Për Tiranën, kryeqytet 100-vjeçar dhe vendbanim shumëshekullor

Për Tiranën, kryeqytet 100-vjeçar dhe vendbanim shumëshekullor

Tirana, trualli prej ku hapi krahët për të nisur fluturimin historik kryeqendra e shtetit shqiptar, mbush 100 vjet. Në historinë e popullit tonë Kongresi i Lushnjës përbën një nga ngjarjet më të mëdha, të përmasave si ajo e shpalljes së pavarësisë. Sa më shumë kohë kalon aq më tepër spikat madhështia e ngjarjes, e pjesëmarrëve dhe vendimeve të marra. Atdhetarët shqiptarë kishin dieni mbi Traktatin e Londrës, i quajtur më pas “i fshehti”, por vetë armiku ua kish zbuluar qëllimet. Vëndi ndodhej në pragun e copëtimit përfundimtar. Komanda e ushtrisë italiane në Durrës as e njohu dhe as nuk e lejoi qeverinë e dalë nga ky kongres të vendosej në kryeqytet, në Durrës. Në këto rrethana, për veprimtarinë e qeverisë u panë tërë versionet si mundësi, Shkodra, Vlora, madje dikush përmendi dhe Kavajën, por përfundimisht krerët, në 8 shkurt 1920, vendosën që të shkojnë në Tiranë, ku një banesë e përshtatshme, shtëpia e Zija bej Toptanit, u afrua si seli për t’u vendosur qeveria. Dhe u nisën për të mbërritur në 11 shkurt, duke u lartësuar këta burra kështu në lavdinë e përjetshme të kombit.

 Mbi Tiranën, rritjen dhe zhvillimin e saj, kanë shkruar plot historianë e studiues. Tirana si vëndbanim i përket jo mesjetës së vonë, siç rëndom gjendet e shkruar, por kohërave shumë më të lashta. Sa do radhitet më poshtë, nuk provon asgjë dhe as merr përsipër të provojë, por ka mjaftueshëm argumentet për të dalë nga realiteti i zakonshëm, i mumifikuar, dhe të lejon të hysh në një realitet të paeksploruar.

***

Tërsi rrethanash si sprovë historike për lindjen e vëndbanimit

 Në krahun verior të ish selisë së qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, shtëpia e Zija Toptanit, sot Akademia e Shkencave, gjatë disa punimeve rrugore bri mureve rrethues, që i quajmë “Kalaja e Tiranës”, dolën trakte rrënojash. Atë kohë u shtrua pyetja: kujt periudhe i përkasin, mesjetës së vonë apo janë rrënoja të kulturës romake?

Këto gërmadha të pjesëshme, me mbartje vlerash historike, si të paktat objekte që mund të hidhnin më tej dritë në lindjen e një vendbanimi, u lanë në “fatin” e tyre. Gjithsesi, traktet e zbuluara u vunë nën mbrojtje. “Të pjesëshme”, sepse shtrirjet e përfytyruara të objektit nën dhè nuk ka mundësi të ndiqen, ngase mbi to ngrihen godinat e parlamentit dhe akademisë. Nuk u bë ndonjë përçapje për t’u dhënë qytetarëve të interesuar një plan të mundësisë së shtrirjes të ndërtimit të vjetër. E megjithatë, pa ngulmuar përafrimin te analiza, por te të ngelurit mes studimit të krahasuar dhe hamendjes hipotetike, po shtjelloj disa pikëpamje.

A janë rrënojat një Castrum romak?

Nuk pati ndonjë botim studimor mbi origjinën, lashtësinë e tyre dhe funksionin e ndërtimit të rrënojave në Tiranë, një objekt ky me burim të pasur lëndor. Në atë periudhë u tha pak a shumë se ndërtimi nuk mund të ishte i periudhës romake, sepse: romakët kanë ndërtuar me tullë të gjerë e jo me gur të latuar; Oktaviani dhe Diokleciani nuk kanë bërë ndërtime në Iliri, e të tjera argumente.

