FUSHE MAMURRAS- Policia e Kurbinit rreth orës 22:00 të mbërmjes ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e njërit prej autorëve të atentatit, ku mbeti i vdekuar fëmija 9 vjeçarë, Indrit Llanaj. Sipas policisë, shtetasit që kanë qëlluar me breshëri në drejtim të automjetit të drejtuar nga Muharrem Llanaj, janë vëllezërit Alban dhe Altin Shkreta. Aktualisht policia ka arritur të arrestojë vetëm njërin prej dy vëllezërve të akuzuar. Alban Shkreta, vjeç 32, është arrestuar në fshatin Derven rreth orës 22:00 në përpjekje për t’u fshehur nga forcat e policisë. Polica njofton se është vënë në kërkim intensiv për të vendosur përpara drejtësisë edhe vëllain tjetër Altin Shkretën shumë shpejt.

Fëmijë ka mbetur i vrarë brenda në makinë, në momentin kur një person, i paidentifikuar, qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të automjetit në rrugën e vjetër nacionale Fushë Krujë- Milot në Fushë Mamurras.

Ngjarja u shënua rreth orës 14:00 dhe nga të dhënat e para mësohet se i vdekur ka mbetur një 9-vjeçar i identifikuar si Indrit Llanaj i cili po udhëtonte me makinën objektiv i atentatit, që po drejtohej nga xhaxhai i tij Muharrem Llanaj, 62 vjeç. Ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë. Për momentin shumë detaje janë të paqarta por policia dyshon se objektiv i atentatit mund të ketë qenë drejtuesi i automjetit.

POLICIA IDENTIFIKON AUTORET
Policia e Kurbinit pak orë pas ngjarjes ka identifikuar autorët e atentatit në fshatin Shpërdhet të Fushë Mamurrasit. Sipas policisë vëllezërit Alban dhe Altin Shkreta janë autorët e këtij atentati, ku mbeti i vdekur 9 vjecari I. Llanaj. Dy vëllezërit janë banues në fshatin Shpërdhet dhe fqinj me objektivin e këtij atentati, Muharrem Llanaj. Informacionet paraprake tregojnë se mbrëmjen e djeshme ka pasur një konfikt mes familjeve Llanaj dhe Shkreta, për motive të dobëta. Duket se dy vëllezërit nuk janë mjaftuar me konfliktin fizik që ka pasur një natë më parë mes dy fqinjve dhe kanë vendosur të hakmerren duke qëlluar me breshëri automatiku drejt automjetit ku udhëtonte shtetasi Muharrem Llanaj. Plumbat i kanë marrë jetën vogëlushit 9 vjecar që udhëtonte me xhaxhain e tij.
Ndërkaq policia ka rrethuar të gjithë zonën dhe po kryen kontrolle të imtësishme për të bërë të mundur kapjen e autorëve të këtij krimi. 

(sg/jd/shqiptarja.com