Që baltrat të mos mbulohen me baltë

Që baltrat të mos mbulohen me baltë
Kur dramaturgu i famshëm Pierre Corneille dikur thoshte që koha është pasuria e vetme për të cilën mund të tregohemi kopracë pa u turpëruar, shumëkush e ka përshëndetur dhe vërtetuar përmbajtjen e kësaj thënieje me përparimet e shpejta dhe në vazhdimësi, që i tërhoqën shumë vende dhe popujt e tyre drejt civilizimit modern. Ndërsa të tjerë, siç është vlerësuar dhe vlerësohet sot pa mëdyshje, mbeten mbrapa ngaqë janë tepër dorëlëshuar me kohën, duke e shpërdoruar atë edhe në çaste vendimtare, kur e lënë atë t’u rrëshqasë me lehtësi të pamatshme, si rëra mes gishtërinjve. 

Arsyet e kësaj prapambetjeje janë të shumta, por më shpesh gishti drejtohet te ato klasa politike, të cilat i stopojnë zhvillimet nëpërmjet zënkave të pambarimta mes tyre, që tejkalojnë jo vetëm etikën njerëzore, por edhe të gjithë treguesit e konkurrencës së lirë.
     Një shembull shprehës është Shqipëria, ose gjithçka ka ndodhur në skenën politike të saj gjatë 25 vjetëve të fundit tek ende nuk është kapërcyer plotësisht hendeku i Tranzicionit. Dhe, kur pikërisht tani që erdhi momenti për të zgjatur hapat drejt ndryshimeve të thella, veçanërisht me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me atë zgjedhore, thesi i sherreve duket sikur nuk do të zbrazet kurrë.

Tani gjithçka po ndodh nga një forcë politike, si Partia Demokratike dhe liderët e saj, për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tyre më të suksesshëm, që brenda tre viteve të mbrame fituan dy herë rresht votat e popullit, duke e lënë tashmë opozitën në dyshimin e një prognoze për humbjen e vet të tretë dhe të thellë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pasojat e kësaj prognoze, liderët dhe eksponentë të tjerë opozitarë ka ca kohë që i përkthejnë në vetëvete me fletë-arreste ndaj tyre, me vendime gjyqësore penale, me sakuestrime pasurish të grabitura dhe me çdo ndëshkueshmëri tjetër që mund të bazohet legjitimisht te ato veprime dhe mosveprime të tyre, kur mbanin pushtetin dhunshëm mbi kokat e shqiptarëve.
 
*  *  *
 
Kështu pra, si të gjithë shpirtrat e zbrazët, ata priren tani drejt opinioneve ekstreme, duke vërvitur sidomos përpara  Projektit-Kushtetues për ndryshime në sistemin e drejtësisë depozita balte për të mbuluar baltrat e tyre, që reforma e këtij sistemi një ditë në mos dështoftë, së paku të devijojë.
Pas zgjidhjes së një ngërçi të lidhur fort prej tyre për varësinë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Kryetari i opozitës, ndryshe nga ç’kishte thënë më parë dhe nga çfarë deklaroi gjatë vizitës së fundit të tij në SHBA, theksin e rradhës e vuri te disa kushte të reja. 

Pra, jo vetëm te dërgimi në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së dy mandateve të tjera të deputetëve të Partisë Socialiste, por edhe te ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore. Nëse mazhoranca po jepte shënja për plotësimin e kushtit të parë, të dytin nuk mund ta pranonte. Nuk mund ta pranonte pretendimin e opozitës se, në komisionet hetimore (prej kohësh është dakorduar se mund të ngrihen edhe me kërkesë të opozitës, ndonëse deri tani të gjitha ato të iniciuara dhe kryesuara prej saj kanë dështuar) duhet të vendosë opozita edhe pa pjesëmarrjen e mazhorancës, kur vihet në pikëpyetje vetë konfigurimi i Kuvendit, si edhe parashikimi i Kushtetitës, se Ky organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve (neni75/2).

