Pushtimi italian, koloneli Hill- Ali
Këlcyrës: Hyr në Shqipëri dhe lufto 

Pushtimi italian, koloneli Hill- Ali<br />Këlcyrës: Hyr në Shqipëri dhe lufto 
Shkrimi i gjashtë i ciklit mbi jetën dhe veprimtarinë e Ali Këlcyrës. Ngjarjet e prillit 1939, qasjet politike dhe marrëdhëniet e mëvonshme me komunistët... Ja çfarë i shkroi Ali Këlcyra oficerit të zbulimit politik britanik më 23 shkurt 1945...
 
(Vijon nga dje...)
 
Në 7 prill 1939 na lanë vetëm 
Në 23 shkurt 1945 para oficerit të zbulimit politik britanik, punonjës i Ministrisë së Jashtme të vendit të vet, në raportin për veprimtarinë e tij politike, mes të tjerash Ali Këlcyra shkroi: “u detyruam...në prill të vitit 1927 të largohemi nga Italia. Ne shkuam në Beograd dhe në Athinë, në mënyrë që të arrinim një marrëveshje me këto dy vende fqinje, për të siguruar mundësinë e një fronti kundër imperializmit fashist, i cili kishte futur rrënjët në Ballkan, falë edhe dritëshkurtësisë së autoriteteve jugosllave dhe greke”.
Disa paragrafë më pas: “Fatkeqësisht, organizata jonë nuk pati mbështetjen e mjaftueshme nga media ndërkombëtare në luftën tonë të fortë kundër fashizmit, jo vetëm nga vendet demokratike, por edhe nga shtetet ballkanike, si Jugosllavia dhe Greqia, të cilat edhe ato ishin të kërcënuara nga fashizmi italian”.
Ali Këlcyrën do ta ndeshim edhe në fund të vitit 1944 të bashkuar në përpjekjet, këtë herë me grekët dhe Turqinë, për të ngritur një front të përbashkët kundër depërtimit të Ushtrisë së Kuqe në Ballkan, por tani për tani le t’i rikthehemi raportit të tij të 23 shkurtit.
Në të janë edhe këto fjalë: “Greqia, duke dashur që të fitonte simpatinë e fashistëve italianë, dhe pavarësisht premtimeve që na kishte bërë, shkoi edhe më larg duke internuar mjaft prej shokëve tanë të cilët ndodheshin në Korfuz. Në lidhje me këtë çështje ne i dërguam një telegram edhe Kryeministrit Metaksa”.
Në vijim: “As qeveria e Beogradit nuk i mbajti premtimet, dhe pas qershorit të vitit 1928 me marrëveshjen në Beograd midis kontit Çiano dhe Stojadinoviçit, unë u thirra në legatën jugosllave në Paris, ku m’u tha, sipas udhëzimeve të marra nga Beogradi, se qeveria jugosllave nuk mund të na mbështeste më në fushatën tonë kundër fashizmit, një ndihmë që na ishte premtuar formalisht në vitin 1927, premtime që çdo ministër i Jashtëm jugosllav i ka konfirmuar.
U bë një tentativë për të na shpjeguar se na u kthye kurrizi për shkak të situatës ndërkombëtare dhe formimit të boshtit nazist”.
Menjëherë më pas: “Edhe miqtë tanë në Francë morën masa në mënyrë që Italia të mos zëmërohej dhe artikujt tanë në shtypin francez nuk mirëpriteshin më”.
Po ashtu në raportin e tij për oficerin anglez të zbulimit politik Ali Këlcyra thekson: “Nga fundi i vitit 1938, Mustafa Kruja, një njeri me konfidencë për Pallatin e Chigit, erdhi në Paris duke na thënë: “Roma kërkon që të arrijë një marrëveshje me organizatën tonë. Ajo premton që nëse do të vendoset një sovran i Shqipërisë, një princ nga Savoja dhe nëse e mbështesim këtë projekt, atëherë premtohej se do të na kthehet e gjithë fuqia politike dhe ekonomia që kishim para regjimit të Mbretit Zog, me një Parlament të lirë që mund të kishte të zgjedhurit e vet, si dhe mundësinë e rishikimit të kufirit me Jugosllavinë në favor të Shqipërisë, në akordancë me parimet që u vendosën nga Konferenca e Mynihut në vitin 1938″. Ne e pranuam këtë propozim pasi dukej si favorit për interesat e vendit tonë, nga çdo lloj pikëpamje, gjithnjë nga pikëpamja e situatës ndërkombëtare të kohës. Por doli se ishin fjalë bosh”.

