DIBËR – Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Dibrës, pasi dyshohet se ka qëlluar në ajër me armë zjarri për të kanosur disa persona gjatë një konflikti të ndodhur mbrëmjen e 24 korrikut në bulevardin “Elez Isufi” në Peshkopi.
Në pranga ka rënë Fatjon Iskurti, 38 vjeç, banues në fshatin Pollozhan. Sipas hetimeve, ai dyshohet se, në bashkëpunim me një 19-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të frikësuar disa persona. Ndaj 19-vjeçarit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Personat që dyshohet se janë kanosur janë M. H., 52 vjeç, L. H., 21 vjeç, O. H., 25 vjeç, R. H., 21 vjeç, J. Sh., 18 vjeç dhe K. D., 18 vjeç, banues në Peshkopi dhe Pollozhan.
Për të 6 personat që u kanosën dhe 2 të tjerë , policia ka nisur hetimet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Ndërkohë, në hetim është vënë edhe një 44-vjeçar pasi dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Dibër, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 24.07.2026, në bulevardin "Elez Isufi", arrestuan në flagrancë shtetasin:
F. I., 38 vjeç, banues në fshatin Pollozhan, Dibër. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi K. I., 19 vjeç, banues në Pollozhan, Dibër.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi F. I., në bashkëpunim me shtetasin K. I., ka qëlluar në ajër me armë zjarri për të kanosur shtetasit M. H., 52 vjeç, L. H., 21 vjeç, O. H., 25 vjeç, R. H., 21 vjeç, J. Sh., 18 vjeç dhe K. D., 18 vjeç, banues në Peshkopi dhe Pollozhan.
Për këta shtetas, si dhe për shtetasit K. C., 70 vjeç dhe R. C., 42 vjeç, banues në Pollozhan, ka nisur procedimi penal për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi, megjithëse kanë pasur dijeni për ngjarjen, nuk e kanë kallëzuar atë pranë organeve të Policisë”, njofton Policia.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës, e cila do të vijojë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










