanie celulare është gjetur sot pa ndjenja pranë antenave në zonën e Midës, në Fushë-Arrëz, dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, rreth orës 09:20 në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar një shtetas, i cili ka raportuar se në fshatin Krrabë ndodhej një person i shtrirë pranë antenave.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, së bashku me emergjencën civile dhe ekipet shëndetësore.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se bëhet fjalë për shtetasin L. K., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie celulare. Dyshohet se ai kishte shkuar për të rregulluar një defekt në një antenë, kur është gjetur i shtrirë.
I dëmtuari është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Komente








