Ditët e fundit vendi është prekur nga përmbytje masive ndërsa situata raportohet të jetë drejt përmirësimit. Kryesisht uji ka filluar të tërhiqet nga zonat e përmbytura, ndërsa mbi 600 metra mbi nivelin e detit ka reshje dëbore. Banesa nën ujë vijon të ketë ende në Durrës, Fier, Vlorë, Kurbin dhe Lezhë.

***

Durrës – Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen, situata vijon të jetë e rënduar. Në total janë evakuuar mbi 700 banorë dhe rreth 699 banesa të përmbytura. Në fshatrat Erzen dhe Fllakë raportohen rreth 1000 ha tokë bujqësore të përmbytura, ndërsa në Sukth rreth 5000 ha tokë e përmbytur. Në zonën malore e Fushë-Krujës niveli i dëborës ka arritur deri në 30 cm. Disa fshatra janë të izoluar.

Berat – Situata është drejt përmirësimit. Uji është tërhequr nga zonat e përmbytura ndërsa në lartësinë mbi 600 metra mbi nivelin e detit kanë nisur reshjet e dëborës. Niveli i lumit Osum tashmë është ulur duke kapur kotat mesatare. Për shkak të reshjeve të dëborës, disa fshatra nuk furnizohen me energji elektrike.

Fier – Niveli i prurjeve në lumin vjosa dhe në urën e Mifolit ka filluar të ulët. Rreth 650-700 ha tokë bujqësore janë të përmbytura, ndërsa prezencë uji ka në 80 banesa në Cerven dhe 75 banesa në Ferras.  Uji ka filluar të tërhiqet nga tokat bujqësore dhe në bashkitë Lushnjë, Divjakë, Patos dhe Roskovec.

Korçë - Argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë, duke bërë që rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit të jenë nën prezencën e ujit. Aksi rrugor Leskovik – Përmet, në zonën e fshatit Petran, si pasojë e çedimit të shtratit të rrugës, qarkullimi i mjeteve është plotësisht i pamundur. Aksi rrugor Qafë Plloçë–Qukës mbetet i bllokuar dhe vijon puna për pastrimin e inerteve. Rruga në fshatin Denas vijon e bllokuar do të ndërhyhet nga bashkia sapo të ulet niveli i ujit.

Vlorë – Niveli i lumit të Vjosës ka pësua rënie deri në kuotën 7.8 metra duke bërë që ujërat nga zonat e përmbytura të fillojnë dhe të tërhiqen. Problematikë vijon të mbetet fshati Bishan ku për shkak të nivelit të ujit rreth 2 metra, nuk është e mundur lëvizja.  Rreth 20 banesa në Bishan janë të rrethuara nga uji.

Lezhë – Situata vijon të jetë kritike, kryesisht në bashkinë e Kurbinit. Për shkak të dëmtimit të argjinaturës së lumit Drojë, niveli i ujit është rritur duke përkeqësuar përmbytjet në fshatrat Adriatik, Golem dhe Patok.

Elbasan – Ditën e sotme nuk raportohet për zona të bllokuara si pasojë e reshjeve të dëborës edhe pse trashësia kalon 30 cm. Zonat me prani dëbore janë Gjinari, Graceni, Labinot Mal dhe Funari.

Gjirokastër – Në këtë qark prezencë dëbore ka në zonën malore të Picarit, Kurvelesh. Aksi Pogon-Dropull është i bllokuar nga reshjet e dëborës, ashtu edhe Zagori-Libohovë. Reshjet e dendura të shiut canë karrexhatën e rrugës te Ura e Petranit dhe qarkullimi në aksin Përmet- Dogana e tre Urave u bllokua. Në Zagori është shembur dhe një banesë. Zona e Lunxhërisë vijon të jetë e përmbytur. Probleme me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra. 

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
Ndërpritet furnizimi si pasojë e përmbytjeve, Ujësjellës Kanalizime në Fier ofron ujë me autobotë!

 

Qytetarë të Fierit duke u furnizuar me ujë të pijshëm nga autobotët

Prej ditës së enjte Ujësjellës Kanalizimet në Fier ka vënë në dispozicion të qytetarëve të Fierit 15 autobotë për furnizimin me ujë të pijshëm. Mjetet janë shpërndarë në katër rajonet e qytetit, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në zonë

Furnizimi me ujë u ndërpre si pasojë e motit të keq në këtë qark. 

