Futbollisti shqiptar që luan për Zvicrën, Granit Xhaka, është dënuar së fundmi për marrjen e një certifikate false për vaksinimin anti-COVID, me një gjobë me kusht prej 50 kuotash ditore, me vlerë 3000 franga secila.

Pra, në total bëhet fjalë për një shumë prej 150 mijë frangash apo rreth 14.75 milionë lekësh të reja.

Dënimi me kusht parashikon që Xhaka nuk do ta paguajë këtë shumë, nëse nuk kryen një tjetër shkelje gjatë periudhës së provës prej dy vitesh.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhaka shkruan se shpenzimet proceduriale janë paguar tashmë prej tij.

“Disa javë më parë u deklarova personalisht këtu dhe thashë se do të marr përgjegjësinë për vendimin tim. Unë qëndroj prapa kësaj. Pasi dëshmova plotësisht në Prokurorinë Publike, tani është marrë vendimi nga Prokuroria.

Përmes një urdhri penal, unë u dënova për marrjen e rreme të një certifikimi fallco me një gjobë me kusht prej 50 kuotash ditore nga 3,000 franga, me një periudhë me kusht prej dy vitesh.

Kjo do të thotë se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse nuk bëj asnjë shkelje gjatë kësaj kohe. Shpenzimet e procedurës i kam paguar tashmë. Unë e pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë. Ju falënderoj për mesazhet e shumta mbështetëse gjatë javëve të fundit. Ato do të thonë shumë për mua”, shkruan Xhaka në një postim në rrjetet sociale.