Më tej Ali Këlcyra e informon përfaqësuesin e Londrës se “Disa ditë përpara 7 prillit 1939, Mustafa Kruja erdhi sërish duke na thënë se qeveria e Romës nuk do të mbante premtimin e saj, pasi kishte pasur zhvillime të reja, në një kohë që Praga ishte pushtuar nga Gjermania, atëherë italianët do të pushtonin Shqipërinë. Këtë informacion ne e dërguam menjëherë në Legatën jugosllave në Paris. I kujtuam z. Puris, i cili ishte ambasadori jugosllav në Paris, që çdo ardhje e trupave italiane në Shqipëri ta cilësonte si “Casus Belli”.

Fatkeqësisht, pas shkatërrimit të Shqipërisë, fuqitë ballkanike qëndruan si spektatore”.
Duke e ndërprerë këtu citimin e këtij fragmenti prej raportit të Ali Këlcyrës të 23 shkurtit 1945, tridhjetë e dy ditë para se autoritetet britanike, më saktë aleatët antifashistë, ta dënonin me burgim, i rikujtojmë lexuesit se “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, viti 2008, vëllimi i dytë, tek zëri për këtë politikan, vë në dukje se “Në v. !938 u lidh ngushtë me grupin e Zarës të M. Krujës dhe mbështeti planin e Italisë për pushtimin e Shqipërisë”.

Siç e shihni akuza e hartuesve të këtij fjalori enciklopedik, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është shumë e rëndë. Prej kësaj rrethane jemi të shtrënguar, gjatë rrëfimit të jetës dhe veprimit të Ali Këlcyrës, të hetojmë sërish nëse kjo qëndron apo bën pjesë në ndonjë manipulim politik të saj të mbetur si stil gjykimi ideologjik që prej periudhës bolshevike. 
 
Politika si vokacion dhe jo si ambicie
 
Tre vitet e parë të qëndrimit në Itali (1925-1927) si edhe ato
në Vjenë (1927-1930), më pas për nëntë mote të tjera në Paris, Ali Këlcyra nuk e ka ndërprerë veprimtarinë politike. Ditë-natë. “Politika ishte vokacioni i tij kryesor”, ka përsëritur vazhdimisht e bija, nëpërmjet medias me publikun shqiptar, por veçmas edhe me autorin e këtyre radhëve.
Politika ishte profesioni si edhe mjeshtëria e tij, do të shtonim ne. Qe e dashura e tij e jetës.

Sipas Hanës, Aliu ngulte këmbë se për t’i përkushtuar këtij pasioni marramendës, vendim ndërgjegjeje por edhe instinkt subkonshience, duhej të kryente dy sakrifica të mëdha. E para, të mos jetonte në një mirëqenie rehatuese, e cila do ta bënte të dremiste dhe të mos shihte e ndjente hallet e të tjerëve. Ca më pak Ali Këlcyra nuk desh të ishte pasanik. Pasuria materiale, po t’i bëhej qëllim, për të zhvendoste çdo tjetër aspiratë. E dyta, politikën e ushtronte më lehtësisht po të mos krijonte familje.
Sipas tij, kjo e fundit mendonte se e bënte mjaft të dobët, të përthyeshëm, jo rezistent. Kundërshtarët dhe sidomos shumë të pushtetshmit, sidomos diktatorët, mund ta zinin peng me jetën e fëmijëve.

