Pusteci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik me një aktivitet festiv që mblodhi banorë, turistë vendas dhe të huaj, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale. Autoritetet vendore shprehen optimiste për një sezon të suksesshëm, duke parashikuar një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve krahasuar me vitet e kaluara.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit deklaroi se promovimi i vazhdueshëm i potencialeve turistike të zonës së Prespës po jep rezultate konkrete, ndërsa kërkesa për vizita në atraksionet kryesore turistike është rritur ndjeshëm.
“Ne jemi plot shpresë që ky sezon do të jetë i sukessshëm. Është fryt i punës jo vetëm i Bashkisë por edhe operatorëve të tjerë. Kemi rritje të kapaciteteve akomoduese me cilësi të mirë të ofrimit të shërbimit. Prenotimet vijnë nga Franca. Turistët francezë ndihmojnë edhe fshatarët për punët e tyre që bëjnë. Ka turistë gjermanë, polakë etj. Atraksionet kryesore janë kishat bizantine. Këtu gjenden 4 kulla të kohës otomane, dhe do t’i bëjmë të aksesueshme për vizitorët” tha Pali Kolevski
Në kuadër të përmirësimit të ofertës turistike, Bashkia e Pustecit, në bashkëfinancim me Qarkun e Korçës, po punon për sigurimin e një varke turistike me kapacitet mbi 20 vende, e cila do të përmbushë të gjitha standardet për transportin e vizitorëve në liqenin e Prespës.
Sipas autoriteteve lokale, numri i turistëve të huaj është rritur ndjeshëm, me një interes të veçantë nga turistët francezë, belgë dhe vende të tjera europiane.
Përveç natyrës së veçantë të liqenit dhe maleve përreth, Prespa ofron një pasuri të madhe historike dhe kulturore. Kishat bizantine, kullat otomane dhe monumente të tjera përbëjnë atraksione me potencial të lartë turistik. Bashkia synon që gjatë këtij viti t’i bëjë këto objekte më të aksesueshme për vizitorët.
Përveç kësaj çelja e hapjes së sezonit promovoi gjithashtu traditat dhe gastronominë karakteristike të zonës. Banorët prezantuan gatime tradicionale si byreku, dromeniku dhe petullat, ndërsa vëmendje të veçantë morën specialitetet me peshk të liqenit të Prespës, si krapi dhe tironat.
“Gatimet e peshkujt janë tradicionale. Më shumë preferohet tava e peshkut, cironkat por edhe mishi. Kërkesa është në rritje. Klientët janë në rritje nga Europa, Amerika, Azia etj” tha një prej tyre.
“ Ne kemi shumë gatime tradicionale si lakrori, petaniku, dredhaniku, petullat, byrek, cironka, ëmbëlsira e shumë gatime të tjera të pëlqyera shumë nga turistët ” tha një tjetër.
Edhe turistët e huaj të pranishëm në aktivitet vlerësuan bukuritë natyrore të Prespës, qetësinë e zonës dhe autenticitetin e jetës lokale. Një vizitor nga SHBA u shpreh i impresionuar nga natyra dhe gastronomia vendase, ndërsa një turiste nga Belgjika tha se kishte zgjedhur Prespën pikërisht për të përjetuar kulturën autentike larg destinacioneve të mbipopulluara turistike.
“Po vizitoj familjen e bashkëshortes sime dhe është hera e parë që vij këtu. Ajo që bie në sy është thjesht natyra. Më pëlqen liqeni, më pëlqejnë malet. Të gjithë janë të sjellshëm në fshat. Po kaloj shumë bukur. E kam provuar ushqimin. Është shumë ndryshe nga SHBA-ja. Po, është shumë, shumë më i mirë. Provuam mish qengji sot. Ai ishte i preferuari im deri tani” tha një turist.
“Unë vij nga Belgjika. Jam këtu me bashkëshortin tim. Kemi tre javë që po udhëtojmë në Shqipërinë e Veriut. Kemi bërë hiking në male, po zbulojmë disa fshatra dhe tani mbërritëm këtu në fshat dhe shohim që ka një festival të madh, kështu që do të dëshironha ta shihja sepse më pëlqejnë vallet dhe gjërat tradicionale. Jam e lumtur që ndodhemi këtu. Më pëlqen të shoh veshjet tradicionale dhe se si njerëzit mbajnë këpucët e tyre, ato gjërat që kanë në flokë dhe të gjitha këto. Më pëlqen shumë ta shoh këtë. Ne kemi bërë hiking për 5 ditë në male, mes Kukësit dhe Peshkopisë. Ishte vërtet shumë bukur, u ngjitëm edhe në Malin e Korabit. Më pëlqejnë shumë malet dhe liqenet. Më pëlqen të notoj në liqen, sepse edhe sot në mbrëmje do të shkoj të notoj përsëri në liqenin e Prespës. Sonte do të flemë këtu dhe pastaj nesër do të shkojmë më shumë drejt Jugut të Shqipërisë. Por unë preferoj të shkoj në vende që nuk janë shumë të mbingarkuara me njerëz, sepse më pëlqen të shoh më shumë jetën lokale, i preferoj këto gjëra dhe jo ato plazhet ku ka shumë dyndje dhe ku nuk mund ta shohësh më jetën autentike” tha turistja.
Me natyrën e paprekur, trashëgiminë kulturore dhe kulinarinë tradicionale, Prespa synon të forcojë pozitat e saj si një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit natyror dhe kulturor në Shqipëri.
Komente






