Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Beograd, ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për Serbinë. Putin është ftuar në paradën e parë ushtarake të Serbisë në rreth 30 vjet, e cila zhvillohet me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Beogradit nga forcat naziste.

Në aeroportin “Nikola Tesla” të kryeqytetit serb, Putin është pritur nga presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ministri i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç, dhe ambasadori i Serbisë në Rusi, Sllavenko Terziç.

putin

Në konferencën e përbashkët për gazetarë me Nikolliç, Putini ka thënë se Rusia ka mbështetur Serbinë dhe do të vazhdojë ta mbështesë, se Rusia nuk bën tregti me miqësinë dhe se lidhjet ekonomike midis dy vendeve kanë tendencë të rriten.

Ai, po ashtu, ka përmendur edhe Kosovën, pavarësinë e së cilës e kundërshtojnë si Serbia, ashtu edhe Rusia.

 “Qëndrimi i Rusisë në lidhje me çështjen e Kosovës është çështje parimi. Ai nuk bazohet vetëm në miqësinë tonë dhe lidhjet tona të afërta, por edhe në të drejtën ndërkombëtare po ashtu. Është qëndrim parimor dhe nuk mund të ndryshojë”, ka thënë Putin.

Duke iu referuar kësaj çështjeje, presidenti i Serbisë, Nikolliq, është përgjigjur:  “Ne sot vlerësojmë mbështetjen tuaj në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, sidomos në lidhje me Kosovën”.

putin

Nga Pallati i Serbisë, Nikoliç tha se Serbia do të vazhdojë të ruajë marrëdhëniet miqësore me Federatën Ruse.

 “Serbia e sheh Rusinë si aleat të madh dhe partner. Serbia nuk do të bëjë kompromis me parimet e saj. Ne po ashtu nuk kemi zgjedhje tjetër, nuk mund të bëjmë ndryshe. Bashkëpunimi ynë ekonomik përcjell partneritetin tonë”, ka thënë Nikolliç.

 

Redaksia Online
(g.f/ Shqiptarja.com)