Që prej pasdites së djeshme, semaforët e vendosur në kryqëzimin në zonën e Ish-parkut të autobusëve, nuk funksionojnë.

Qarkullimi është kthyer në kaos, si për këmbësorët, të cilët kalojnë me frikë nga një krah i rrugës në anën tjetër, ashtu dhe për shoferët e automjeteve. Zona është e populluar dhe qarkullimi në pjesën më të madhe të ditës është i rënduar.

Akoma dhe sot, nga Bashkia e Tiranës nuk ka një rregullim të problemit dhe as një njoftim zyrtar për qytetarët. Policia Bashkiake thotë se shkak për mosfunksionimin e semaforëve është mungesa e energjisë elektrike dhe se rasti është referuar te drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit për marrjen e masave të mëtejshme.