Fragment i rrenojave të lashta në Tiranë

Si kushdo që mund të shfletojë çfardolloj encilkopedie mbi inxhinierinë, provova dhe gjeta, që romakët kanë ndërtuar me gur të punuar, me tullë dhe me dru.

Pa patur aspak ndërmend të hyj e të merrem me kundërshtimin e tyre, po sjell këndvështrimin mbi rrënojat e zbuluara pak vite më parë: a janë mbetjet e themelive të një Castrum-i romak? Nga shfaqja e disa fragmenteve është plotësisht e mundshme të përfytyrosh shtrirjen e gjurmëve të një katërkëndshi të modelit ngjashëm me të castrum-it romak. Në këtë synim vetiu më çon studimi i planit të hapjes se atyre pak rrënojave të zbuluara, që ndonëse përbëjnë një fragment, mbase shumë më pak se një e katërta e planimetrisë së mundëshme, por që tregojnë shumë. Mjafton t’u bësh atyre krahasimin me simotrat europiane.

Krahas rrënojave shfaqet ndërtimi ekzistues, me pjesën e sipërme të mesjetës së vonë, mure që vazhdojnë në linja drejtvizore, ku hamendësohet se janë përdorur themele më të vjetra, por duken edhe themele që administratorët otomanë nuk i përdorën në ndërtimet e mëpasme. Ato mund të jenë pjesë e rrënojave të ish castrum-i. Në thellësi të gërmimit vrehen elementë të sistemit të kanalizimeve e të drenazhimit, tipare këto të artit ndërtimor roman.

Kronikanët shkruajnë se deri nga mesi i shek. II-të para erës së re, romakët nuk linin roje legjionarësh në territoret e pushtuara. Ata mjaftoheshin me vendosjen e taksave. Atëbotë, Roma - sipas historianit Grimberg - besonte se administrimi i territoreve të përtejdetit ishte një vështirësi e papërballueshme. Me mbarimin e luftës për zotërimin e Mesdheut, me ngritjen administrative të sistemit të provincave, bazat e pushtetit ishin hedhur.

Rrënoja të kullës të këndit verior

Forma më e dukshme e pushtetit romak, shprehej në ndërtimin e rrugëve ushtarako-tregtare. Nga lindja vinin drejt Romës skllevër, drithëra, stofra të çmuara, mëndafshi, vera e metalet. Roma, qytet i një milion konsumatorve, këto rrugë duhej t’i ruante nga grabitësit e shkelësit e ligjit. Rruga i shërbente Romës për të mbrojtur të nënshtruarit dhe të nënshtronte të pabindurit. Të gjitha degët e rrugëve lindore, që përfundonin në Dyrrah, Apoloni, Skodrinon, Buthrot dhe Aulona, mbroheshin në thellësi nga legjione romake. Pikërisht, për këto njësi të famshme ushtarake ngriheshin Castrum-et.

Castro-t klasike romake kishin formën e një katërkëndëshi me madhësi 16 deri 20 hektarë. Sipas lëndëve natyrore që ndodheshin përreth, ishte dhe përbërja e ndërtimit. Diku me bandiera druri, siç ishin castrum-et në territoret gjermanike e danubiane, diku me tulla e diku me gurë. Në dy apo katër qoshet e Castrum-it, ndodheshin kullat, të cilat më dendur hasen në formën si është kulla rrethore në rrënojat e Tiranës. Është pikërisht kjo kullë, me formën e madhësinë e saj, që përforcon qendrimin e zanafillës romake dhe lehtëson njohjen e origjinës.

