Ishte i ri edhe fort i njomë e plot iluzione dhe eksperienca e jetës s’kishte pasë as kohë as mundësi ta forconte e ta kaliste...prandaj dhe përshtypjet e tij mbeten të pashlyeshme në thellësi të qenies.” Kështu biografi i tij, i vëllai, Enveri komentonte ato momente të vështira të Qemalit.
Kujtimet janë shkruar në italisht dhe ne po i sjellim në shqip, duke respektuar standardet e sotme të gjuhës së shkruar .
Nexhmi Bushati
(KUJTIME )
“Edhe unë çuditem se si fakte dhe ngjarje tё asaj periudhe mё paraqiten para syve tё kujtesёs nё kёtё natё tё qartё gushti. Figura shokёsh tё fatkeqёsisё, fytyra shokёsh tё dhimbjes, - zhdukur ndёr valёt perpise tё jetёs sonё…I shoh ende:e gjatё, e pambarim radha qё pёrshkon e heshtur rrugёt e ngushta tё fshatit tё humbur tё malёsisё. Ecin ngadalё…edhe supet e tyre janё tё kёrrusura: ndoshta fatkeqёsia, dhimbja bёn qё tё kёrruset shpinda ende e re…E mbi fytyrat, nё pjesёn madhe tё reja, shtrihet velloja e trishtimit…Kujtime tё jetёs “atje pёrjashta?...Apo çfarё fshihet pas atyre shikimeve melankolike ?...Do të kenë dhe ata, në ndonjë qoshe të humbur të Atdheut, dikënd që do t’i mendojë?
Apo, ndoshta,edhe ata dallojnë , në gjysmerrësirën e kuqërremtë të mëngjesit ose në gjysmerrësirën e hirtë të muzgut, dy sy, dy sy të dashur?...Ecin! Pas supeve të tyre, zhduken të fundmet shtëpi të shpërndara të fshatit. Një zë i çjerrur bërtet “ndalo !”. Çeliku i tytave të pushkëve të xhandarëve jehon me një tingull të çuditshëm metalik në qetësinë mëngjesore. Puna është e ashpër në të ftohtit e mëngjesit. Bora është bërë akull, dhe një erë e akulltë ngrin gishtat e vegjël të dorës mbi bishtin e kazmës.
Larg, në fshatin që po zgjohet, thërret një zë...Bien dhe këmborët e kishës së vogël ortodokse...Një kalë i ngarkuar kalon rrugës poshtë, - drejt qytetit, drejt botës, drejt njerëzve. Fshatari iu hedh vjedhurazi një shikim të vëngërt punëtorëve të heshtur, - dhe kalon...shikimet e trishtuara e shoqërojnë derisa do të zhduket atje poshtë, në luginën e shkretë të pambarim...Në pasdreken e vonë, përsëri do ta shoqërojnë shikimet e lodhura ,- dhe ai, i vetmi kasnec memec i një bote të largët, do të kalojë përsëri përbri atyre, i heshtur, gojëmbyllur. E sërishmi do të zhduket pas qoshes së pyllit të dendur që fsheh fshatin vetmitar...E gjatë, e pambarim radha që përshkon, në kthim e sipër, rrugët e ngushta dhe të heshtura ...
****
Është gjithmonë kështu! Pas ditës së vështirë e të lodhshme të punës, kjo kohë pushimi në muzg, para darke, është koha më e trishtë. Gjithmonë unë zë vend aty pas dritares dhe shikoj jashtë. Flokë bore bien parreshtur. Hijet e muzgut zgjërohen gjithnjë e më shumë, derisa ndryshojnë gjithshka në një hije të zezë unike e gjigante. Ndërkaq, shokët këndojnë...Grumbulluar rreth zjarrit, duart shtrirë përpara, thua se janë duke u lutur, ata bashkojnë zërat e tyre në një këngë shkodrane, të trishtuar e nostalgjike:
“Edhe sonte të shoh, moj hanë/ rrezet tua të zbukurueme...”
Sepse ai, ftizik, i ka tashmë ditët e numëruara...Do ta shohë hënën edhe këtë mbrëmje e kurrë më...Kjo melodi e trishtuar e Shkodrës sime, ma shtrëngon zemrën në një morsë të dhimbshme...Shkodra ...Sa larg është Shkodra ime...Si ishte herën e fundit që e pashë?...Binte shi! Autobuzi kalonte me shpejtësi dhe roja nuk na lejonte që të nxirnim kokën për ta parë për të fundit herë qytetin e dashur...Shiu kishte formuar mbi xhamat e makinës një shtresë të papërshkueshme mjegulle...Shkodra!...Ajo!...Çfarë do të bëjë Ajo në këtë orë?
A thua më ka harruar tashmë?...Nuk mund t’i shkruaj, nuk mund t’i dërgoj të paktën një përshëndetje. Por Ajo e di sa e dua unë; Ajo, Pensjeroza ime, e di këtë...Oh, Zoti im , sa shumë e dua...Dashuria e saj më është mbështetje. Shikimi i saj, i ëmbli, i këndshmi shikim i saj, më jep shpresë e më frymëzon...
Por çfarë thotë ai fatkeqi në atë të fundit varg të melodisë? – “ Kurrë më...” - Dhe këtu zërat dridhen dhe heshtin. Shokët, si gjithmonë, pas këngësh së trishtuara sikur kjo,mbesin për gojëmbyllur për një kohë të gjatë. Flakët pasqyrohen mbi fytyrat e tyre në lojna djallëzore dritë-hijesh...- “Kurrë më!...- ” Jashtë, bora bie gjithnjë. Flokët e vegjël të akulltë , me zhurmë, përplasen prej erës mbi xhamat e dritares.