Në vazhdim të këtij kushti të papërmbushur, eksponentë të opozitës u përpoqën të formulojnë një tjetër kërkesë të kësaj natyre dhe ta tundin atë dje në Kuvend si një mollë sherri: ngritjen e një komisioni hetimor për marrëveshjen e Qeverisë me CEZ.
Këto ditë, përpjekjet e ethshme të pakicës për të gjetur dhe vendosur kushte të reja nuk kanë të sosur. Në një kohë kur ka filluar punën Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore, lideri i Partisë Demokratike shpalli si të domosdoshmëm aplikimin e sistemit elektronik në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të ardhshme, çka nuk mund të bëhet jo vetëm për shkak të mungesës së theksuar të një infrastrukturës së duhur, qoftë edhe për projekte pilot në këtë drejtim, por edhe sepse nga përvoja e afërt, madje edhe nga koha kur qeveriste opozita e sotme, pra, edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2013, i mundur  është bërë vetëm dështimi i aplikimeve të tilla. Ndërkohë që ka ende shtete – anëtare të Bashkimit Evropian, si Lituania, që para tre vjetësh u mor këtu nga ish kryeministri Berisha shembull për t’u kopjuar, në zgjedhjet e fundit atje i zhvilloi votimin dhe numërimin e votave në mënyrë elektronike veçse në 17 për qind të zonave elekorate. 

 Ndërkohë që duke parë me sy hapur ëndrën për rotacion politik sa më të shpejtë, opozita po bën tani gati për zgjedhjet e 2017-s një listë garancish dhe kushtesh të pazakonta, si për ndryshimin e sistemit zgjedhor të parashikuar në Kushtetutë, dhe të tjera në tejkalim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Por absurditeti i këtyre kërkesave lë përshtypje të hidhur te faktori ndërkombëtar, veçanërisht se ato ngrihen në vijimësi, periodikisht, kur pritet pa vonesë mirëkuptimi apo konsensusi midis mazhorancës dhe opozitës, për të miratuar sefte Projektin-Kushtetues të ndryshimeve në sistemin e drejtësisë, për çka tashmë e ka thënë edhe fjalën e fundit Komisioni i Venecias me Opinionin e vet final.

Kjo pabesi e opzitës, që përgjërohej se do të miratonte pa hezitim gjithçka do të rekomandonte ky organ këshillimor i Këshillit të Evropës dhe i parapëlqyer nga Bashkimi Evropian në piketimin e rrugës së integrimit të Shteteve aspirante dhe kandidate, si Shqipëria, nisi të kuptohej që në fillim të këtij viti. Pikërisht atëhere, kur nuk kishin kaluar vetëm pak javë nga miratimi konsensual, me votim të cilësuar i ligjit të iniciuar dhe të paraqitur për votim nga opozita, me nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, objekt i të cilit është, gjithashtu, “...mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore...”. 

Për të mos u konsideruar e mbyllur ‘periudha përgatitore’ e miratimit të gjithë reformës në drejtësi, nga e cila varet shumë çelja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nga opozita u hodhën ca vickla, që u pasuan me vënien e shumë yçklave, si sebepe për të sabotuar gjithë reformën. Konkretisht, u paraqitën disa shtesa të këtij ligji, të cilat mazhoranca me të drejtë nuk i miratoi, duke nuhatur dhe deklaruar se, po t’i jepej opozitës gishti, ajo do t’i kërkonte dorën, dhe nëse do t’i ofrohej edhe kjo, ajo do t’i merrte tërë krahun.

Por...në të vërtetë, më parë mazhoranca ia kishte shtrirë dorën opozitës, për t’u arritur konsensusi i mirëpritur për nisjen pa zvarritje të reformës në drejtësi. Kjo ndodhi, sepse miratimi i ligjit 138/2015 do të kërkonte fillimisht ndërhyrjet në Kushtetutë, për t’u kufizuar disa të drejta themelore si, për shembull, ajo e ushtrimit të votës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Këtij qëllimi i shërbeu formulimi dhe miratimi i ligjit kushtetues nr. 137/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Pavarësisht motivit të drejtë që e shtyu mazhorancën të aprovonte me nxitim këto ndryshime dhe shtesa, pasojat po vuhen edhe sot, për të mos thënë edhe nesër. Pra, le t’i hedhim një vështrim qoftë edhe tangencialisht këtij ligji.
 
*  *  *   
 
     Dihet se çfarë shkruhet pa përpjekje, në përgjithësi lexohet pa kënaqësi. Për të mos folur pastaj, se edhe “gërvishtjet” e bëra tinëzisht nuk mund të kenë jetë të gjatë. Dhe këtë e tregon fare qartë teksti i ligjit nr. 137/2015, i cili përmban vetëm 5 nene. I pari, që i shtohet si paragrafi 1 nenit 6 të Kushtetutës parashikon: “Ndalohet zgjedhja, cemimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin e funksionarit publik, sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. 

