Përfundojnë në gjyq nëntë protestues të Partisë Demokratike, të cilët morën pjesë në tubimin e dhunshëm të opozitës, në 8 dhjetor 2015-ë. 

Drini Zaimaj, Nexhemedin Shehu, Artan Kaçi, Besim Vladi, Ylli Muça, Ervis Koçi, Aurel Filaj, Xhuljan Cala e Suzana Dimushi u janë njoftuar akuzat nga prokurori i çështjes, i cili më pas ka dërguar dosjen në gjykatë.

Në kërkesën për gjykim theksohet se personat e akuzuar, kanë thyer xhamat e disa institucioneve përfshi edhe Ministrinë e Brendshme dhe i kanë vënë flakën bunkerit që po ndërtohej në atë kohë pranë dikasterit të drejtuar nga ministri Saimir Tahiri.

Prokuroria thekson se referimi i çështjes është bërë nga Policia e Shtetit, e cila ka dorëzuar edhe filmime të fshehta të bëra nga policia gjatë protestës nga pamjet e të cilave janë identifikuar edhe 9 personat e pandehur. 

Protesta e PD një vit më parë, denegjeroi në dhunë përpara selisë së Këshillit të Ministrave, ndërsa më pas u spostua te Ministria e Brendshme, ku u dëmtua bunkeri pranë kësaj Ministrie, i cili është një instalacion artistik.

Për dëmet e shkaktuara në qytet gjatë kësaj proteste, Bashkia e Tiranës gjobiti Partinë Demokratike me 16 milionë lekë të reja. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com