Në pjesët e ardhme të kësaj sprove që po shkruajmë për të kuptuar Ali Këlcyrën dhe tërë brezin e politikanëve antikomunistë të dekadave njëzetë deri në atë të gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, do të përpiqemi ta provojnë se kushtin e parë, mosrendjen pas mirëqenies private, ai e zbatoi. Të dytën rrethanë, mosmartesën, e bëri copë e thërrime këmbëngulja dhe vullneti i të bukurës së urtë, por edhe kokëfortë kur duhej, shumë të hekurtës në jetë, Avdije Dudush hanëm Vrionit. 
Duke qenë se ushtrimi i politikës ka si qëllim final krijimin dhe përdorimin e pushtetit, pra edhe një pozicion në këtë hierarki, në përgjigje të një pyetjeje të formuluar nga ne “A mos ishte ambicioz”, Hana Klissura i u përgjigj me fjalët “Babai im nuk ishte fare ambicioz”. Me këtë ajo kuptonte një mënyrë të marrjes me politikë siç edhe një shkrimtar merret me letërsinë, artin e të shkruarit. Pa kërkuar në këmbim një post zyrtar.   
 
Profili antizogist
Gjatë gjithë dekadave njëzetë-tridhjetë të njëqindvjeçarit të shkuar Ali Këlcyra ka pasur orientim kryesor politik antizogizmin. Kur u bë i tillë qe pothuaj tridhjetë vjeç dhe Ahmet Zogu ishte shumë më i ri. Se si u mbush me këtë ide dhe po ashtu emocion, për ta bërë tepër të dukshme për lexuesin, nevojitet kohë, por në vitin 1921 ai është plotësisht në anë të kundërt të beut të Matit.
Tek Ali Këlcyra antizogizmi ishte intensiv, por jo mëri. Zogun donte ta mundte, por vetëm politikisht, vetëm me mjetet e politikës. Kur disa  antizogistë i bënë monarkut atentat para ndërtesës së Operas së Vjenës, Ali Këlcyra nuk u bë përkrahës i veprës së tyre. Ishte në krahun e Fan Nolit, i cili e dënoi këtë gjest.
Hana Klissura na ka pohuar se në familjen e tyre me tre vetë, Avdije hanëmi dhe Hana shfaqnin simpati për Ahmet Zogun. Vrionasja për mundësinë që i dha të nxirrte pasaportë dhe të shkonte në Paris, tek tashmë bashkëshorti i saj, kurse e bija e tyre prej një përshtypjeje nga një takim në vitet e emigracionit të pas Luftës së Dytë Botërore: “Kur e njoha mbretin pata shumë admirim, sepse kur fliste ishte tjetër gjë”.
Po ashtu autorit të këtyre radhëve i ka thënë “Babai nuk më ka influencuar negativisht kundër tij. Asnjëherë nuk më ka thënë mos e duaj sepse mua më ka dënuar me vdekje. Por kur unë e shtoja entuziazmin ai thoshte “Po ai ka vrarë Luigj Gurakuqin, Avni Rustemin, Isa Buletinin e të tjerë?” Atëherë unë kërceja për ta kundërshtuar: “Hajde t’i numërojmë sa ka vrarë Enver Hoxha dhe sa ai!”.
Kur Hoxha student i shkoi për vizitë shtëpie në Paris dhe i shprehu dëshirën të anëtarësohej në organizatën “Bashkimi Kombëtar”, kishte parasysh profilin e spikatur antizogist të Ali Këlcyrës, por nuk dallonte dot, siç tërë jetën nuk mundi ta kuptojë, veçimin e luftës politike prej jetës personale të një individi dhe të drejtës për të mos u dëmtuar apo likuiduar fizikisht nga kundërshtari. Enver Hoxha me siguri është gjendur i befasuar se si një kundërzogist i patundur papritmas e mori në mbrojtje mbretin për çështjen e bursës që po i jepte atij pa realizuar kapërcimin një pas një të viteve shkollorë në universitetin e Montpeljesë.
 