Si kështu? Një ligj, qoftë ky i miratuar me votim të cilësuar, na paska përparësi ndaj parashikimeve të bëra nga çdo dispozitë tjetër e Kushtetutës?! Çdo shtetas dhe aq më shumë deputetët (apo ata që qëndrojnë pas tyre) duhet ta dinë se asnjë ligj nuk mund të kundërshtojë dispozitat kushtetuese; se asnjë ligj i thjeshtë, ose edhe i përforcuar, nuk mund të jetë ekuivalent me përcaktimet që bën Ligji Themelor i Shtetit.

     Më tej, në të dytin nen të këtyre amendimeve, që ndryshojnë nenin 45, paragrafi 3, të tekstit origjinal të Kushtetutës parashikohet: “Përjashtohet nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në raste përjashtimore dhe të justifikuara, ligji mund të parashikojë kufizime të së drejtës për të zgjedhur të shtetasve që vuajnë dënimin me heqje lirie, ose të së drejtës për t’u zgjedhur para dhënies së një vendimi përfundimtar apo kur shtetasit janë dënuar për një krim ose për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike”. 

Sigurisht, në raste të veçanta dhe të justifikuara, ligji mund të parashikojë edhe kufizime të së drejtës për të zgjedhur, por jo para dhënies së një vendimi përfundimtar. Sepse kjo bie ndesh me nenin 30 të Kushtetutës në fuqi, sipas të cilit: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Gjithashtu, sipas nenit 17 të Kushtetutës, i cili mbetet në fuqi parashikohet që kufizimet të tilla “...nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Madje, sipas nenit 151/2 të Ligjit Themelor, disa çështje, midis të cilave edhe kufizimi i lirive dhe i të drejtave themelore të njeriut, s’mund të shtrohen në asnjë referendum.

     Për të mos u zgjatur me përjashtimin nga prezumimi i pafajësisë vetëm për krime të përcaktuara në Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndoshta është e nevojshme të theksojmë se, parimet kushtetuese të përfshira në Kushtetutë nuk janë shprehje voluntarizmi e disa individëve, politikanëve apo e një grupi ligjvënësish të veçantë. Para së gjithash, ato konsiderohen si deklarata të vullnetit për të qenë pjesë e civilizimit juridik. Detyra e tyre nortmative ka atë nocion dhe vlerë, pa të cilat nuk mund të kuptohen dhe të rregullohen në mënyrë objektive e të përgjithshme faktet e jetës individuale dhe kolektive. 

Prandaj, nuk ka dhe nuk mund të ketë hierarki midis këtyre parimeve. Pra, nuk ekziston ndonjë parim udhëzues që të jetë superior në krahasim me të tjerët, përveçse atij që parime të tilla duhet të bashkëqendrojnë dhe të bashkëveprojnë.
     E domosdoshme është që ligjvënësi/t nuk duhet të harroj/n/ë për asnjë çast, se cenimet që u bëhen (si këto me ligjin nr. 137/2015) disa të drejtave universale dhe kombëtare të shtetasve krijojnë tensione juridike, politike, ekonomike dhe sociale, rrezikun e të cilave e kanë vënë në dukje edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (vendimet nr. 36/2007; nr. 25/2009 etj.) dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila ka nënvizuar veçanërisht rëndësinë e garancive “reale dhe efektive” për individët.
    
     *  *  *
 
Në këto kushte, kur mbi bazën e shtojcave të bërë Kushtetutës me ligjin nr. 137/2015 opozita do të vazhdojë gërr-mërret, për të mbuluar baltrat e saj, ende mbetet një rrugë për t’ia hequr efektin ligjit të mësipërm, e cila të çon te Gjykata Kushtetuese. Pra, që së paku një grup deputeth të mazhorancës t’i drejtohen asaj me kërkesën jo për shfuqizimin, por për interpretimin e dispozitave të atij ligji. Për një mundësi të tillë mbase mjafton të shfletojmë tekstin e Opinionit paraprak për reformën në drejtësi të Komisionit të Venecias, në faqen 9 të përkthimit në shqip të të cilit lexojmë: “Në çdo rast Gjykata Kushtetuese, kur zbaton ndryshimet e miratuara tashmë do të duhet të konsiderojë tekstin kushtetues në tërësi dhe të interpretojë ndryshimet nisur nga parimet e përgjithshme kushtetuese të përrcaktuara në të drejtën themelore të Shqipërisë”.    



Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)
 
    

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online

Tiranë/ 'Bad Spin 3', kontrolle në disa subjekte, arrestohen 4 persona pasi luanin baste sportive online