Qartësim deri në fund i vrasjes në Pogradec dhe 10 pyetje që mbeten në kokën e secilit prej nesh

Qartësim deri në fund i vrasjes në Pogradec dhe 10 pyetje që mbeten në kokën e secilit prej nesh

Bar kafe

Ditë pas dite, pas vrasjes absurde të Egli Progës në Pogradec, pas deklaratave dhe analizave të shumta, del vetëm një domosdoshmëri në sipërfaqe: Që qartësimi i kësaj ngjarjeje të mbajë thellësisht era Shtet dhe që të gjithë ta ndjejmë Shtetin në krahun e viktimave! Kërkohet një shpjegim i hollësishëm dhe shterues ndërsa pamë bashkëqytetarin tonë teksa humbte jetën në pak hapa dhe ende në mënyrë të pakuptueshme. Policia dhe autoritete të larta shtetërore betohen se çdo gjë është ndjekur sipas ligjit. Të gjithë duam me gjithë zemër t’u besojmë, por janë disa pyetje që mbeten pa përgjigje.

Vrasësi i dorëzuar disa orë pas krimit, tregon një histori, gjithnjë nëse është ajo e publikuar në media, të pabesueshme. Denis Meçe thotë se i kërkoi një cigare pronarit të lokalit, ndërsa viktima iu ofrua që t’ja jepte ai cigaren. Pastaj Denis Meçe thotë se “Kur ktheu kurrizin, Eglantin Proga më shau” dhe pas kësaj Denis Meçe e qëlloi me një shpullë, që rezultoi fatale.

Kanë ndodhur edhe raste të mëparshme kur një person ka goditur dikë në grindje e sipër, viktima është rrëzuar dhe ka përplasur kokën në tokë, apo trotuar, apo ndonjë send të fortë dhe ka vdekur. Por në këtë rast pyetjet janë këto:

1. Cili shqiptar të ofron cigare për të pirë dhe të shan? Dhe pse, as pronari i lokalit dhe as dëshmitarët nuk panë gjë e nuk dëgjuan gjë se si ndodhi dhe ç'u tha?

2. Cili shqiptar, pasi merr një cigare (si Denis Meçe që deklaron se ishte dhe i dehur) dhe i ka veshët aq të hollë sa të dëgjojë një tjetër që e shan sapo kthen kurrizin dhe i erren sytë sa e godet me forcën e urrjetjes që jep reagimi i çastit?

3. Cili shqiptar lihet në mes të rrugës në pritje të ndihmës dhe përreth nuk ka 100 vetë që duan ta ndihmojnë sa më shpejt? (Shihni Progën të ulur pa ndjenja në momentin kur vjen policia dhe shihni kë dhe sa ka përreth)

Familjarët e Elglantin Progës janë po aq të painformuar sa dhe opinioni publik nga sa ka ndodhur. Njëri prej tyre foli për gjobëvënie dhe kjo është akuza që do të ishte jashtëzakonisht e rëndë, madje e frikshme dhe duhet vërtetuar me prioritet, profesionalizëm dhe seriozitet të lartë. Përse?

4. Nëse gjobëvënësit në Pogradec kanë mbërritur te bar kafe “Te Nazua” e vogël e familjes Proga, çfarë ndodh me biznese më të pasura në qytet?

5. Goditja vdekjeprurëse ndaj Progës a kishte peshën e një prapaskene njohjeje të mëparshme, presionesh të supozuara, apo kërkime parash mes dhunuesit dhe viktimës?

6. Cila është prova e pakundërshtueshme që ka policia e shtetit që të rrëzojë menjëherë dhe në mënyrë të qartë këtë akuzë të rëndë?

7. A e ka shprehur Proga shqetësimin e gjobëvënieve te bashkëshortja te familjarë e shokë të tjerë?

8. Pasi babai u shpreh në media se as nuk e njihte dhe as e kishte parë ndonjëherë agresorin e djalit të tij, a ka bërë policia verifikime të tërthorta e të gërshetuara për veprimtari të mëparshme të Denis Meçes në atë zonë?

9. Duke qenë se çdo tregtar mund të ketë frikë të denoncojë, a ka filmime të ditëve, muajve të mëparshëm që mund të kenë regjistruar Denis Meçen t’u afrohet subjekteve të tjera tregtare dhe të ketë dhënë e marrë me ta për gjobëvënie?

10. Veç dëshmive që kanë brenda dhe subjektiven, a ka një provë të prekshme që e rrëzon përfundimisht dhe qartësisht këtë dyshim?

Nëse historia shokuese e Eglantin Progës do të rezultojë vërtetë një goditje për shkaqe banale, kjo histori do të mbetet jashtëzakonisht e rëndë për familjen Proga e sidomos për fëmijët dhe bashkëshorten e miqtë e të njohurit e tij. Por nëse dyshimet e një familjari për gjobëvënie kanë qoftë edhe pak grimca të vërteta, atëherë dhimbja e jashtëzakonshme bie në një qytet e një popull të tërë që besimin tek insitucionet e ka si një pemë të re që shkundet e lëkundet nga keqëdashësit e përhershëm e që njihen mirë mes nesh.

xy/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Fred: 14/08/2024 20:17

    Kjo ka nje shpjegim: GJOBVENIE.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik

OBSH shpall sërish linë e majmunëve si emergjencë globale për shëndetin publik