Në terren janë angazhuar autobotë të UKF-së, si edhe disa autobotë private, të kontraktuar nga institucioni për të përballuar nevojat e banorëve.

Sipas UKF-së  lëshimi i ujit të pijshëm në rrjet pritet të nisë pas tërheqjes së ujit të përmbytjeve nga puset që furnizojnë qytetin.  

Procesi do të shoqërohet paralelisht me monitorimin e cilësisë së ujit, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve. 

 

Ora 14:43
“Në Shqipëri kanë nxjerrë gomonet”, Reuters shkruan për përmbytjet e ditëve të fundit: Vjosa ka dalë nga shtrati, uji ‘ka pushtuar’ banesat

Reuters i ka kushtuar një hapësirë të veçantë përmbytjeve të ditëve të fundit në Shqipëri, duke nxjerrë edhe pamje nga vendi jonë nën ‘pushtetin’ e ujit.

Veçanërisht në Reuters i kushtohet vëmendje situatës në fshatrat e Vlorës dhe Fierit, pas daljes së lumit Vjosa nga shtrati.

Reuters shkruan se autoritetet në Shqipëri po përdorin gomohet për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe për të evakuar të tjerët.

“Ekipet e emergjencës në Shqipëri përdorin varka për të shpëtuar banorët e bllokuar pasi shirat e rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje.

Shërbimet e emergjencës thanë se po punonin për të larguar ujin nga rreth 800 shtëpi dhe ndërtesa, dhe për të strehuar rreth 300 persona në objektet e ushtrisë dhe policisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë nga bllokime nga bora dhe moti që nga e diela, me mbylljen e rrugëve dhe linjave hekurudhore, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesën e ujit të pijshëm”, shkruan Reuters.

Ora 14:03
Moti i keq në Vlorë, përmbyten varrezat në fshatin Bishan

Të gjallë e të vdekur, banorët e fshatit Bishan të Vlorës, po përballen me një situatë të rëndë për shkak të përmbytjeve të fundit.

Pamjet më të fundit që vijnë nga terreni për Report TV tregojnë se si varrezat e fshatit janë përmbytur plotësisht. Përveç varrezave, në zonë janë përmbytur qindra hektarë tokë, shtëpi dhe sera.

 

Ora 13:29
Moti i keq në Vlorë, Prefektja Evis Allushi: Niveli i ujit në rënie, 13 familje të evakuuara në Novoselë

Prefektja e Vlorës, Evis Allushi, ishte të premten në fshatin Bishan, ku inspektoi nga afër zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati gjatë natës.

“Situata gjatë ditës së sotme është përmirësuar. Niveli i Vjosës ëshë drejt rënies. Fshati Bishan ka pasur problematika mbrëmjen e djeshme por aktualisht nuk kemi përmbytje të banesave. Situata paraqitet më e qetë sepse niveli i ujit ka rënë. Ne jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatë. U kemi ardhur në ndhmë banorëve për të gjitha nevojat që kanë pasur, duke vendosur mjetet e nevojshme për nevojat e tyre. Evakuime kemi pasur në fshatin Novoselë. Janë të paktën 13 familje të evakuuara disa prej të cilëve janë akomoduar në konviktet e vlorës.Në fshatin Bishan nuk ka evakuime, kemi prezencë uji në banesa por jo familje të përmbytura  ” tha ajo për Report TV. 

Ora 13:06
Pamje me dron nga Ferrasi, qindra hektarë tokë të përmbytura! Serat në Frakull totalisht nën ujë

Report Tv sjell pamjet me dron nga fshati Ferras i Fierit ku qindra hektarë tokë vijojnë të jenë të përmbytura për të disatën ditë radhazi si pasojë e prurjeve masive nga lumi Vjosa në urën e Mifolit.

Edhe pse tashmë nuk ka pasur më reshje shiu dhe ujërat kanë filluar të tërhiqen, përsëri problematike vijon të jetë situata dhe në zonën e Frakullit ku serat janë totalisht të përmbytura.

 

Ora 12:38
Përmbytjet masive në Lezhë, eksperti i Bujqësisë dhe Kullimit: Kolektori i Drinit nuk pastrohet, nuk ka një plan strategjik për mbrojtjen e kullimit të ujerave (VIDEO)

Eksperti i Bujqësisë dhe Kullimit Preng Marku në një intervistë për Report Tv ka analizuar shkaqet e përmbytjeve masive në qarkun e Lezhës përgjatë ditëve të fundit. Shkaku kryesor sipas Markut është mospastrimi i kanaleve kulluese dhe mos hartimi i një plani strategjik të mbrojtjes së kullimit.

