Serbia ka siguruar furnizimin me gaz rus edhe për tre muaj të tjerë me çmime shumë më të ulëta se tregu europian, pas një marrëveshjeje të arritur mes presidentit serb Vuçiç dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.
Marrëveshja u konfirmua nga vetë Vuçiç, i cili tha se gjatë bisedës me Putin janë diskutuar të gjitha çështjet kryesore, por theksi kryesor ishte te zgjatja e kontratës së gazit.
“Morëm një zgjatje edhe për tre muaj me kushte shumë të favorshme,” u shpreh ai.
Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të furnizohet me rreth 6 milionë metra kub gaz në ditë, me fleksibilitet për të marrë më shumë në rast nevoje, sidomos në periudha të ftohta apo situata emergjente.
Çmimi do të përcaktohet sipas formulës së lidhur me naftën, çka e mban atë shumë më të ulët se tregu ndërkombëtar.
Vuçiç dha edhe shifra konkrete: ndërsa çmimi në bursë është rreth 645 dollarë për 1 mijë metra kub, Serbia paguan mesatarisht 320–330 dollarë.
Kjo, sipas tij, e rendit vendin ndër më të favorizuarit në Europë për çmimin e gazit, menjëherë pas Bjellorusisë.
Serbia ka filluar të ulë varësinë nga gazi i Moskës që nga pushtimi rus i Ukrainës, por ende më shumë se 80 % e nevojave për këtë i mbulon nga Rusia.
Serbia tashmë blen gaz edhe nga Azerbajxhani, përmes Bullgarisë, ndërsa ndërtimi i gazsjellësit drejt Maqedonisë së Veriut, që do të mundësonte qasje në gaz natyror të lëngshëm nga Greqia, pritet të nisë këtë vit.
Bashkimi Evropian nga ana tjetër po përpiqet të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë nga energjia që i përdor për luftën në Ukrainë dhe planifikon që deri më 1 janar 2028 të ndalojë plotësisht importin e naftës dhe gazit rus.
Komente