Në periudhën bizantine, arti ushtarak i fortifikimeve thotë se kullat ndërtoheshim pesëkëndore. Me zbulimin e armëve të fuqishme të zjarrit, bombardat, spingardat e topat, kullat këndore - thonë ata - e humbën rendësinë e tyre dhe dolën jashtë funksionit. Muret rrethuese të rrënojave të Tiranës, me trashësi tre metra, janë ndërtim që i përkisnin artit ushtarak të periudhës të armëve të ftohta, si shpata, baheja, topuzi, ushta dhe harku me shigjeta. Këto kështjella të përhershme legjionesh rrjedhin si strukturë nga kampet e ndërtuara, ose gjatë fushatave ushtarake, ose ato të pushtetit të sundimit dhe të administrimit. Mbishtresat osmane janë lehtësisht të dallueshme tek muri ekzistues, për shkak të tipareve të ndryshme të madhësisë së gurit dhe qenjes së tij në gjendje të papërpunuar.

Castrum-et romake, përpos legjonit, u mbushën me kolonë të profesioneve që i shërbenin ushtrisë, mbetjet e të cilëve besohet sot nga disa studiues se janë vllehët. Ato zotëronin statusin e qytezave socialo-ushtarake.

Me bindjen, nëse do vazhdonin gërmimet, do ndiqnim linjat drejtvizore poshtë shtresës gjysëmmetroshe të dheut që mbulon rrënojat, shpreh idenë se do dilte nga rrënojat e Tiranës një model Castrum. Në shërbesë të kësaj bindjeje është vendosur si ilustrim edhe grafika shoqëruese e konfigurimit të atyre mbetjeve që sheh syri dhe që flet në plotësim të këtij mendimi.

           

Plan rilevimi i rrënojave te rruga këmbësore Murat Toptani

Edhe pse jo i plotë, ashtu si miza në qelibar, ka ardhur i ruajtur për kryeqytetin tonë, trakti i rrënjëve të një Castrum-i. Besoj, se lindjen e Tiranës si vëndbanim. ia detyrojmë castros romake.

A mund të jenë rrënjët e Tiranës të ndërthurrura me Mansio-t dhe Mutatio-t?

Ashtu si castrum-i romak edhe bujtinat e stacionet postare vlejnë të merren në vlerësim si mundësi e zhvillimit të vendbanimit të lindur. Qendrat e banuara, në periudhën e Perandorisë Romake, kanë si bazë të tyre të zhvillimit tre elementë të rendësishëm qytetërimi: castrumin, që është kështjella e legjionit; mansiones, bujtinë për udhëtarët;  mutatio-t, stacione postare dhe vend ku ushqeheshin dhe këmbeheshin kuajt. Në rrugët romake mansiones ishin në të njëjtën distancë nga njëri-tjetri, mesatarisht 15 milje, duke u imituar ato të perandorisë persiane.

Mansiot ishin nën mbikëqyrje të një oficeri të quajtur mansionarius, por ato nuk kishin për qëllim të strehonin legjionet. Ishin castrum-et ato që ishin në gjendje për të bërë strehimin dhe sigurimin e tyre. Për të plotësuar nevojat e përgjithëshme të udhëtarëve, lindën dhe u përhapën forma të tjera të natyrës vetjake, që ishin mutatiot.  Ato u shërbenin udhëtarëve, një lloj i shërbimit publik iformuar si një rrjet privat përgjatë rrugëve romake, që më shpesh dalin në afërsi të mansioneve. Edhe pse kanë një funksion të ngjashëm, vlerësimi i tyre ishte më pak se mansiones.

Mutatiot, jetuan gjatë sepse u ishte besuar edhe shërbimi i postës, me mundësinë e ndërrimit të kuajve për korierët. Posta me lajmëtarët, me karrot dhe stacionet mutatio, me udhëtarët dhe letrat, u bënë në vite pjesë përbërëse e funksionimit të Perandorisë Romake dhe përhapëse të qytetërimit. Falë tyre, shpejtësia e dërgimit ose marrjes së lajmit arrin në 320 km. në 24 orë. Nga gjurmët e mansioneve e mutatiot e lashta, tek ne kanë mbërritur emërtimet e shumë vëndbanimeve të ditëve tona. Këtu ndodheshin shërbimet e ngrohjes dhe ushqimit, farkëtarët dhe mjekët për kujdesin për kuajt, për udhëtarët e për korierët postarë.