“Elementet që sigurojnë kullimin në zonat e ulëta duhet të jenë eficente. Që të bëhen eficente, kullimin duhet ta marrin në dorë specialistët që kanë hartuar projektin e kullimit në këtë zonë. Në Shqipëri funksionojnë skemat e kullimit. Këto skema janë unitare dhe nuk mund të cenohen. Çdo ndërhyrje në to për 35 vite, është bërë objekt i pengesave të lëvizjes së ujit në vend. Mbrojtja nga përmbytja në zonat e ulëta sigurohet nga kanalet e ujërave të larta, nga hidrovorët dhe kolektorët. Organet vendimmarrëse, duhet të ulen dhe të bëjnë planin strategjik të mbrojtjes së kullimit. Drini është koletori i shkarkimit të ujërave për Zadrimën dhe Torovicën. Në Zadrimë nuk pastrohet. Kanalet e ujërave të larta nuk pastrohen”, tha Preng Marku.

Ora 12:18
Situatë problematike në fshatin Bashaj të Vlorës, rrëshqitjet e dheut izolojnë 100 banorë!

100 banorë të fshatit Bashaj në qarkun e Vlorës kanë mbetur të izoluar ditën e sotme si pasojë e një rrëshqitje masive dheu.

Reshjet e dendura dhe kushtet e përkeqësuara të motit kanë derdhur masive dheu mbi rrugën lidhëse të fshatit duke shkaktuar dëmtime të rënda dhe duke e bërë atë të pakalueshme. 

Për pasojë, banorët nuk kanë asnjë mundësi qarkullimi drejt zonave të tjera. 

Të shqetësuar, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për hapjen e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit.

Autoritetet janë vënë në dijeni për situatën dhe pritet ndërhyrja e grupeve të emergjencës për të normalizuar gjendjen.

Ora 12:12
Moti i keq në Lezhë, anija me flamur të Tanzanisë mbetet e bllokuar pranë bregut të Tales (VIDEO)

Anija M/V “BESART”, me flamur të Tanzanisë dhe me gjashtë persona në bord, vijon të mbetet e bllokuar pranë bregut të Tales, në qarkun e Lezhës. Bllokimi i saj pranë bregut erdhi si shkak i kushteve të përkeqësuara të motit dhe dallgëve të forta që përfshinë Adriatikun një ditë më parë.

Fillimisht, anija ka qenë e ndaluar në zonën e Kepit të Rodonit. Për shkak të mosmbajtjes së spirancës dhe përkeqësimit të motit, ajo ka devijuar nga pozicioni fillestar, duke u zhvendosur drejt bregdetit të Lezhës.

Lëvizja e pakontrolluar ka vijuar fillimisht në drejtim të zonës së Kunës dhe më pas pranë Tale 2, ku anija ka përfunduar shumë afër vijës bregdetare, duke mbetur e bllokuar.

Aktualisht, ndërhyrja për nxjerrjen e saj konsiderohet e vështirë, për shkak të dallgëve por edhe përmasave të anijes, që e komplikojnë çdo tentativë tërheqjeje.

Ekuipazhi vijon të qëndrojë në bord, në pritje të orientimeve dhe vendimeve për veprime të mëtejshme nga autoritetet përgjegjëse.

 

Ora 12:07
Durrës/ Dalja e lumit Erzen nga shtrati, uji vërshon edhe në varrezat e fshatit Jubë, banori: Kam të sëmurë në shtëpi, ku ta çoj nëse vdes

Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka shkaktuar një situatë mjaft problematike në fshatin Jubë, Durrrës.

Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara përveç tokave dhe rrugëve të përmbytura, uji ka vërshuar edhe në varrezat e fshatit.

Për këtë situatë një nga banorët e zonës është shprehur i revoltuar duke thënë se është krimi më i madh që ky fshat të përmbytet. Ndër të tjera ai shprehet se, përmbytja e varrezave është një situatë serioze, veçanërisht për ata që kanë njerëz të sëmurë në shtëpi.

