Qarku i Kukësit, PS-PD beteja
për mandatin e katërt

Qarku i Kukësit, PS-PD beteja<br />për mandatin e katërt
TIRANE - Përllogaritjet e partive kryesore politike për Kukësin lidhen vetëm me një mandat. PD interesohet të ruajë diferencën prej dy mandatesh, kurse PS kërkon balancimin e tyre. Nëse ndodh balancimi, PS merr një sukses të dyfishtë në një qytet me historik të ndryshëm politik.  Sipas të dhënave të zgjedhjeve parlamentare në vite Kukësi ka një koeficient të dukshëm në favor të Partisë Demokratike.

Rasti i vetëm kur socialistët kanë arritur të balancojnë rezultatin lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, kur ata fituan dy nga pesë mandatet. Më 2005 zona e Kukësit prodhoi edhe një deputet shtesë për PD, deputetin B.Bisha të zgjedhur në proporcional nga lista konkurruese e Partisë Republikane, aleate e PD-së.

Vetë fakti se në këto zgjedhjet kandidati demokrat në Tropojë fitoi mbi 6 mijë vota dhe po kaq vota zyrtarisht i kaluan në proporcional kandidatit të PR-së, ka dy shpjegime: ose demokratët e Tropojë janë tërësisht të orientuar politikisht, pra votojnë sipas orientimit të lidershipit të partisë, ose vota atje nuk është numëruar në çdo kuti por me marrëveshje politike janë vendosur shifra fiktive, sidomos në proporcional.

Duke iu referuar rezultateve të vitit 2009 për shkak të formulës, PD arriti të marrë dy mandate parlamentare nën shifrën e një mandati të PS-së. Konkretisht PD fitoi mandatet 2 dhe 3 me nga 8.5 dhe 5.1 mijë vota, kurse socialistët fituan vetëm një mandat me 8.7 mijë vota.

Demokratët fituan më 2009 me diferencë të thellë (28 mijë me 13 mijë vota) ndaj socialistëve, diferencë shumë më e thellë edhe se më 2005 kur ata morën të gjitha mandatet proporcionale. Arsyeja kryesore e këtij rezultati të thellë lidhet kryesisht me përurimin më 2009 të Tunelit të Kalimashit dhe Rrugës së Kombit, investim kolosal, që tërhoqi pas vetës mijëra votues të pavendosur.

Më 2013 ky investim nuk ka efekt dhe vetë fakti se në daljen lindore të Kukësit rruga për Krumë ndodhet jashtë çdo parametri normal urbanistik mund të sjellë tërheqje apo votë kundër të një pjese të mirë të votuesve të vitit 2009.

Në favor të kësaj logjike shkon edhe fakti se Kukësi është dhe mbetet një nga qarqet më të varfra në vend, me papunësi të lartë dhe investime minimale publike. Gjithsesi për një balancim mandati PD duhet të shënojë një rënie nga 2-3 mijë vota (e mundur të ndodhë) dhe PS me aleatët të shënojë një rritje prej 5-7 mijë vota.

Të dhënat për zgjedhjet në qarkun e Kukësit nga viti 1992 deri në vitin 2009, dhe ndarja e mandateve sipas votave
(Në foto të dhënat për zgjedhjet në qarkun e Kukësit nga viti 1992 deri në vitin 2009, dhe ndarja e mandateve sipas votave)
 
EMRAT QË FITOJNË DHE ATA QË MBETEN PRETENDENTË

Nga lista e PD kanë siguruar tashmë mandat Flamur Noka dhe Besnik Dushaj. Nga PS ka siguruar mandat ish kryeprokurori i Tiranes Vexhi Mucmata. Në garë për mandatin e tretë të PD është Alban Zeneli, për mandatin e dytë të PS garojnë midis tyre Lavdrim Elezi (PS) dhe Apostol Goci (LSI). Nga palët e treta i vetmi ende në garë mund të konsiderohet Ardian Elezi (FRD). Nga këta katër kandidatë do të zgjidhet vetëm njëri, dhe zgjedhjet në Kukës më 2013 bëhen de facto pikërisht për këtë emër, pra për një deputet.
 
