TIRANË- Shqipëria ka dënuar vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për njohjen e dy rajoneve separatiste në Ukrainën Lindore.
E para që reagoi mbi njohjen e dy rajoneve separatiste nga Rusia ishte ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e cila shkruan se kjo është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe cenim i integritetit territorial të Ukrainës.
Të njëjtin reagim ka pasur edhe presidenti i vendit Ilir Meta, i cili shkruan se kjo njohje cenon integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës.
Një reagim ka patur edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili thotë se ky vendim është shkelje e sovranitetit ukrainas.
Meta, Xhaçka dhe Peleshi theksojnë se Shqipëria është në krah të Ukrainës.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ndërkombëtareve, ku BE dhe Britania e Madhe paralajmëruan presidentin rus se do të marrin sanksione.
Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në Ukrainën lindore, Donetsk dhe Luhansk, një veprim që do të rrisë tensionet me Perëndimin mes frikës se Kremlini mund të nisë një pushtim të afërt të Ukrainës.
Në një fjalim nga Moska, Putin iu drejtua popullit rus ku tha se ka nënshkruar dokumentet dhe ka kërkuar nga parlamenti rus të ratifikojë vendimin sa më shpejt të jetë e mundur.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar pasi presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi dekretin për njohjen e dy rajoneve separatise në pjesën lindore të Ukrainës.
“Njohja e rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, nga ana e Putin, dhe njëherë konfirmoi qartazi skenarin rus për dhunimin e të drejtës ndërkombëtare dhe shkeljen e sovranitetit ukrainas. Kjo lëvizje ogurzezë do sjellë më shumë paqartësi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Ukrainë, por dhe në tërë kontinentin europian. Ne do qëndrojmë të palëkundur në mbështetjen ndaj partnerëve tanë ukrainas, ndërkohë që Aleanca e NATO-s është më e bashkuar se kurrë”, shkruan Peleshi.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi Vladimir Putin njohu rajonet separatiste në Ukrainën Lindore.
“Dënoj njohjen nga Rusia të pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës Lindore të Donetskut dhe Luhanskut. Ky akt unilateral është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut, si dhe minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës! Shqipëria qëndron e bashkuar me partnerët dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës”, shkruan Meta.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka dënuar veprimin e presidentit rus, Vladimir Putin për njohjen e dy rajoneve separatiste në Ukrainën Lindore.
“Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i intregriteti territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, shkruan Xhaçka.