"Kam familjarin e sëmurë në shtëpi. Të më vdesë tani, s’kam ku ta çoj. Varrezat janë ‘mbytur’ në ujë. Banorët kanë frikë të flasin. I bëj thirrje shtetit, nëse është nevoja, jap 3000€ nga xhepi im dhe të nisin të ngrenë argjinaturën që nuk është vënë dorë. Është krimi më madh që të mbytet ky fshat”, tha banori.

 

 

Ora 11:54
“Nuk del dot nga shtëpia”, evakuohet banori në Vlorë (VIDEO)

Emergjencat Civile kanë evakuuar një banor në Vlorë. Nga pamjet e siguruara nga Report TV, banori është transportuar me gomone në rrugët e pakalueshme.

“Çfarë ndihme do të kërkojmë, janë gjëra të natyrës. Nuk del dot nga shtëpia”, thotë ai pasi zbret prej mjetit lundrues.

Ora 11:33
Moti i keq/ Situata drejt përmirësimit në Shkodër, ulet niveli i lumit Drin! Bien prurjet dhe nga lumenjtë Kir e Gjadër, Oboti vijon të jetë ‘nën ujë’

Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike dhe bazuar në informacionet e raportuara nga bashkitë, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse, situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë. Më poshtë pasqyrohet situata sipas bashkive përkatëse të Qarkut Shkodër:

Bashkia Shkodër

Nga strukturat vendore nuk raportohen problematika të Emergjencave Civile. Në njësinë administrative Dajç, kuota e ujit është 6.20 m. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit nuk ka pësuar rritje dhe ndodhet nën kuotën kritike.  Në Urën e Bahçallekut, niveli i lumit Drin vlerësohet nën kuotën kritike, dhe ka patur rënie të nivelit. Pranë fshatit Obot, ku vijon të ketë prezencë uji në rrugën kryesore, janë të dislokuara Forcat e Armatosura me 3 mjete të kalueshmërisë së lartë, të cilat prej disa ditësh po asistojnë banorët në kalimin e segmentit nën ujë.

Bashkia Malësi e Madhe

Situata paraqitet e qetë. Gjatë natës nuk janë regjistruar reshje shiu dhe nuk raportohen probleme të Emergjencave Civile për momentin. Ka pasur tërheqje të ujit në zonën e quajtur Rreze e Veshtit, njësia administrative Kastrat, ku po punohet të lirohet aksesi i plotë.

Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë

Sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, hidrovorët në Vilun dhe Casi vijojnë punën normalisht me kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve. Nga verifikimet në terren, argjinaturat, kanalet kulluese, shkarkuesit, si dhe diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale. Ndërkohë, lumenjtë Kir dhe Gjadër kanë shënuar rënie të ndjeshme të prurjeve, çka ka ndikuar pozitivisht në stabilizimin e situatës hidrologjike. Për ditën e sotme nuk janë regjistruar reshje shiu dhe temperaturat janë në rënie.

Reparti Ushtarak Vau Dejës nr. 1010 (Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut) është i angazhuar në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, Bashkia Shkodër, me 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 8 efektivë. Prefektura e Qarkut Shkodër është nën monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri me të gjitha strukturat përgjegjëse.

Ora 11:22
Skrapar/ Gjerbesi zbardhet nga dëbora, fshati 48 orë pa energji elektrike

Fshati Gjerbes në Skrapar është mbuluar nga dëbora këtë të premte.

Përveç reshjeve të dëborës, raportohet se zona ka probleme me furnizimin e energjisë elektrike prej 48 orësh.

Ora 11:17
Durrës/ Erzeni del nga shtrati, situatë e rëndë në Jubë! Banori nga Katundi i Ri: Uji hyri 50 cm, më ka dëmtuar biznesin

Rreth 500 familje janë evakuuar në qytetin e Durrësit, kryesisht në Katund të Ri, Vadardhë dhe Jubë. Dita e sotme shfaqet më e rënduar në zonën e Jubës sepse lumi Erzen ka dalë nga shtrati. Sa i përket Vadardhës, uji është tërhequr.

Në Katund të Ri, problematika është ekzistente, pavarësisht se uji është tërhequr pjesërisht. Një banor, të cilit i është dëmtuar biznesi, thotë se dëmi kryesor janë makineritë.

