Në bazë të një pyetësori, të realizuar nga Këshilli Studentor i Universitetit (K.S.U.SH), në 300 studentë, është zbuluar se 3 në 4 studentë i kanë paguar rryshfet profesorit qoftë dhe një herë të vetme, për të marrë provimet.
Pyetësori u realizua një ditë më parë. Rreth 300 studentë, 50 për secilin fakultet të Universitetit, i janë nënshtruar pyetësorit, nga ora 9:30-11:00. Përzgjedhja e studentëve ka qenë rastësore, nga ato që ndodheshin në auditore, dhe është shpërndarë në të njëjtën kohë në të gjashtë fakultetet e Universitetit "Luigj Gurakuqi".
Pyetjes A keni dhënë para (lekë), qoftë dhe vetëm njëherë, për të marrë një lëndë?, 222 studentë, pra 74% e të anketuarve i janë përgjigjur PO dhe 78 studentë, 26% e të anketuarve, i janë përgjigjur JO.
Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ultin Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%.
Pyetësori përbëhej dhe nga 3 pyetje të tjera, në lidhje me kushtet e e auditoreve, a ka ndikuar apo jo media rol në uljen e korrupsionit dhe a respektohen oraret e punës nga Sekretaritë Mësimore.
STUDENTET 67% THONE S' JANE PERMIRESUAR KUSHTET NE AUDITORE
Përsa i përket përmirësimit të kushteve në sallat dhe auditoret e Universitetit « Luigj Gurakuqi », 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Nga ana tjetër fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve të të cilit shprehen se kushtet janë përmirësuar. Sivjet në këtë fakultet janë realizuar disa investime në infrastrukturë.
KORRUPSIONI, 59.7 % MEDIA NUK KA LUAJTUR ROL
Rreth 59,7% e studentëve të Universitetit, pjesëmarrës në pyetësor janë shprehur se media nuk ka luajtur rol në uljen e korrupsionit, ndërsa 40.3%, pra 179 nga 300 studentë që janë marrë në pyetje thanë Jo.
Në Fakultetin e Drejtësisë 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e tij, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit.
54.3 % E STUDENTEVE: SEKRETARIATI NUK RESPEKTON ORARIN
Pyetjes a respektohen oraret e punës nga Sekretaritë Mësimore (SM) 54,3% e studentëve përgjigjen se Po, ndersa 45.7% JO.
Në dy fakultete situata paraqitet më tepër problematike, në Fakultetin e Drejtësisë ku 66% e studentëve shprehen se orari i punës nuk respektohet nga Sekretaria Mësimore dhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku 58% e studentëve të saj mendojnë po të njëjtën gjë. Situata paraqitet më e mirë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ku 68% e studentëve përgjigjen se respektohen oraret e punës nga Sekretaria Mësimore dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 64%.
Universiteti i Shkodrës ka në përbërje Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Fakultetin e Shkencave të Edukimit, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.
(sg/shqiptarja.com)