Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në arkipelagun e ishujve Kuril, për të cilin Rusia dhe Japonia kanë një mosmarrëveshje prej dekadash.
Japonia pretendon sovranitet mbi të paktën katër prej ishujve. Sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve, Putin “vizitoi personalisht Ishujt Kuril për herë të parë”, ku inspektoi Varyag, kryqëzorin e klasit Slava dhe anijen kryesore të Flotës Ruse të Paqësorit.
Pas vizitës në Juzhno-Sakhalinsk, në ishullin Sakhalin, presidenti rus shkoi në Iturup, një tjetër ishull i arkipelagut, ku vizitoi një fabrikë përpunimi peshku. Vizita ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Tokio, e cila e kundërshton sovranitetin rus mbi ishujt.
Kryeministrja Sanae Takaichi, e ka kritikuar vizitën e Putin, duke e quajtur "absolutisht të papranueshme".
Udhëtimi i Putinit "ka përkeqësuar gjërat", u tha Takaichi gazetarëve, duke theksuar qëndrimin se zinxhiri i ishujve ishte "një territor unik i [Japonisë] historikisht dhe sipas ligjit ndërkombëtar".
Ishujt Kuril janë një zonë strategjike për Rusinë, e cila ka rritur praninë e saj ushtarake në ishuj gjatë dekadës së fundit. Ishulli Iturup përdoret si baza e saj kryesore ajrore ushtarake në rajon.
Muajin e kaluar, anije luftarake kineze dhe ruse lundruan nëpër një ngushticë në ishujt Kuril gjatë një patrullimi të përbashkët. Rusia gjithashtu mban stërvitje të rregullta ushtarake pranë ishujve, duke marrë dënimin nga Japonia.










Komente
Komento