“Më ka dëmtuar  biznesin, zdrukthtarinë. Dëmin nuk e di, por makinat janë nën ujë, janë të kushtueshme. Këtu ka hyrë 50 centimetra”, shprehet ai

Ora 10:55
Përmbytet fshati Ferras në Fier, 75 banesa nën ujë! Banorët: Situata është katastrofike, dëmet janë të mëdha (VIDEO)

 

75 banesa brenda dhe jashtë argjinaturës janë nën pushtetin e ujit në fshatin Ferras, zona më e prekur nga përmbytjet në qarkun e Fierit. Mes ujit e baltës ata rrëfejnë momentet e vërshimit të ujit, situatë që i ka gjetur térësisht të papërgatitur. As masat e marra nẽ momentin e fundit nuk mundën tu vinin në ndihmë banorëve pasi ujrat kanë vërshuar nga të gjitha anët.

“Në një situatë katastrofike, keq sa nuk ka ku të shkojë më. Çdo gjë e përmbytur, shpendët, zaireja e bagëtisë. Kemi pasur dhe dy përmbytje, por kjo ishte më e rënda. Ne jemi pensionistë, unë jam 76 vjeç. Ku të shkojmë? Ku t’i gjejmë që të shkojmë në një vend tjetër, me pensionin nuk ia dalin dot. Do ndez zjarrin aty, të rri me zonjën. Nuk kemi ku të shkojmë”, tha një banor.

Pavarësisht se uji arriti mbi 1 metër , banorët nuk u larguan nga banesat , me shpresën per të shpëtuar ç, të mundin dhe per të mos lënë vetëm bagëtitë të  cilat i kanë nxjerë në rrugë. Ata e kané kaluar natén ose né makiné , ose né kuzhinat né oborret e banesave té cilat i kané shpëtuar pérmbytjes.

“Erdhi me rrëmbim, nuk e pritëm dot. Shtëpia është jashtë argjinaturës. U mbytëm. Kaloi mbi mure, masat i kishim marrë, por u fut brenda. Nga të gjitha anët me ujëra ishte. Dëmi është shumë i madh. Erdhën sot. Unë nuk dua dëmshpërblim, por vetëm most ë dëmtoheshim.”, u shpreh një banore tjetër.

“7 shtëpi janë përmbytur. Atje pati çarje të argjinaturës.”, deklaroi një banor.

Mëngjesin e sotëm komisionet e verifikimit të dëmeve kanë dalë në terren për të verifikuar dëmet ndërkohë që banorët mbeten me shpresën e përfitimit të dëmshpërblimeve.

Ata pohojnë gjithashtu se pasojat e përmbytjes së tanishme janë shume herë më të mëdha krahasuar me ato të mëparshmet. Ndërkohë, sipërfaqe të tëra tokash bujqësore ndodhen nën ujë duke e bërë edhe më të vështirë situatën e familjeve të dëmtuara.

Ora 10:37
Reshjet e dendura të shiut/ Qindra hektarë tokë bujqësore ende nën ujë në Krujë

Edhe pse niveli i ujit në lumin Ishmë ka rënë gjatë natës, përsëri nuk kemi një përmirësim të situatës në Krujë.

Qindra hektarë tokë bujqësore ndodhen ende nën pushtetin e ujit për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese.

Ora 10:34
30 cm borë në Malësinë e Krujës! Bllokohet rruga deri në Qafshtamë, disa fshatra të izoluar

Vijojnë reshjet e dëborës në Malësinë e Krujës ku niveli i saj në Parkun Kombëtar ka arritur në 25-30 centimetra.

Rruga nga fshati Nuaj e deri në Qafshtamë është e bllokuar për shkak të akullit. Asnjë mjet nuk qarkullon dhe disa fshatra janë të izoluar. Në terren nuk ka asnjë mjet për të hapur rrugën e pastruar dëborën e ngricat.

Nuk raportohet për problematika të tjera apo mungesë të energjisë elektrike.

 

Ora 10:33
Moti i keq, Rama: Në Korçë nuk ka problematika! Strukturat në terren, vijon puna për pastrimin dhe hapjen e rrugëve në fshatra

1767956677_korcebore.JPG

Kryeministri Edi Rama thotë se në Korçë nuk paraqiten problematika nga moti i keq.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se strukturat kanë qenë në terren për gatantimin e qarkullimit dhe sigurisë së banorëve.

Sipas Ramës, është siguruar mbarëvajtja e procesit mësimor, teksa shtoi se në fshatrat malore vijon puna pastrimin dhe hapjen e rrugëve.

