Qëndrim Rijani: Ja si diskriminohet
teatri shqip jashtë kufijve

Qëndrim Rijani: Ja si diskriminohet<br />teatri shqip jashtë kufijve
TIRANE - “Ne vijmë për ajër”, drama me tekst të autorit Scott O Moore, është ngjitur mbrëmë në Teatrin Kombëtar nga regjisori me origjinë nga Presheva, Qëndrim Rijani. Premiera është produkt i kompanisë që mban të njëjtin emër dhe drejtohet nga Rijani. Është një dramë mistike, surreale, e cila sjell fundin e civilizimit human. Në një botë ku mbizotëron krimi, dhuna, sëmundjet, ku njerëzit kanë humbur ndjenjën humane, ku vetmia është e gjithanshme.

“Sepse ne i sjellim vetë fundin vetes sonë”, shpjegon regjisori Rijani. Premiera do të ngjitet sërish sot në Teatrin Kombëtar në orën 19.00. Kompania përbëhet nga dhjetë artistë që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, Presheva, Mali i Zi.

Elsa Xheladini është koreografja e këtij produksioni nga Kosova, aktoret Klodi Keco dhe Ermela Demaj janë nga Shqipëria, një regjisor tjetër i kompanisë është nga Mali i Zi. Drejtuesi i trupës, Qëndrim Rijani flet për “Shqiptarja.com” sesi erdhi ky bashkëpunim mes anëtarëve të teatrove shqipfolëse dhe TK-së në Tiranë dhe rrëfen fatin e trishtë të dramës shqipe jashtë kufijve.

Qëndrim, ju bëni teatër të gjuhës shqipe në një terren që është shumë i vështirë gjeo-politikisht. Si e keni zhvilluar ju dramën shqipe në Shkup?
-Si shqiptar, tranzicioni nuk po na mbaron, siç kemi tranzicion ekonomik, social, kemi edhe një tranzicion kulturor që nuk ka mbaruar. Fatkeqësisht ata që na udhëheqin kanë kapur anën e gabuar kanë gjetur vetëm rrugën e gjatë për ta përfunduar këtë tranzicion.

Merren me tranzicionin social ekonomik dhe nuk i kushtojnë asgjë kulturës. Domethënë ata që na udhëheqin nuk kanë shumë haber për kulturë dhe nuk e dinë filozofinë që siç thoshte Platoni “nëse arrin nivelin e sofistikuar kulturor të një populli ke arritur nivelin e sofistikuar social-mjedisor gati-gati dhe ekonomik.

Çfarë niveli kanë Teatri Kombëtar i Shkupit aktualisht sot?
-Unë nuk jam i brendshëm atje, por Teatri Nacional në Shkup është më i privilegjuar nga pushteti atje. Më vjen keq që po e them këtë, por si në çdo fushë tjetër shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të jenë të diskriminuar edhe në kulturë.

Nuk mund të them se janë në kushtet mizerabël, por duhet bërë shumë që të ecin përpara me kohën, dhe kjo do të ndodh kur të ketë në kryet tona njerëz që duan më shumë kulturën sesa karrigen.

Maqedonia ka aktualisht një ministër kulture, çfarë bënë ai për teatrin shqiptar atje?
-Ne nuk kemi në radhë të parë ministër kulture. Nuk kemi një përfaqësues shqiptar, por kemi një ministër kulture përfaqësues të kulturës maqedone, që mendon sa për të thënë ja se janë edhe shqiptarët në këtë vend.

Numri një në listë për derdhje fondesh janë teatrot maqedonas. Normalisht unë nuk jam kundër teatrove të tyre, por pse jo të mos derdhin fonde edhe për teatrin shqiptar.

Pjesëmarrjen në një kompani teatrore shqipfolëse me anëtarë të të gjitha trevave, e quani një shpëtim të teatrit që flet shqip?
-Jo kjo nuk është çështje shpëtimi, është diçka më e thjeshtë. Kjo kompani teatrore lindi si ide mes miqsh të krijojmë një grup në fillim pak më të vogël dhe pastaj pak më të madh ku do të jemi, jo direkt varur nga politika, jo direkt varur nga konservatorizmi politik.

Derisa ti je i detyruar t’u qëndrosh disa kohë kornizave politike, del nevoja e një kompanie, ku teatri të burojë nga shpirti i artistëve, e ku artistët do e kenë gojën pak më lirë për të folur.

Na flisni pak për veten..
-Unë i takoj brezit të regjisorëve të rinj. Kam mbaruar për regji në Akademinë e Arteve të Tiranës. Kam bërë disa specializime për teatrin modern ndërkombëtar dhe iu jam kthyer prapë specializimeve në Universitetin e Arteve në Tiranë. Prej kohësh kam nisur të punojë me disa projekte në Kosovë, në Maqedoni dhe këtu në Shqipëri.

Cilat janë marrëdhëniet e tua me traditën?
-Çdo gjë ka kohën e vet. Çdo gjë që sot është moderne, nesër do t’i kalojë traditës ose klasikes. Aktorët e vjetër kanë dhënë shpirtin në skenë, në kohën e tyre. Unë jam për ndërthurjen e modernes me traditën, sidomos traditën shqiptare e mbroj shumë.

Aty ku është derdhur shpirti artistik shqiptar, unë rrekem t’i hyj thellë dhe të kuptojë mirë historinë tradicionale të zhvillimit tonë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024

Media italiane ‘Tag24’: Cilat vende të vizitoni në Shqipëri për pushimet verore 2024