Kundër komunizmit
Përveç se antizogist Ali Këlcyra qe edhe antikomunist, cilësi e cila i mori përmasa mjaft të dukshme gjatë moteve të pushtimit italian dhe gjerman, kur grupet më të mëdha dhe më aktive të rezistencës përbëheshin prej njerëzve të ndikuar nga PKSH.
Por a shkonin bashkë, pra a harmonizoheshin antizogizmi me kundërkomunizmin? Në fund të fundit a qe Ali Këlcyra po aq edhe antifashist?
Raporti mes këtyre tre elementëve, dinamika e vlerësimit të radhës së tyre në një moment të caktuar, epërsisë së njërit apo tjetrit, përbënte gjatë pesë viteve të pushtimit dhe të qëndresës ndaj pushtimit, themelin e aftësisë për të qenë e mbetur një person, grup, parti apo organizatë politike.
Ose e anasjella: individ apo bashkësi ideologjike.
Në rast se në këtë vijë antizogiste-antikomuniste-antifashiste të Ali Këlcyrës do të gjejmë qoftë edhe një të çarë të vogël, vetëm një krisje, atëherë ka të drejtë të na brejë dyshimi se ai e ka ushtruar politikën si demagog. Se ka qenë hipokrit dhe fals.
Eqerem bej Vlora në librin e tij të kujtimeve, pasi përshkruan historinë e ashpër të dinastisë Këlcyra, vijon kështu: “Do të ishin, me siguri, këto kujtime të shtëpisë së tij, që e kishin shtyrë Ali beun të merrte një qëndrim liberal. Ai kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe Romë dhe, ende fare i ri, ishte futur në radhët e atdhetarëve të zjarrtë dhe të demokratëve të bindur; ai ishte idealist, ai i besonte misionit të vet për t’i shërbyer popullit dhe emancipimit të tij. Bejlerëve reaksionarë, por edhe atyre konservatorë (siç isha unë) programi i Aliut u dukej një herezi e vërtetë.
Ali bej Këlcyra gjatë gjithë jetës së tij ka luftuar kundër çdo despotizmi edhe pse kjo luftë ishte kundër interesave të tij. Kjo është edhe arsyeja që gjatë sundimit të Zogut ai vegjetoi për 15 vite rresht si emigrant jashtë vendit. Por nuk u dha kurrë. Ndërsa çifligarët e mëdhenj ai i këshilloi tua dhuronin fshatarëve një pjesë të tokave, në mënyrë që të bëhej kështu e panevojshme një reformë e ardhshme agrare. Të gjithë ne u tërbuam dhe e shamë “beun e zvetënuar”. Dhe kush pati të drejtë? Për mendimin tim të dyja palët kishin zënë pozicione të skajshme. Një rrugë të mesme midis ideve të majta të Ali bej Këlcyrës dhe konservatorizmit tonë kryeneç, do të kishte qenë mbase, vija më e drejtë politike. Por ne as e kuptuam, as e vumë në jetë një vijë të tillë. Ndonëse, nga ana tjetër, edhe ajo vështirë se do të na kishte shpëtuar nga stuhia shkatërruese komuniste pas Luftës së Dytë Botërore”.  
 
I dërguari nga Londra, Koloneli Hill
Oficerit britanik të zbulimit politik në raportimin me shkrim të 23 shkurtit 1945 Ali Këlcyra i shkroi edhe këto mendime: “Fatkeqësisht, pas shkatërrimit të Shqipërisë, fuqitë ballkanike qëndruan si spektatore. Duke harruar të kaluarën e vështirë, ne i çuam një telegram Mbretit Zog duke i kërkuar që ai të rezistonte kundër fashizmit italian dhe i shprehëm vullnetin tonë për të qenë në dispozicion të mbrojtjes së atdheut”.

