RUSI- Dhoma e lartë e parlamentit rus ratifikoi sot traktatet për të aneksuar katër rajone ukrainase, pas referendumeve të orkestruara nga Kremlini. Pavarësisht se Kievi dhe Perëndimi i kanë cilësuar si të rreme dhe SHBA ka thelluar sanksionet, duket se Putin ka ‘shpërfillur’ të gjitha paralajmërimet evropiane.
Këshilli i Federatës votoi me shpejtësi dhe njëzëri për të miratuar traktatet sipas së cilave Donetsku, Luhansku, Khersoni dhe Zaporizhia bashkohen me Rusinë. Votimi vjen një ditë pasi dhoma e ulët, Duma bëri të njëjtën gjë.
Të premten e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi traktatet për aneksimin e këtyre rajoneve, përbëjnë 18 për qind të territorit të Ukrainës.
Rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut në Ukrainën lindore, janë mbështetur nga Moska që në vitin 2014 kur ato u vetë-shpallën të pavarura, disa javë pas aneksimit nga Rusia të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës. Pavarësisht miratimit të aneksimit në parlamentin rus, Kremlini ende nuk ka përcaktuar zyrtarisht kufijtë e rajoneve të reja - pjesë të mëdha të të cilave janë ende nën kontrollin e forcave të Ukrainës.
Rrjedhimisht është ende e paqartë se ku do t’i caktojë Rusia kufijtë e saj ndërkombëtarë pasi të përfundojë aneksimi.
Komente










