Mesfushori i Kombëtares Qazim Laçi është rikthyer te goli në kampionatin turk. 30-vjeçari realizoi penalltinë që i dha fitoren 1-0 dhe 3 pikët ekipit të tij Rizespor ndaj Antalyaspor. Laçi goditi në krahun e majtë të portierit, ndërsa përveç golit spikati edhe me lojën e mirë në prag të grumbullimeve të kombëtareve ku Shqipëria do të ketë ndeshjet historike në ‘play-off’ të Botërorit.

Gol në Turqi këtë fundjavë realizoi edhe Taulant Seferi. Sulmuesi kuqezi, i cili mungon prej disa grumbullimesh, ka shumë gjasë të thirret me kombëtaren në mars. Në Ligën e parë turke Seferi dhuroi asist te goli i dytë dhe shënoi te trëtin në sfidën që Bodrumspor humbi 3-4 kundër Erokspor.

Vendimtar dhe lojtar i ndeshjes rezultoi Nazmi Gripshi në kampionatin rus me Rubin Kazan. Mesfushori sulmues shënoi golin e parë të sfidës në fitoren 2-1 kundër Krasnodar. 28-vjeçari në minutën e 24 lëvizi bukur në zonë, duke shmangur një kundërshtar fillimisht dhe më pas duke mposhtur edhe portierin. Pavarësisht formës së mirë për Gripshin do të ishte surprizë nëse grumbullohej, ndërsa lajmi i keq që vjen nga Rubin Kazan është dëmtimi i Mirlind Dakut. Sulmuesi i kombëtares mungon prej disa ndeshjes, pasi ka probleme me tendinën dhe pritet të qëndrojë gjatë jashtë fushave.

Përveç Dakut problematike është edhe situata e Armando Brojës, i cili gjithashtu është i dëmtuar dhe nuk ka afat për rikuperimin. Edhe Mario Mitaj nuk është në një moment pozitiv. Si të mos mjaftonin problemet në krahun e majtë e djathtë të mbrojtjes ku Hysaj dhe Balliu pothuajse nuk kanë asnjë minut në këmbë, trajneri Conseicao e la jashtë ekipit Mitajn në ndeshjen e fundit që Al Ittihad humbi kundër Al Ahli.