Z. Ministër që një marrjen tuaj të detyrës dhe deri më sot po shohim një fushatë pyllëzimi në të gjithë Shqipërinë, përse ishte ky hapi i parë, si ishte situata?
Në muajin Dhjetor 2013, Ministria e Mjedisit riktheu traditën e Sezonit të Pyllëzimit e cila ishte e harruar prej shumë kohësh. Ne ndërmorëm shumë aksione pyllëzimi në zonat më të degraduara të vendit dhe rritëm ndjeshëm hapësirat e gjelbërta si në parqe kombëtare ashtu edhe në shkolla, spitale, dhe zona urbane. Megjithatë, pyjet mbeten një prioritet tejet i rëndësishëm në punën tonë dhe për këtë arsye kemi hartuar një platformë në fushën e pyjeve për periudhën 2014-2017.
Prioritet kryesore në fushën e pyjeve për vitet 2014- 2017 do të jenë, pyllëzimet dhe mbjelljet e reja në sipërfaqet pyjore të dëmtuara dhe degraduara. Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me operatorët privatë e kanë detyrim për të bërë pyllëzime, deri në vitin 2017 do të mbjellim jo më pak se 4 mijë hektarë pyje, ose jo më pak se 10 Milion fidanë pyjor, duke u përqendruar në sipërfaqet pyjore të dëmtuara, të degraduara dhe të djegura, si dhe në shtretërit e lumenjve.
Cilat janë masat që janë parashikuar për ndalimin e prerjes së pyjeve, a ka një sistem monitorimi?
Për të përmirësuar eficencën dhe forcimin e zbatimit të ligjshmërisë, Ministria e Mjedisit brenda vitit 2015, do të studiojë dhe implementojë një sistem kombëtar me kamera vëzhguese on-line, për 24 orë pa ndërprerje, për monitorimin e pikave kyçe dhe akseve rrugore kryesore për zonat pyjore problematike me dëmtimet nga prerjet e paligjshme dhe zjarret. Nëpërmjet këtij sistemi synohet monitorimi, evidentimi dhe ndëshkimi i kundravajtjeve në pyje. Në këtë proces do të bashkëpunohet ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Transportit Rrugor dhe Infrastrukturës.
Është folur edhe për abuzime më lëndët drusore, tregtimit të tij. A është menduar për një kontroll më të rreptë dhe si do funksionojë?
Krijimi i një portali on-line në nivel kombëtar ku të regjistrohen dhe të publikohen transaksionet e lëndës drusore nga shfrytëzimi deri në konsumim. Ky sistem bën të mundur rritjen e transparencës dhe arrihet evidentimi i ligjshmërisë së shfrytëzimit dhe tregtimit të materialit drusor. Ai ka për qëllim shmangien e abuzimeve të tregtimit të materialeve drusore kontrabandë. Ky prioritet do të realizohet nëpërmjet krijimit të një portali në Ministrinë e Mjedisit në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik. Afati do të jetë brenda vitit 2014.
Sot Ministria e Mjedisit a ka një të dhënë konkrete se sa është sipërfaqja pyjore, a ekziston një regjistër kombëtar?
Mungesa e një informacioni të përditësuar lidhur me kadastrën dhe regjistrin kombëtar të pyjeve, ka krijuar vështirësi në evidentimin dhe adresimin e dëmtimeve, ndryshimeve kadastrale apo heqjes nga fondi pyjor. Prej shumë vitesh fondi pyjor shtetëror nuk është plotësisht i mbuluar me plane menaxhimi. Nisur nga kjo situatë Ministria e Mjedisit brenda vitit 2017 do të përfundojë këtë proces i cili do të krijojë informacionin e nevojshëm për hartimin dhe programimin e politikave afatgjatë dhe programeve të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit të pyjeve.
Një problematikë tjetër e hasur është edhe djegia e qëllimshme e pyjeve për ti shndërruar ato në zona ku mund të mbillen bimë mjekësore, premë frutore. A do të ketë masa konkrete ligjore për të parandaluar këtë fenomen?
Nisur nga problematika e konstatuara, ku në shumë raste ndodh dëmtimi apo djegia e fondit pyjor me qëllime të caktuara për ta tjetërsuar në tokë bujqësore për mbjelljen e pemëve frutore, bimëve bujqësore, medicinale apo për truall për ndërtime, shihet me rëndësi të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore për të ndalur përfundimisht këtë proces tjetërsimi. Këto ndryshime do të bëhen brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2014.
Shkrimi u publikua sot (25.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)