Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për efektivin e policisë Besart Kovaçi, i cili u përfshi në përplasjen me armë mbrëmjen e së dielës në berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës.
Sipas burimeve për Report TV, në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ai iu ka qëndruar deklarimeve se ka qëlluar për të neutralizuar situatën, duke qenë se kishte parë personat e armatosur.
Por pavarësisht pretendimeve, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Përplasja e mbrëmjes së 1 shkurtit në Lezhë mendohet se është pasojë e një konflikti midis 3 të rinjve të fisit të ish-deputetit Arben Ndoka dhe nipit të biznesmenit që u vra në Shëngjin, Ardian Nikulajt.
Kevin, Gerardo dhe Eliseo Ndoka ishin pjesë e grupit prej 7 vetësh, prej të cilëve ende të paidentifikuar, të cilët hynë në berberhanen në Lezhë ku ndodhej 21-vjeçari Merando Nikulaj. Dyshohet se qëllimi i tyre ishte ta dhunonin, por gjatë përplasjes, mbeti i plagosur pronari i biznesit, Sokol Daci dhe vetë Nikulaj.
Grupi u paraqit si policë, por Nikulaj e kuptoi menjëherë që nuk ishin të tillë. Nikulaj dhe polici Kovaçi kanë qëlluar të parët, moment kur ky i fundit ka përdorur armën e shërbimit.
Agresorët shkuan me dy makina dhe gjatë largimit nga berberhania, kanë qëlluar me breshëri plumbash duke thërrmuar fasadën e xhamit dhe duke dëmtuar biznese të tjera.
Dyshohet se konflikti për të cilin Ndokajt kishin shënjestruar Nikulajn daton në mars të vitit 2025 kur palët janë zënë në Kune të Shëngjinit. Konflikti verbal ka kaluar në një përplasje me automjet, të dyshuar se është kryer nga Nikulajt në drejtim të dy pjesëtarëve të Ndokajve që lëviznin me motoçikleta.
Komente