TREGUESIT POZITIVE TË KOALICIONIT TË PD NË ZGJEDHJET 2013
 
Në zgjedhjet e vitit 2013 lista elektorale e PD-së paraqet disa risi të ndryshme nga 2009:
Së pari në krye të listës është një ministër nga ajo zonë, i cili duke qenë Ministër i Brendshëm me mundësi materiale e njerëzore për të bërë emërime klienteliste në MB ose të sigurojë privilegje për zonën e tij elektorale ka shansin të ruajë të paprekura votat e zonës së tij elektorale.

Risia tjetër lidhet me kandidatin e PD Tropojë, Besnik Dusha, i cili është i vetmi deputet në 22 vite që rikandidon në zonë. Kjo e dhënë nuk është nxitëse për shtim votash, por në kontestin e debatit krahinor dhe zgjedhjes midis Berishës e Ramës (Rama nuk ka shkuar ende në Tropojë) mund ta të bëjë atë garant të pjesës më të madhe të votave të tij tradicionale.

Risia e tretë lidhet me përfshirjen në listën e PD të kandidatit A.Zeneli, ish kandidat i PR në zgjedhjet e vitit 2009 ishte në krye të listës së PR dhe mori rreth 3% të votave.

Një gabim taktik i PS në këto zgjedhje mund të jetë renditja në dy numrat e parë të listës së dy kandidatëve nga zona e Kukësit, pra kalimi i Tropojës në vendin e tretë dhe më pas i Krumës në vendin e katërt. Pavarësisht emrave me prestigj pozitiv, ky është një mesazh që mund të keqpërdoret gjatë fushatës nga partitë rivale politike.

Një tregues tjetër me efekt qoftë edhe minimal është fakti se deputeti socialist i Kukësit, Asllan Dogjani është tashmë deputet i sigurt në emër të PD në Tiranë. Rrjeti i tij personal në Kukës natyrisht që nuk do të votojë PS, por do të shkojë pas mandatit të tij në PD, gjithsesi mbetet për tu parë ndikimi i tij real

I njëjti ndikim mund të kundërpeshohet nga kandidatët e PD Hoxha e Gjana, të cilët nuk janë përfshirë në listën proporcionale të PD Kukës, ndaj nuk kanë ndonjë arsye madhore të jenë aktiv në fushatë as me mbështetësit e tyre besnikë.
 
TREGUESIT NEGATIV TË KOALICIONIT TË PD NË ZGJEDHJET 2013
 
Një nga humbjet kryesore të PD në këto zgjedhje është humbja e bashkisë Krumë më 2011 dhe humbja e disa njësive vendore, përfshirë dy komuna në Tropojë.

Më 2011 bashkia Krumë u fitua nga kandidati i PS Liman Morina me 500 vota më shumë se kandidati i koalicionit të djathtë. Megjithëse numri i njësive vendore në raportet e dy palëve nuk ka ndryshuar shumë në vite, humbja e njërës prej tri bashkive përbën një aset negativ për mazhorancën e djathtë.

Fakti se PD ka humbur Krumën dhe në listën e tanishme proporcionale kandidatin e saj për këtë zonë e ka vendosur në vendin e katërt, pra pa shanse mandati, përbën dy tregues me ndikim kundër saj në fushatën elektorale 2013 në këtë qytet.

Humbja tjetër e madhe e PD në këto zgjedhje është vendimi i ditëve të fundit i kryetarit të Bashkisë Kukës Hasan Halilaj për të dhënë dorëheqjen nga PD për të kaluar me LSI, pra me një parti politike të koalicionit opozitar. Halili ishte në mandatin e tij të dytë, ndërkohë që më 2011 ka fituar me diferencë prej 3 mijë votash përballë kandidatit socialist. Nëse ai ende ruan një përqindje minimale (8-10% të votave të vitit 2011) dhe i devijon këto në favor të LSI si pjesë e koalicionit opozitar, rënia e PD-së në Kukës do të jetë e ndjeshme.

Elementi i tretë me rëndësi në ndikimin zgjedhor 2013 është përfshirja në listën e LSI si drejtues i saj i biznesmenit të njohur Apostol Goci. I njëjti biznesmen kandidoi edhe më 2009 në emër të PSD (brenda koalicionit të majtë) dhe fitoi 4,469 vota ose 10,2% të gjithë qarkut. Nëse ai arrin të ruajë votat e tij të vitit 2009 dhe bashkon me to edhe votat e LSI 2009 (rreth 3%) shanset e tij për hyrje në llogaritjen e mandateve zgjedhore rriten ndjeshëm.
 