“Edhe në Korçë, mjetet fadroma dhe punëtorët kanë qenë gjatë gjithë natës në terren dhe kanë vijuar punën që herët në mëngjes, për garantimin e qarkullimit normal dhe sigurisë së banorëve.

Që në orët e para të mëngjesit është bërë pastrimi i oborreve në kopshte dhe shkolla, si dhe heqja e akullit nga ambientet përreth, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor. Në qytet dhe në Njësitë Administrative nuk ka problematika.

Ndërkohë, në fshatrat malore fadromat vijojnë punën për pastrimin dhe hapjen e rrugëve. Situata është në monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse”, shkruan Rama.

Ora 10:28
Elbasan/ Disa akse rrugore të kalueshme vetëm me zinxhirë, pezullohet mësimi

1767951216_elbasandebore.jpg

Gjatë natës së të enjtes, situata në zonat malore të Bashkisë Elbasan ka qenë më e qetë. Është punuar gjatë gjithë natës dhe nuk ka zona të bllokuara nga dëbora, edhe pse në disa zona trashësia e saj kalon 30 cm. ASHP vijon punën në terren me kriposjen e rrugëve në të gjitha zonat.

Akset e kalueshme vetëm me zinxhirë janë segmentet lidhëse Korrë, Cërrunjë, Mollagjesh, në Elbasan-Labinot Mal dhe Elbasan-Zavalinë.

Situata në akset rrugore Elbasan–Gjinar, Elbasan-Gracen dhe Elbasan-Funar janë të kalueshme pa zinxhirë.

Mësimi është pezulluar dhe do të zëvendësohet të shtunën, më 17 janar.

Ora 10:18
Përmbytjet, rritet niveli i ujit në Kurbin, mos mbyllja e argjinaturës së Lumit Droje ka rënduar situatën në Adriatik, Patok dhe Golem

Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës vijon të jetë problematike, kryesisht në Bashkinë e Kurbinit.

Burime për Report TV bëjnë me dije se argjinatura e Lumit Drojë vijon të jetë e çarë, duke sjellë rritje të nivelit të ujit në fshatrat Adriatik, Golem dhe Patok të Njesisë Administrative Fushë-Kuqe.

Një nga zonat e prekura masivisht nga përmbytjet është edhe Sanxhaku, ku uji ka depërtuar edhe në disa banesa.

Banorët thonë se prej katër ditësh situata është mjaft e vështirë, duke ju sjellë dëme të shumta krysisht në bujqësi dhe blektori. Emergjente për ta është baza ushqimore për gjënë e gjallë, e cila është dëmtuar nga prezenca e ujit.

“Ça kam blegtori, me pulë, me gjel, me dele, me lopë i ka degradu. Vetëm nuk më ka hyrë edhe në shtëpi, 4 centimetra larg është. Askush nuk na ndihmon. Ka banesa me 40 cm ujë brenda. Nuk punojnë pompat e hidrovorëve. Nuk i vë kush në punë, sepse nuk ka përmbytje nëse do të vihen në punë. As nuk ka ardhur kush, as nuk ka pyetur kush, as nuk vlerëson kush nëse jemi gjallë”, tha njëri prej banorëve.

“Boll na kanë bërë dëm. Muaji nëntor më shumë. Muaji nëndor 25 ditë... Na kane ngelur qingjat, dhitë. S’janë tu punu as pompat. Niveli është rritur”, tha një tjetër banor për Report TV.

Gjatë natës mësohet se ka patur dhe mungesë të energjisë elektrike në hidrovoret e Drojës, Shellinza dhe Tale, duke ndikuar negativisht në evadimin e ujërave.

Ndërkohë vemendja më e madhe e strukturave është përqëndruar në zonën e Fushë-Kuqes, ku në terren janë edhe forcat e ushtrisë me mjete të rënda dhe lundruese, për të evakuar banorët në rast nevoje, për shkak të nivelit të ujit i cili ka ardhur gjithnjë në rritje.

Ora 10:01
Lumi Erzen del nga shtrati/ Në Durrës 842 banorë evakuohen për shkak të përmbytjeve, rrëshqitje dherash në 12 zona

1767880849_drondurres.jpg

Lumi Erzen ka dalë nga shtrati në grykëderdhjen në Jubë, teksa niveli i ujit është rritur deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje. Në qarkun e Durrësit, në total janë evakuar 842 banorë.

