Vladimir Putin zbriti në Pekin vonë mbrëmjen e së martës në vizitën e tij të 25 në Kinë. Në aeroport iu rezervua një pritje nga një delegacion kinez që kryesohej nga Ministri i Jashtëm kinez, ndërsa u zhvillua edhe një ceremoni e shkurtër mirëseardhjeje.
Këtë të mërkurë ai iu drejtua sheshit Tiananmen ku u prit nga Presidenti kinez. Udhëheqësit rus iu rezervua ceremonia zyrtare e mirëseardhjes. Për mbërritjen e delegacionit nga Moksa, në shesh u vendosën flamujt kombëtarë të Rusisë dhe Kinës, një gardë nderi u rreshtua përpara tyre së bashku me orkestrën. Fëmijë me flamujt e dy vendeve dhe me lule ishin gjithashtu pjesë e pritjes ceremoniale të udhëheqësve.
Liderët iu drejtuan godinës qeveritare për takimin e nivelit të lartë në sallën e madhe të popullit. Në mesazhet e tyre të hapura ata vlerësuan marrëdhëniet shtetërore besnike dhe miqësinë e tyre të gjatë.
“Me sa dimë, në Kinë thuhet: Nuk jemi parë vetëm për një ditë, por duket sikur kanë kaluar tre vjeshta radhazi”, tha Putin.
“Falë besnikërisë së palëkundur dhe guximit të treguar në kohë të vështira, Kina dhe Rusia kanë arritur të ndërtojnë një nivel kaq të lartë në marrëdhëniet e tyre”, theksoi Xi Jinping.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura liderët dhanë disa mesazhe sidomos për konfliktet e armatosura në Iran dhe Ukrainë.
Presidenti kinez Xi Jinping e ka cilësuar si “urgjente” një “ndërprerje të plotë të armiqësive” në Lindjen e Mesme, duke e quajtur “të papranueshme një rifillim të konfliktit”.
Gjatë takimit në Pekin me presidentin rus Vladimir Putin, udhëheqësi kinez theksoi se është “veçanërisht e rëndësishme të angazhohemi në negociata”, sipas asaj që raportoi China Central Television. Të dy u cituan nga mediat të kenë thënë se lufta e SHBA dhe Izraelit ka shkelur ligjet dhe të drejtat ndërkombëtare.
Në një deklaratë të përbashkë të shpërndarë nga Kremlini pas takimit, Kina dhe Rusia mbështesin zgjidhjen e “çështjes” së Ukrainës “përmes dialogut” dhe “vlerësojnë pozitivisht qëndrimin e paanshëm” të Pekinit.
“Palët janë të bindura për domosdoshmërinë e trajtimit të plotë të shkaqeve rrënjësore të krizës ukrainase, duke u bazuar në respektimin e parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara në tërësinë, plotësinë dhe ndërlidhjen e tyre, me qëllim garantimin e sigurisë reciproke dhe vendosjen e bazave për një paqe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Presidentët e Kinës dhe Rusisë, ranë dakord të zgjasin “Traktatin e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit miqësor” mes dy vendeve.
Komente