Më pas: “Pas pushtimit të Shqipërisë, ne qëndruam në Paris edhe për disa muaj. Ne patëm asnjë shpresë nga shtete ballkanike, të cilat na zhgënjyen pa masë. Ne apeluam në qeverinë franceze të Daladierit, nëpërmjet mikut tonë Justin Godard, De Monzie dhe Guernut, të gjithë ish-ministra francezë, që Franca të ndihmonte organizatën tonë. Ne donim që të vazhdonim luftën tonë në ekzil. Pata një bisedë të gjatë me shefin e kabinetit të Kryeministrit francez, i cili ishte ngarkuar nga Kryeministri për çdo propozim tonin. Ai na tha se lufta jonë në ekzil nuk ka më asnjë interes për Shqipërinë. Ai na konfirmoi se shqetësimet tona në lidhje me fashizmit ishin më se të drejta. Na tha më tej që të gjejmë momentin për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të nisur rezistencën sa më parë dhe se ata do të kishin një sy nga ne sapo të shpallnin luftë”.
Në vijim të raportimit të tij të 23 shkurtit 1945 Ali Këlcyra i shpjegon oficerit britanik të zbulimit politik: “Edhe ministri i Jashtëm Britanik, Eden, na komunikoi të njëjtën gjë përmes disa miqve tanë anglofilë”.

Cili qe njëri prej të dërguarve të Eden na e konkretizon Hana Klissura. Një gazete shqiptare ajo i ka pohuar: “Pas 7 prillit, babai ishte në dilemë nëse duhet të vazhdonte mërgimin si kundërshtar i fashizmit apo të kthehej në vendlindje. Vendimin e ka marrë pasi kontaktoi me kolonelin britanik Hill (i mbiquajtur mik i Shqipërisë), i cili e këshilloi të kthehej: “E ke luftuar qeverinë mbretërore kaq gjatë dhe nuk ia arrite qëllimit nga jashtë. Rezistenca është e mundur vetëm nëse ajo bëhet nga brenda. Nëse do të kontribuosh për rezistencë ndaj pushtimit, duhet të kthehesh pranë njerëzve të tu”. Me këto fjalë u sqarua dilema e tij për t’u kthyer”.
Gjithashtu në biseda vetiake me të Hana Klissura na ka pohuar se “Koloneli Hill pati influencën më të madhe për kthim në Shqipëri”. Këtë status ajo nuk ia jep qeverisë franceze apo të ndonjë të dërguari të saj.

Sipas Hanës koloneli anglez, i cili kishte punuar pranë Ahmet Zogut dhe pati qenë bashkëpunëtor i tij gjatë viteve tridhjetë, i kishte thënë Ali Këlcyrës se “të njoh prej kaq vjetësh, ke bërë një aktivitet në kohën e mbretit Zog. Madje edhe kundër tij, por mjerisht më duhet të them se pa sulmuar Musolini ai Zog do të rronte edhe 17 vite të tjera. Zoti Klisura, pa këtë që ndodhi nuk do ta rrëzoje dot. Kështu do bësh edhe ti me Italinë? Do të presësh të vijë  një shtet tjetër që ta rrëzojë?
Ti vetë nga jashtë nuk e rrëzon dot Italinë. Në rast se dëshiron ta ndryshosh gjendjen, duhet të hysh brenda në Shqipëri, madje edhe të sakrifikosh jetën.
Çfarë duhet të bësh nuk ta them, sepse nuk e parashikojmë dot”.
Sipas Hana Klissurës pas këtyre fjalëve Ali Këlcyra qe përgjigjur: “Mirë, po shkoj, po hyj”.
“Gjej formën e hyrjes si person privat”, e pati këshilluar Hill.
Pas kësaj bisede, e cila duhet të jetë bërë ende pa dalë muaji prill 1939, Ali Këlcyra shkoi tek ambasadori italian në Paris Raffaele Guariglia dhe i bëri kërkesën për të hyrë në Shqipëri. “Unë nuk mund të them as po dhe as jo, i shpjegoi kryediplomati i ambasadës, por lutjen tuaj do t’ia dërgoj Romës”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë

Aksident i trefishtë në aksin Pogradec- Korcë! Makinat përplasen me njëra-tjetrën, shkak shpejtësia dhe lagështia në rrugë