Prej tyre, 299 banorë janë akomoduar te familjarët e tyre, ndërsa pjesa tjetër, në struktura shtetërore dhe hotelerie.

Raportohet për 12 zona ku ka pasur rrëshqitje dherash. Deri më tani, janë verifikuar 2380 banesa dhe janë kryer 848 akte konstatimi.

Edhe në qarkun e Gjirokastrës pati evakuime të banorëve, prej motit të keq.

Në Gjirokastër janë larguar 4 familje, në Përmet 4 familje, në Memaliaj 2 familje, ndërsa në Libohovë 3 familje.

Ora 09:54
“Kam nënën e djalin të paralizuar, s’na erdhën për ndihmë”, banori i Bishanit: Më kanë humbur 50 pula

 

Fshati Bishan në grykëderdhjen e Vjosës mbetet ende i rrethuar nga uji. Pamje të siguruara nga Report TV tregojnë si uji ka depërtuar në pjesën e jashtme të banesave.

Një banor, Florian Bulla, thotë se ka nënën e djalin të paralizuar dhe deri më tani nuk kanë shkuar ende ndihmat.

Kemi dëme, neve nuk na erdhën as për ndihmë. Kam nënën të paralizuar që nuk mund ta lëviz, kam djalin po ashtu të paralizuar. Nuk mundem të bëj asgjë se jam i përkushtuar te nëna dhe kam hallin e nënës”, thotë banori.

Dëmet materiale për të dhe të shpendëve të gjalla janë të konsiderueshme.

“Më është prishur një frezë që e kisha lënë atje, karroca e invalidit të çunit dhe nja 50 pula që s’po i gjej, ato po kërkoja. Dëme të tjera nuk ka pasur”, përmbyll ai.

Ndërkohë Forcat e Armatosura po asistojnë në dhënien e ndihmës për një të moshuar.

Ora 09:47
Çarja e argjinaturës së Devollit përmbyt mbi 3 mijë ha tokë, mbetet i bllokuar aksi Qafë Plloçë-Qukës! Të pakalushme disa segmente rrugore

Në Korçë, situata e shkaktuar nga reshjet e dëborës dhe përmbytjet përqendrohet në disa problematika kryesore.

Argjinatura e lumit Devoll vijon të jetë e çarë, duke bërë që rreth 3,600 hektarë tokë bujqësore në fushën e Maliqit të jenë nën prezencën e ujit. Nga reshjet e borës nuk raportohen problematika.

Aksi rrugor Qafë Plloçë–Qukës mbetet i bllokuar dhe vijon puna për pastrimin e inerteve. Rruga në fshatin Denas vijon e bllokuar do të ndërhyhet nga bashkia sapo të ulet niveli i ujit.

Vijon problematika e rrugës së Dardhasit, ku po punohet për ta bërë të kalueshme. Si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu, është dëmtuar një banesë, e cila për momentin është e pabanueshme.

Në Maliq, ka përmbytje të tokave bujqësore në fshatin Velçan. Rruga e fshatit Senisht është dëmtuar. Një segment i saj është i batisur dhe aktualisht i pakalueshëm për mjetet.

Në fshatin Dolan janë shënuar rrëshqitje dherash, si pasojë e të cilave rruga është e bllokuar. Gjithashtu, është dëmtuar rrjeti i ujësjellësit. Probleme në qarkullim janë konstatuar edhe në rrugët e fshatrave Strelcë, Zvarisht dhe Lozhan Lartë, ku ka prani të dëborës dhe kalimi i mjeteve kryhet me vështirësi.

Është dëmtuar argjinatura e kanalit kryesor në fshatin Leminot, si dhe është shkatërruar plotësisht një urë. Gjithashtu, është dëmtuar segmenti rrugor Kakaç – Vërçun, ku për shkak të rrëshqitjeve të tokës është dëmtuar edhe ushqyesi i rezervuarit Vërçun – Podgorie.

Në aksin Ersekë–Leskovik puna ka vijuar gjatë natës është kryer kriposja për shkak të ngricave. Qarkullimi lejohet me goma dimërore dhe zinxhirë.

Maliq–kufiri me Gramshin, situata paraqitet pa probleme ka vijuar kontraktori me kriposje  qarkullimi normal.

Korçë–Ersekë (km 3) dhe Zëmblak – Goricë e Bilisht – Miras (km 6), është vijuar me  kriposje.  Qarkullimi vijon me goma dimërore.