Në mënyrë të natyrshme, zonës që përfshinte fushën e Tiranës, duhet t’i merret e mirëqenë prania e mansios dhe mutatios. Përpos rruqës Egnatia që nisej nga Durrësi drejt maleve lindore, Kandavia, e përfundonte në Bizant, kjo portë hyrëse e Perandorisë Romake kish nevojë edhe për rrugë me drejtime të tjera Veri-Jug. Tre prej tyre njihen nga harta e Tabula Peuntiger, harta e Itinerari Antonini Augusti dhe ai Burdigalense, ku jepen distancat nga Durrësi në Kostandinopojë; nga Durrësi në Salonë; nga Durrësi në Actia Nikopoli.

Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje në lindje të Durrësit, aq sa ishin distancat standarte të stacioneve rrugore, ndodhet fatmirësisht sot një qendër banimi me emrin e lashtë, Manzë. Emëri tregon se është pasardhësja e një mansoni, të parit nga Dyrrahu, që ngrihej e shërbente në rrugën drejt Albanopolit, ngjitjes në fushën e Tiranës së Vogël-drejt Skodrinon dhe fushës së Tiranës së Madhe-drejt Tyrkan. Afërsisht, pesëmbëdhjetë milje nga Manza ndodhet Tirana, me shumë gjasa, vëndi ku ngrihej një tjetër manson dhe ku një tjetër mutatio afronte ndërrimin e kuajve për lajmëtarët e lashtësisë. Mansoni “Tyran” nuk është fundi i rrugës, por veçse një stacion i ndërmjetëm. Rruga vazhdon drejt qytetit të Parthinëve-Persqopit ose fortesës së Skuterrës. Një fragment i kësaj rruge ishte i dukshëm 45 vjet më parë afër fshatit Fikas, në bregun e djathtë të lumit Erzen (Argenti i lashtësisë).

Shumë nga qytetet tona lindën prej castrum-eve romake?

Nga rrjeti rrugor romak shihet të kenë lindur një mori vëndbanimesh, që vijojnë të gjallojnë ende në Shqipërinë e sotme.  Pyetja kryesisht shtrohet si mundësi për vendbanimet jo në vijën bregdetare, por në brëndësi të tokave ilire. Një e tillë është edhe Tirana.

Me mbartjet e lashta latine në shqiptim, shqipja është e aftë si gjuhë të vërtetojë më shumë se çdo fushë tjetër praninë e pandërprerë të shqiptarëve në këto troje. Për rrjedhë të marrëdhënjeve gjashtë shekullore me romanët, jemi populli që qendrën e banuar, qytetin, dhe banorët e saj, qytetarët, i quajmë idem si dhe latinët: civit-us (qytet - shqiptohet sipas ligjësive të zhvillimit fonetik të shqipes), si dhe italianët, anglezët, spanjollët dhe portugezët.

