"Në draftin e rishikuar në komponentin antikorrupsion (nenin 25) është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë “ish ministrat gjatë 3 viteve të fundit”. Duam të theksojmë fort se kjo pikë nuk është kërkuar ASNJËHERË, as nga ekspertët e opozitës dhe as nga ndonjë anëtar i opozitës në Komision. Ne e kemi shprehur dhe e ripërsërisim qëndrimin tonëpër luftë pakompromis ndaj korrupsionit dhe se kemi qenë, jemi dhe do të jemi KUNDËR cdo kufizimi kohor për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, sepse korrupsioni duhet të dënohet pavarësisht nga koha kur apo nga kush është kryer. Nga ana tjetër, sa i takon hetimit të ish ministrave, ku në draftin e rishikuar, në komponentin antikorrupsion (neni 25) është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë “ish ministrat gjatë 3 viteve të fundit”, thuhet në qëndrimin e PD.
PD shprehet edhe njëherë tjetër kundër zgjedhjes së funksionarëve të lartë të drejtësisë me shumicë të cilësuar prej 3/5.
Ndonëse vlerësojnë ndryshimet e bëra në projektin kushtetues nga ekspertët e huaj, për opozitën edhe drafti final nuk i ka dhënë zgjidhje rrezikut të kapjes politike të sistemit të drejtësisë.
"Mbi çështjen e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë, e cila është më së shumti çështje politike, sesa teknike, zgjidhja e mbrojtur nga mazhoranca për emërimin e të gjithë funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë (anëtarëve të GJK, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, 5 anëtarëve të jashtëm të KLGj-së dhe KLP-së, anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit pranë GJK) me 3/5 e votave që zotërohen prej saj aktualisht në Kuvend, ka qenë dhe mbetet e papranueshme për ne", thuhet në qëndrimet e demokratëve.
Edhe më herët, PD ka kërkuar votim me shumicë absolute prej 2/3, për zgjedhjet e titullarëve të institucioneve kushtetuese.
Gjithashtu, opozita është kundër edhe ndërprerjes së mandateve të funksionarëve të institucioneve të drejtësisë.
"Paraprakisht, dëshirojmë të theksojmë se opozita parlamentare është në favor të ruajtjes së mandatit kushtetues, të të gjitha organeve kushtetuese, funksionarët e të cilëve kalojnë me sukses procesin e rivlerësimit. Mirëpo, ndërprerja e mandatit kushtetues të tyre brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, krijon edhe një problem tjetër që kërkon vëmendjen tonë të posaçme. Ndërprerja e mandatit kushtetues të KLD-së brenda 8 muajve është menduar për shkak të fillimit të funksionimit brenda këtij afati të KLGj-së sipas Amendamenteve Kushtetuese".
Opozita thekson se në këtë pikë, asnjë nga organet e reja të sistemit të drejtësisë, nuk mund të fillojë funksionimin, pa ju nënshtruar fillimisht procesit të rivlerësimit secili prej anëtarëve të këtyre organeve.
"Përsa kohë është krijuar perceptimi i drejtë publik, se sot sistemi i drejtësisë vuan nga korrupsioni i lartë, atëherë duhet të sigurohet se në përbërjen e KLGj-së, KLP apo ILD nuk do të shkojnë individë që kanë probleme me integritetin e tyre apo që më parë kanë vënë pasuri si pasojë e veprimtarisë korruptive. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet procesit të rivlerësimit, siç parashikohet në Aneksin e Amendamenteve Kushtetuese", thuhet më tej në qëndrimin e demokratëve, për draftin e ekspertëve të huaj të reformës në drejtësi.
Projekti me amendamentet kushtetuese i ekspertëve të EURALIUS e OPDAT do të hidhet nesër në votim në parim nga komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.
Por, kjo procedurë në vlerësimin e demokratëve, është ekstraparlamentare.
"Propozimi i Kryetarit të Komisionit të Posaçëm në mbledhjen e fundit, se nga ana jonë duhet të ndiqet procedura e votimit të draftit “në parim”, njëlloj siç bëjnë Komisionet e Përhershme Parlamentare për projektligjet, është ekstra kushtetuese/parlamentare", vijon PD.
Sipas demokratëve, "ajo që duhet të ndodhë nga sot e në vijim është vendimmarrja politike për çështjet e nënvizuara nga ekspertët e OPDAT dhe EURALIUS në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias si dhe nisja e punës për shqyrtimin e thelluar nen për nen të Amendamenteve Kushtetuese të hartuar nga ekspertët, të cilat duhet të hartohen në mënyrë përfundimtare nga ana e Komisionit të Posaçëm". "Paralelisht duhet të nisë dhe të përfundojë puna për paketën e plotë ligjore që do të shoqërojë Amendamentet Kushtetuese".