Në Boboshticë – Dardhë, ku gjatë natës janë regjistruar temperatura të ulëta, është kryer kriposja në të gjithë segmentin.

Janë evidentuar problematika në furnizimin me energji elektrike për shkak të situatës së shkaktuar nga reshjet e ditëve të fundit.

Në linjat TM 10 kV janë 11 fidera të stakuar, prej të cilëve 8 pjesërisht. Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike në zonat urbane, ndërsa 1,995 abonentë ruralë rezultojnë pa furnizim me energji elektrike. Situata prek drejtoritë rajonale Korçë, Maliq, Pogradec dhe Ersekë, ndërsa Bilishti nuk raporton problematika. Ekipet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri për riparimin e defekteve. Furnizimi me energji elektrike për objektet e rëndësisë së veçantë vijon normalisht.

Në njësitë Sterkanj, Dardushë, Nicë, Osnat dhe Lekas në Pogradec raportohen ndërprerje të energjisë elektrike.

Në Kolonjë ka ngrirje të rrugëve dhe strukturat e bashkisë po punojnë në terren. Procesi mësimor ka filluar normalisht në shkollat e qyteteve Ersekë dhe Leskovik, ndërsa nuk ka filluar në fshatrat Shtikë, Starje, Mesiçkë dhe Qafëzez. Janë marrë masa për sigurimin e ngrohjes. Nuk ka probleme me furnizimin me ujë dhe energji elektrike.

Në fshatrat Maçurisht, Progër dhe Cangonj të Devollit, uji është tërhequr plotësisht situata është normalizuar dhe nuk raportohen probleme të tjera.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse për ndërhyrje deri në normalizimin e gjendjes, garantimin e qarkullimit rrugor dhe rikthimin e shërbimeve bazë.

 

Ora 09:35
Bie niveli i lumit Ishëm, por situata ende jo e përmirësuar! Qindra hektarë tokë nën ujë

 

Niveli i lumit Ishëm ka rënë gjatë natës duke u tërhequr në rrjedhën e tij, por kjo nuk ka ndikuar në përmirësimin total të situatës.

Qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella me kultura të ndryshme foragjere, vijojnë të jenë nën uje për shkak se kanalet nuk tërheqin ujin.

Megjithatë, situata është drejt përmirësimit në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuç e Derven.

Ndërsa në fshatrat Miliskaj dhe Dukagjin i Ri, vijon të punohet për riparimin e argjinaturës së lumit Droja.

Ora 09:29
Moti i keq, përmbytet një segment i rrugës Fier-Vlorë në afërsi të fshatit Ferras

 

Në rrugën nacionale Fier-Vlorë, një segment i saj në afërsi të fshatit Ferras është përmbytur.

Ujërat kanë dalë nga tokat bujqësore, të cilat janë përmbytur nga dalja e lumit Vjosë.

Ora 09:21
Bllokohet aksi rrugor Uji i Ftohtë-Tepelenë, shkak rrëshqitja e dherave

 

Qarkullimi i automjeteve në aksin Uji i Ftohtë-Tepelenë është bllokuar përkohësisht për shkak të rrëshqitjeve të dherave, të cilat kanë zënë gati 70% të gjerësisë së rrugës në kryqëzimin tek Ura e Leklit.

Ekipi i mirëmbajtjes së rrugës dhe policia ndodhen në vendngjarje, teksa raportohet se automjetet janë duke pritur në radhë nga të dyja akset.

Ora 09:13
Moti i keq/ Çarja në aksin Përmet-Çarçovë, izolohet qarkullimi i makinave drejt Juglindjes

 

Çarja e rrugës në aksin Përmet-Çarçovë, në afërsi të urës së Çarçovës ndodhet në pikë kritike.

Si pasojë e kësaj situate bëhet me dije se qarkullimi i makinave drejt Juglindjes së vendit është izoluar.

Ora 08:47
Rrëshqitja e dherave, aksi Klos-Burrel u bllokua prej më shumë se dy orësh

 

Prej më shumë se 2 orësh, rruga nacionale Klos-Burrel u bllokua si pasojë e rrëshqitjeve së dherave.

Sasi të mëdha balte dhe inertesh përfunduan në asfalt, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve, mes tyre edhe një ambulancë, e cila ishte nisur drejt Tiranës me një të sëmurë.

Pas pastrimit të rrugës, qarkullimi i automjeteve vijoi normalisht.