Dy ditë pas apelit të familjeve të tre viktimave në lagjen 'Cole' në Vlorë të vranë në 2015, ka reaguar Prokuroria e Përgjithshme e cila ka pezulluar nga detyra prokurorin e kësaj çështje në Gjykatën e Lartë Artur Selmani dhe drejtoren e hetimit gjyqësor Alma Muça.
 
Sipas vendimit të pezullimit firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm rezulton se Selmani dhe Muça kanë shkelur ligjin.
 
Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë. Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça, - sqaron Prokuroria e Përgjithshme.
 
Më tej sipas akuzës i vënë në dijeni të këtyre fakteve Prokurori i Përgjithshëm, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit , Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi.
 
Ky hetim sipas prokurorisë bëhet për faktin se ka dyshime të arsyeshme se në marrjen e vendimit për mos kërkuar burgim të përjetshëm sikur kishte ndodhur më parë hetuesit kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit.
artur selmani
Artur Selmani prokurori pezulluar
 
Masakra në Vlorë, gjykata rrëzon prokurorin, lë në fuqi dënimet
Po sot, Gjykata e Lartë ka vendosur që të lerë në fuqi vendimin për dënimin e tre autorëve të vrasjes së 3-fishtë në lagjen 'Cole' në Vlorë në 2015.
 
Gjykata vendosi që të linte në fuqi dënimin për burg të përjetshëm të Aleksandër Llanaj dhe dënimit me nga 35 vite secili për Bertil Aliajn dhe Ani Begajn, por të tre kanë përfituar gjykim të shkurtuar.
 
Kështu Gjykata e Lartë nuk pranoi kërkesën e Prokurorit Artur Selmani. 

Por cfarë ka ndodhur në vitin 2015 në Çole?
Aleksnadër Llanaj, Berti Allia, Ani Begaj ishin tre autorët e dënuar përkatësisht Llanaj burg përjetë, Allia dhe Begaj nga 35 vite burg për vrasjen e tre të rinjve në një lokal në Vlorë.

autoret e vrasjes lagjia cole
Aleksandër Llanaj Ani Begaj Berti Aliaj autoret e vrasjes ne lagjen Cole

Viktima të këtij krimi ishin Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Ishin familjarët e dy viktimave që ngritën alarmin e pafajësisë së autorëve të dyshuar dhe veprimit të prokurorit që çuan në favorizimin e personave që më parë ishin dënuar maksimalisht nga drejtësia.

viktimat lagjia cole vrasje
 Hasan Rakipi Ardi Velaj Albi Limaj Viktimat e ngjarjes ne lagjen Cole

Ngjarja e plotë, çfarë ndodhi me 7 prill në lagjen “1 Maji”, viti 2015
Një vit me parë Gjykata e Vlorës bazuar tek hetimet e prokurorise, ka shpallur fajtor 3 të rinjtë e akuzuar për vrasjen e trefishtë në 7 prill në një lokal të qytetit bregdetar.
Nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve të mbledhura nga Prokuroria ka rezultuar se shtetasit Albi Limaj dhe Ardi Velaj, më dt 07.04.2015, kanë komunikuar me telefon me njëri-tjerin në lidhje me një ngjarje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së njëjtës ditë (që lidhej me shtetasin Xhuljano Maskaj).
 
Fillimisht komunikimi midis tyre ka filluar në orën 12.33 me telefonatën e shtetasit Albi Limaj në drejtim të numrit telefonik të shtetasit Ardi Velaj, më pas komunikimet e tjera vijojnë në orën 13.50 e në vijim.
 
Rreth orës 14:00 të dt 07.04.2015 Ardi Velaj dhe Haki Rakipi janë filmuar duke ecur sëbashku në drejtim të kafe „Ador” ,njëri prej të cilëve është duke pirë cigare.
 
Velaj dhe Rakipi janë futur në njërën nga hyrjet e lokalit (lokali ka dy hyrje)dhe kanë ndaluar në verandë përballë njëri-tjetrit, duke biseduar dhe pirë cigare.
 
Pas rreth dy minutash në hyrjen tjetër janë shfaqur sëbashku Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj.
 
Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit, i pandehuri Alekandër Llanaj, duke ecur në drejtim të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ka goditur me armë zjarri në drejtim të tyre duke goditur fillimisht në drejtim të Ardi Velaj.
 
Si pasojë e goditjes me armë zjarri, Velajt i është shkaktuar një plagë në kokë, në anën e majtë dhe se pistoleta që ishte pranë shtetasit Ardi Velaj nuk ka realizuar asnjë qitje.
Llanaj ka goditur më pas shtetasit Haki Rakipi, fillimisht në gjoks dhe pastaj në pjesën e djathtë të kokës.
 
Nga automjeti tip BMV me targa AA 323 AO, ka dalë i pandehuri Bertil Aliaj, i cili pasi është futur në anën e lokalit ku ndodhej ende i gjallë shtetasi Albi Limaj duke konstatuar plagosjen e tij.
 
Shtetasi Albi Limaj ka dalë nga lokali nga e njëjta hyrje që edhe është futur në verandën e tij, ndërsa i pandehuri Aleksandër Llanaj, ka dalë nga pjesa tjetër e lokalit nga ku ishin futur dhe qëndronin në verandë të shtrirë në tokë kufomat e shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
 
Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin BMV X5, me targa AA 323 AO që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit.
Më pas, i pandehuri Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Aliaj me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën e luftarake që i pandehuri Aleksandër Llanaj ka bërë goditjet.
 
Më pas, i pandehuri Bertil Alliaj dhe i pandehuri Ani Begaj pasi nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet edhe të shtetasit Albi Limaj për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, i pandehuri Bertil Aliaj është larguar me vrap.
 
Gjatë largimit të tij, Alliaj është parë me dy armë dhe rezulton nga akti i ekspertimit kimik se ai ka faktor plotësues të qitjes në dorë.
 
Alliaj është larguar midis pallateve, i pandehuri Ani Begaj ka dërguar në spital të pandehurin Aleksandër Llanaj për shkak se ky i fundit rezultonte i plagosur.
 
“Fillimisht nga vendi i ngjarjes është larguar kufoma e shtetasit Albi Limaj. Nga kqyrja e kufomës rezulton se në trupin e viktimës vihet re një goditje me armë që i ka shkaktuar vdekjen dhe se gjatë kqyrjes i është gjetur një predhë.
 
Sipas aktit të ekspertimit balistik, rezulton se predha që i është gjetur shtetasit Albi Limaj është qitur nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj, ndërkohë që ky ishte spostuar në drejtim të hyrjes tjetër për në verandën e lokalit ku ndodheshin shtetasit Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Si pasojë e goditjeve me armë të të pandehurit Aleksandër Llanaj ka gjetur vdekjen shtetasi Albi Limaj.”
 
Nga sa më sipër, rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer vrasjen me dashje me armë luftarake të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, veprime këto të cilat i ka kryer në bashkëpunim me shtetasit Ani Begaj, Bertil Alliaj dhe të ndjerin Albi Limaj (i cili ka organizuar edhe takimin).
 
Prokuroria thitë se “në lidhje me vrasjen e të ndjerit Albi Limaj, i pandehuri Aleksandër Llanaj duke e ekspozuar këtë të fundit me dashje ndaj goditjeve me armë të realizuara prej tij i ka shkaktuar atij vdekjen”.
 
Përfundimisht, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë çmon se i pandehuri Aleksandër Llanaj ka kryer veprën penale të „Vrasjes në rrethana cilësuese” të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj të kryer në bashkëpunim.

dy.b/shqiptarja.com