Ky shpjegim i vlen një tjetër argumenti më të vlefshëm për synimin, atë të lindjes së qytetërimit romak në gadishullin Ilirik. Të gjithë historianët e epokës romake, janë në një mendje kur thonë se, si rregull, Castrum-et e lashtë romakë evoluuan si koloni romake me kalimin e kohës, për t’u bërë qendra të banuara dhe qytete. “Nuk ka vend, sado i humbur qoftë – shkruante nga Dyrrah Ciceroni – ku të mos depërtojë arbitrariteti dhe shtypja e Romës”. Muret për rreth castrum-t u populluan me veprimtarë tregtie e shërbimi, si karpentierë, këpucarë, bojaxhinj, poçarë, endës, furrëtarë e kasapë. Torino, Komo, Pavia, Breshia, Bolonja, Firence, Strasburgu, Zyrihu, Viena, Këlni, Budapesti, janë ish castrum-e romake. Të gjitha vëndbanimet angleze që kanë prapa shtesën Chester, janë ish castrum-e romake. Në Ballkan: Beogradi, Ljubjana, Sofia, Edreneja, Nishi. Në Shqipëri, të gjithë emrat e vëndeve me prapashtesën kastër, si Gjinokastër, Mallakastër, Palokastër, Kastrat, janë mbetje të emërtimeve të castro-ve të të shkuarës, një kohe kur ende shqiptimi i arbërorëve nuk e kishte shndërruar në formën “kështjellë”. “Rreth kampit - thotë historiani Karl Grimberg - lindëte një fshat ose një qytet, ku vendoseshin tregtarë e artizanë”. Rreth mureve të asaj që tani (prej turqishtes) quhet Kalaja, është rritur dhe zhvilluar fillimisht edhe kryeqyteti ynë. Kampet dhe fortesat romake u bënë qendra të rendësishme të kulturës dhe zhvillimit civil. Roli i tyre për civilizimin e popullatave përfundoi me dyndjet gote, ostrogote, avare e sllave, pas të cilave filloi errësira dhe obskurantizmi mesjetar, por gjurmët nuk ja shleu dot. Te shëmbëlltyra jonë, ne shqiptarëve na shihet edhe Imperum Romanum.

Inxhinieria e famshëme romake, pas një ndërtimi castrum, kujdesej për dy elementët bazë të rregullimit të jetës: rrjetin rrugor dhe rrjetin e ujësjellsit për në castrum. Romakët ndërtuan në Iliri një rrjet rrugor të gjerë, i cili, me pak ndryshime, përshkon edhe sot gjurmët e të kaluarës. Gadishulli Ilirik, pasi u nda në provincat e Epirit, Ilirisë, Maqedonisë, Trakës dhe Mezisë, u administrua nga guvernatorë romakë. “Ata ndërtuan - thotë historiani Georges Castellan - një rrjet rrugor që depërtoi thellë në kaosin ballkanik”. Rruga Egnatia ishte më e njohura. Të gjitha u paisën me kalldrëmin për kalimin e karrove, katër kalorësve sup më sup, në të cilat udhëtonin ushtarakë, administratorë, tregtarë me prodhime, artistë. Kolonitë e vendosura gjatë boshteve u bënë prejardhje e qyteteve Adrianopolis, Serdika, Naisus, Singidunum. Porta e hyrjes në Ballkan ishte Durrësi”. “Çdo përrua, çdo lumë - thotë historiani Faverial - kishte një urë të fortë”. Ndërtimi i një zinxhiri fortesash romake përgjatë rrugëve, çoi në lindjen e bashkësive të mëdha.

Nga ky sistem rrugor mund të ketë lindur edhe Tirana vëndbanim. Versionet e shtjelluara sa sipër dhe lidhja e tyre me rrënjët e Tiranës, janë më shumë se një joshje që sjellin mbetjet-rrënoja të një ngrehine të lashtë. Brenda përmbajtjes së thënjeve kanë ndikimin e tyre edhe të vërtetat e njohurive mbi strukturën e rrjetit rrugor të lashtësisë. Janë një mori qytetesh e vëndbanime në Shqipëri që lindën prej rrjetit rrugor, nga castrum-et romake, mansonet dhe mutatiot. Më shkoqitësit në kuptim janë Kavaja, Fieri, Puka, etj., që rrjedhin nga stacionet rrugore. Kavaja, me ndodhje mileare të përshtatsme për një stacion, nga Dyrrah ishte stacioni i parë i Via Egnatia, ku ndërroheshin kuajt (kavalo). Puka (Publis) ishte stacioni i ndërmjetëm mes Skodra dhe Theranda-s dhe Fieri (Fiera), stacioni i parë i degëzimit të rrugës Egnatia nga Apolonia.

(Vijon ne numrin e dyte...)

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare