Pushime dhe vjedhje, binomi klasik i festave të fundvitit! Si të mos biem pre e hajdutëve, policia: Mos ekspozoni pushimet jashtë! Siguroni dyer e dritare

Mund të mos jetë një fenomen, por vjedhjet e banesave dhe të qytetarëve më rrugë janë problematikë që ndiqen në vazhdimësi nga policia e Tiranës. Trendi është gjithmonë rritës gjatë periudhës së festave, që përkon me udhëtime të shumta jashtë vendit dhe kyçjen e banesave, por edhe mbushjen e shesheve me njerëz, raste tipike për hajdutët “e vegjël”.

Edhe këtë vit, blutë e kryeqytetit përqendrimin e kanë aty, me synim minimizimin e rasteve të ngjashme. Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Volum në Policinë e Tiranës, Julian Qyta, tregon ku është përqendruar policia për parandalimin e tyre.

'Trendi është në ulje, në bazë edhe të analizave të riskut që DVP Tiranë vazhdimisht ka bërë ku shërbimet policore janë përqendruar në ato vende ku ka grumbullimet më të mëdha të njerëzve si rezultat edhe i ardhjes së tyre nga vendet e tjera ku jetojnë e banojnë. Kryesisht në qendra tregtare, sheshe, vende grumbullimi, nëpër pika të këmbimit valutor’, shprehet Qyta.

Një pjesë e mirë e shqiptarëve udhëtojnë për festat e fundvitit, duke lënë shtëpitë vetëm. Por, çfarë duhet të bëjmë për t’u siguruar se askush nuk do të afrohet?

‘Sigurimi i ambienteve, banesave dhe bizneseve, nëpërmjet mjeteve sinjalizuese që mund të jenë të instaluara, kontrollit të herëpashershëm të tyre, sigurimi i dyerve dhe dritareve në momentin e largimit nga banesa. Duhet të kenë kujdes në itineraret e lëvizjeve, sepse studiohen nga autorët e veprave penale për një kohë të gjatë nëse dyert dhe dritaret janë të mbyllura apo nuk ka sinjalizime’, shton Qyta.

Përdorimi i rrjeteve sociale gjatë udhëtimit dhe të treguarit se shtëpinë e keni lënë vetëm, është lajm i mirë për një hajdut. Ekspertët këshillojnë të mos reklamoni me të madhe që e keni lënë shtëpinë pa njeri.

'Rekomandohet kufizimi i ekspozimit në rrjetet sociale të vendeve  të udhëtimit apo qëndrimit për atë periudhë kohore për të cilën do të largohen nga banesa’, theksoi ai.

Por çfarë mekanizmash përdorin më së shumti hajdutët për të hyrë në banesa?

‘Kanë mekanizmin me veprime të drejtpërdrejta në bravat e dyerve  ose të dritareve me kaçavida apo mjete të tjera të forta që mund të ndërhyjnë në pjesët ku bëhet fiksimi’, përfundoi ai.

Kryesisht autorët e veprave penale që lidhen me vjedhjet e banesave dhe sendeve të tjera janë përsëritës dhe pavarësisht se policia herë pas here i arreston, sërish i rikthehen zanatit të vjetër. Përveç parave dhe sendeve me vlerë, vitet e fundit, pikasin skuterët elektrikë, për shkak të vlerës së tyre të lartë në treg.

G.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Lëvizte me pistoletë në çantë, arrestohet 33 vjeçari me rekorde kriminale (EMRI)

Tiranë/ Lëvizte me pistoletë në çantë, arrestohet 33 vjeçari me rekorde kriminale (EMRI)