I fundit tregues dhe me rëndësi është roli i FRD-së në këto zgjedhje. Kandidati i saj kryesor Ardian Elezi bën pjesë në komunitetin kryesor përbërës të Kukësit, përfaqëson shtresën e kundërt me dy listat PD-PS, ish të përndjekurit politike dhe brezin e ri. Votat e tij dhe të listës proporcionale që ai përfaqëson kanë pak shanse të sigurojnë mandat, por gjithsesi janë vota me vlerë të madhe në kalkulimet zgjedhore për ndarjen e mandateve.

Fushata e tij mund të jetë investim potencial për peshën e FRD në qeverisjen e ardhshme apo edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndaj edhe votuesit mbështetës, nuk kanë arsye të ndjehen të dekurajuar dhe të rikthehen në PD. Kandidatët e partive të tjera politike, (PDIU, PBDNJ, PLL, LZHK, etj) nuk kanë ndonjë ndikim lokal dhe nuk pritet të ndikojnë as në balancën zgjedhore, madje as brenda vetë koalicioneve politike.
 
qarku i kuksit

(Në fotyo qarku i kusit dhe lart harta e shqipërisë)

PJESËMARRJA ZGJEDHORE, REKORD PËR VENDIN
 
Qarku i Kukësit përbëhet nga tre rrethe: Kukës, Tropojë dhe Has. Të dhënat zyrtare numërojnë një popullsi prej 85 mijë banorë (2013), nga të cilët popullsi urbane janë 29 mijë dhe popullsi rurale mbeten 56 mijë banorë. Megjithëse zonë e varfër, rurale dhe me problematika të shumta (migrim të brendshëm dhe emigrim të jashtëm vazhdimisht në këtë qark regjistrohet pjesëmarrje e lartë zgjedhore.

Pretendimet e shumicës së partive politike flasin për fiktivitet në pjesëmarrje, gjë që vërtetohet të paktën nga dy raporte të vëzhguesve të huaj dhe disa raporte të tjera të vëzhguesve vendorë. Konkretisht, më 2001 në zgjedhjet parlamentare po ashtu pjesëmarrja në Has ishte 73%, në Kukës 66%, në Tropojë 64%.

Më 2005 në Kukës u shënua pjesëmarrja prej 71.45%, edhe atëherë ndër më të lartat në rang vendi, kurse në Has pjesëmarrja ishte 68,11% dhe në Tropojë rreth 60%. Në zgjedhjet e vitit 2009 morën pjesë 60% e zgjedhësve me të drejtë vote, shifër më e lartë sesa mesatarja e republikës.

Më 2011 pjesëmarrja ishte akoma më e lartë deri në 87%, një rekord kombëtar. Edhe në debatin e fundit mbi ndarjen e re zgjedhore, Kukësi ishte përllogaritur si qark që humbet 1 mandat, por opozita dhe media raportuan shtesë në numrin e zgjedhësve, kryesisht në zonën elektorale që mbulon Ministri i Brendshëm, kryesues i listës elektorale të PD.
 
ROLI I FAMILJEVE NË GARËN ELEKTORALE NË KUKËS
 
Në asnjë qark tjetër nuk ka më shumë përfshirje dhe rivalitet midis fiseve kryesore sesa në Kukës. Drejtuesi kryesor i demokratëve atje është i familjes Elezi, tre drejtues të tre partive të tjera politike (PS, FRD, LSI) mbajnë gjithashtu mbiemrin Elezi dhe bëjnë pjesë në rrethe të afërta familjare

Rivaliteti midis tyre nuk është rivalitet emrash, por palët kryesore në Tiranë janë detyruar që për shkak të rolit që ky fis ka në politikën lokale të kërkojë e të gjejë brenda tyre kandidatë për zgjedhjet parlamentare.

Për të theksuar rolin e madh të fiseve lokale mjafton të lexojmë përbërjen e këshillit bashkiak Kukës në dy zgjedhjet e fundit lokale: si më 2007 ashtu edhe më 2011 këshilli përbëhet nga një numër i madh subjektesh, ku PD e PS së bashku janë në opozitë të ndjeshme.

Më 2005 gjysma e këshilltarëve ishin kandidatë të pavarur, më 2011 gjenden fitues këshilltarë të 13 partive politike dhe dy kandidatëve të pavarur, nga të cilët PD fitoi 4 dhe PS 3 këshilltarë.

Shkrimi u botua sot gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë