TIRANE - Nënkryetari i “Partia Civile”, Arlind Kote rrëfen se shoku i tij, njëherësh dhe aktivist i kësaj partie, Taulant Capa, i cili dy ditë më parë qëlloi me vezë makinën e kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, gjatë kohës që ai ishte në një vizitë zyrtare në Tiranë, është goditur nga forcat e policisë. Kote tha se sipas deklaratave të policisë nuk është bërë padi nga ana e Gruevskit, e për këtë arsye shoku i tij Taulanti duhet të dalë. Capa u vu në pranga një ditë pasi kreu veprimin ndaj kryeministrit maqedonas, teksa ky i fundit dilte nga ambientet e Hotel Sheraton pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Berisha në forumin ekonomik.

Arlind Kote rrëfen në një intervistë për të përditshmen Shqiptarja.com se Taulant iu fut rrugës së politikës në mbrojtjen e çështjeve kombëtare, pasi edhe babai i tij është anëtar në partinë shqiptare në Maqedoni, Demokracia e Re. Sipas tij, janë pikërisht ndjenjat nacionaliste ato që e çuan Taulantin deri në aktin që të qëllonte me vezë mbi makinën e kryeministrit maqedonas.

Kote tregon se pas veprimit, policia ka shkuar në çdo shtëpi të personave që njihen me taulantin duke kërkuar se ndoshta ishte fshehur tek ta. Ai thkson se nuk ishte një vendim partie por një vendim individual i Taulantit.

Sipas nënkryetarit të Partisë Civile, policia shqiptare nuk do të nisë procedim penal ndaj Taulant Capës, pasi ndaj tij nuk është bërë kallëzim penal nga kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski.

INTERVISTA

Si e njihni ju Taulantin?
Taulanti është një ndër anëtarët tanë në këtë parti. Është njeri aktiv sepse është marrë gjatë gjithë kohës me mbrojtjen e çështjeve kombëtare. Ai i është futur kësaj rruge, duke marrë parasysh që dhe familja e tij, i ati është anëtar në partinë shqiptare në Maqedoni, Demokracia e Re. Që në Maqedoni Taulanti është marrë me çështjet e mbrojtjes së identitet shqiptar. Duke parë gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni që nuk lejohen të ngrenë flamurin kombëtar, ai është rritur me idenë se: Pse shtetasit maqedonas na bëjnë keq ne? Realisht kjo është e drejtë, pasi në bazë të marrëveshjes që është bërë në Ohër, ku komunat që kanë popullsi të madhe me shqiptarë, zyrtarisht do kishin dhe flamurin shqiptar,zyrtarisht do kishin në përdorim dhe gjuhën shqipe, dhe simbolet shqiptare, gjë që nuk është lejuar nga qeveria e Maqedonisë.

Ju jeni një mik dhe koleg i Taulantit, na tregoni diçka lidhur me jetën e tij në kryeqytet?
Aktualisht Taulanti është me studime në Tiranë, studion për degën Turizëm në një Universitet privat dhe është angazhuar dhe me të rinjtë e Partisë Civile. Familja e tij ndodhet në Dibër të Madhe, ndërkohë që Taulanti jeton vetëm këtu në Tiranë për shkak të studimeve. Jeton vetëm në një apartament dhe mesa dimë ne nuk është i fejuar.

Si rrodhi ngjarja me Taulantit e deri te arrestimi i tij?
Dihet tashmë veprimi që bëri Taulanti, i cili goditi me vezë mbi makinën e kryeministrit maqedonas. Pasi është larguar nga vendngjarja pranë Kryeministrisë, policia u vu në kërkim të tij, në një kërkim të gjerë duke na përfshirë edhe ne si shokë dhe pjesëtarë të partisë ku është dhe Taulanti. Policia e Tiranës ka shkuar në çdo shtëpi të personave që njihen me Taulantin dhe duke kontrolluar se ndoshta ai ishte fshehur aty. Në të njëjtën kohë janë marrë në telefon për të pyetur edhe ish-të burgosurit politik, duke marrë parasysh këtu se këto akte janë bërë edhe nga ata. Kjo procedurë është bërë dhe me aktivistë të tjerë të partisë që janë marrë në pyetje deri në orën 07:00 të mëngjesit të djeshëm. Doja të theksoja se nuk ishte vendim partie për aktin që u bë ndaj kryeministrit maqedonas, por ishte një vendim individual i Taulantit edhe pse ai është pjesë e partisë sonë. Ne do ta ndihmojmë deri në fund. Policia na premtoi se nga ana e shtetit shqiptar nuk do të ketë asnjë procedim penal sepse kjo mund të ndodhë vetëm në rast se do të ketë kallëzim penal nga zoti Gruevski.

Ku ka qenë Taulanti në momentin që është kërkuar nga policia?
Mesa di unë ai nuk ka qenë i fshehur, por ishte në disa lokale këtu në Tiranë. Madje ka qenë me disa shokë dhe aktivistë të partisë. Policia ka ardhur në zyrat tona të partisë dhe ka marrë disa aktivistë të tjerë në pyetje. Policia e Qarkut të Tiranës e mori vetë në telefon Taulantin dhe i kërkoi që të vetëdorëzohet. Ai u tha se do të vinte patjetër pasi ishte pak larg. Ata nuk e kanë besuar që mund të vetëdorëzohej dhe vazhduan kërkimin nëpër Tiranë. Ne ishim te Drejtoria e Policisë së Tiranës kur erdhi Taulanti. Aty janë dëgjuar të bërtitura. Nga një takim i rastësishëm dhe pak sekonda me Taulantin në korridor më tha:U godita nga policët. Më vonë ne na u tha që do shkonim të dëshmonin te komisariati numër 1 dhe më pas me urdhër do të liroheshim të gjithë së bashku me Taulantin. Pasi mbaruam procedurat ne dolëm jashtë komisariatit dhe pamë që Taulanti ende nuk po dilte. Shefat na thanë që do mbaronte deklaratën dhe po e mbanin deri në orët e para të mëngjesit. Ky ka qenë komunikimi ynë me ata. Ai duhet të dilte sot (dje) në orën 09:00 sipas urdhrit që dëgjuam nga policia.

POLICIA: NA KERKON UJE, KAFE DHE CIGARE

Burime pranë policisë së komisariatit numër 1 në kryeqytet, ku ndodhet edhe 21 vjeçari Taulant Capa, thonë se i ri nga Dibra e Madhe nuk kërkon gjë tjetër veçse ujë, cigare dhe kafe. Ata deklarojnë se Taulanti rri i qetë në qeli dhe pret masën e arrestit që do t`i komunikohet. Ndërkohë që duke tentuar që të komunikojmë nga afër me Taulantit, policia nuk e lejoji një gjë të tillë, pasi është në shkelje të ligjit. Sipas tyre Taulanti mbahet i arrestuar në bazë të Kodit Penal, i cili sqaron edhe masat e sigurisë që merren në rastet kur personat fyejnë përfaqësuesit e shteteve të huaja. "Fyerja ndaj përfaqësuesve të shteteve të huaja/ Fyerja e bërë ndaj kryetarëve, anëtarëve të qeverisë, parlamentarëve të shteteve të tjera, përfaqësuesve diplomatikë apo të organizmave të njohur ndërkombëtarë, që ndodhen zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet", thuhet në Kodin Penal.

djali me veze gruevski
(Në foto, Taulant Capa pasi qëlloi me vezë makinën e kryeministrit maqedonas në Tiranë)

RREFIMI I TAULANTIT PASI QELLOI ME VEZE/ UNE E BERA, DUA TE JEM I LIRE PER 28 NENTORIN
Vetëm pak orë para arrestimit të tij, në një intervistë ekskluzive për A1 Report, i riu 21 vjeçar-Taulant Capa pranoi aktin që kishte kryer duke qëlluar me vezë mbi makinën e kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski. "Unë jam autori, bashkë me disa aktivistë të tjerë", tha Capa. Aktivisti i Partisë Civile rrëfeu arsyet e këtij veprimi. Ai thotë se qëlluan me vezë makinën e kryeministrit maqedonas për "hir të diskriminim të shqiptarëve maqedonas në Maqedoni." Sipas tij, edhe pse është vitit 2012 ende nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit" e vitit 2001. Capa thotë se për shkak të diskriminimit nga politika e Gruevskit, shqiptarët maqedonas largohen drejt vendeve perëndimore për një jetë më të mirë. "Pikërisht në prag të 100-vjetorit vjen kryeministri maqedonas me pafytyrësinë më të madhe. Nuk mund të shikojmë në mes të Tiranës flamuj maqedonas në një takim i cili realisht pritej të kishte incidente, pasi ky person i ka diskriminuar shqiptarët në Maqedoni. Shqiptarët janë mashtruar nëpërmjet fjalëve të bukura gjatë fushatës elektorale por pastaj janë zhgënjyer", u shpreh Capa. Ai thotë se pas veprimit u largua menjëherë nga vendi, ndërsa tregon se polici u vunë në ndjekje të tij. Ai se gjendej i fshehur diku dhe se nuk do të dorëzohej në polici pasi do të festoj 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i lirë. "Unë jam larguar nga vendi i ngjarjes duke u fshehur diku dhe jam në dijeni që policia shqiptare po më kërkon, por unë dua të jem i lirë më 28 nëntor", tha Capa

VIDEO EKSKLUZIVE - MOMENTI KUR QELLOHET ME VEZE MAKINA E GRUEVSKIT