“Veriu”- era e ftohtë e pamëshirshme e Nord-it- ulurin kërcënueshëm; dhe nga lugina e thellë ngjitet duke fishkëlluar kobshëm tek fshati që flë. Dridhma të ftohta më përshkojnë shpinën. Ajo ulurimë ere se ç‘ka diçka të mistershme, ogurzezë: kam përshtypjen sikur po dalloj në të një kumt stuhish të reja, fatkeqësish të reja, dhëmbjesh të reja...Nga larg mbërrin ajo erë! Është e vetmja përshëndetje –përshëndetje kërcënuese - që më dërgojnë malet e paarrijtshme të Veriut, Alpet Shkodrane...Dhe era kalon duke mbjellë të ftohtin, akullin, dhëmbjen...
****
Qe një mbrëmje nga fundi i marsit. Më kujtohet data, sepse pikërisht atë ditë kisha marrë prej të mive një letër me tre javë vonesë, në të cilën më uronin datëlindjen dhe më jepnin ndonjë lajm inkurajues. Isha i shtrirë në shtrat dhe, nën dritën e dobët të një kandili me vajguri, përpiqesha të lexoja sërishmi letrën e marrë. Shokët, si gjithnjë, për rreth zjarrit, këndonin një prej këngëve tona të zakonshme të trishtueshme...E ...-kështu quhet- prej shumë kohësh nuk ishte më i qeshur dhe i gjallë, sikundër e kisha njohur. Që prej një jave ishte shkëputur nga gjithçka – dhe nuk fliste me askënd. Dikush nga shokët, më me përvojë nga të tjerët, tha:- Është sëmundja e burgut, do t’i kalojë!...- E nuk u fol më.
Edhe këtë mbrëmje, ashtu si përhërë, E...kishte zënë vend heshtazi në një qoshe, mbi shtratin e vet dhe shikonte palëvizur errësirën - jashtë dritares -...shikonte për orë të tëra, pa folur,pa gjestin ma të vogël se po fshihte një mendim, një dëshirë. Shikonte, e askush nuk dinte ose s’e hante meraku se çfarë po ndodhte në shpirtin e tij. Dhe shokët këndojnë gjithmonë. Sonte kënga është e asaj vejusheje që krejt e veshur me të zeza zbret malit. Ajo nuk ka më askënd në botë, as edhe një që t’i ndezë, kur do të mbyllë për gjithmonë sytë, një qiri mbi varrin e saj. Papritur, një zë i ngjirur vikat një fjalë që nuk kuptohet çfarë është, por që tingëllon si: -
Mjaft!...Djemtë heshtin dhe sillen nga ai; sillem dhe unë: në gjunjë, mbi shtratin e vet, me grushta të shtrënguar dhe të shtrirë përpara si një kërcënim, çehreprishur e me flokë të shprishur mbi ballë. E. vikat përsëri: - Mjafton me këto këngë!...Për një ças, asnjeri s’di çfarë të bëjë. Qe kaq e ashpër ajo klithmë...Pastaj, njëri nga këngëtarët, qeshet. Qeshet fort –dhe, në atë heshtje të beftë e të papritur, e qeshura e tij tingëllon ndjellakeqe e tragjike. Pashë E. që ngrihej ngadalë nga shtrati i vet.
Mbante gjithnjë duart përpara me gishta të hapur si një keqbërës që përpiqet t’i marrë frymën në shtrat viktimës së vet. Tiparet e fytyrës dukeshin tmerrësisht të kontraktuara nën dritën e dobët të kandilit të vet. Eci lehtaz, gjithnjë me duart përpara, drejt djalit që kishte qeshur...Dhe ky u ngrit nga stoli dhe u zmbrap drejt derës. Klithi, duke treguar me gisht të tërbuarin: - Ndalojeni!...Dikush e kapi për qafe fatkeqin dhe e rrëzoi për tokë...Pika djerse i lagnin ballin. Një shkumbë e bardhë rridhte nga dy anët e gojës së tij.
Dridhej dhe pëshpëriste diçka midis dhëmbëve që i dridheshin nga zemrimi, nga frika ose nga të ftoftit...Të nesërmen e larguan; thuhet që ta kenë nisur në spital. Më kujtohet që, kur heshtja, pasi që i tërbuari u largua, mbizotëroi sërishmi në qelinë, dikush tha me përçmim: - Romantik ai djaloshi!...Askush nuk u përgjegj; as unë që e dija të vërtetën: ay nuk kishte askënd në botë: dy javë përpara, i ati kishte botuar në të gjitha gazetat lajmin, sipas të cilIt prindi që ishte gjallë, nuk e njihte më fatkeqin E. si bir legjitim...
*****
Kur i dhanë lajmin, ai – Dhori - qau në heshtje. Ne të gjithë respektuam dhimbjen e tij: para vdekjes që të kalon përbri, koka përkulet, ndoshta, padashur. Është kaq e hidhur vdekja!
Ai ishte ulur në oborr...na bëri vend mbi gurin e madh ku po rrinte. U ulëm dhe ne. Por sa e trishtueshme është të ulesh përbri dikuj që ka nevojë ngushëllimi, dhe nuk di çfarë t’i thuash nga frika se mos po gabon...Ajo heshtje ishte ndrydhëse. Kisha përshtypjen e mirëfilltë se mbi kokat tona po përceptoja frymën e ftohtë të vdekjes.
- Kohë e bukur,sot!...Shoku im ngriti kokën e më shikoi; në shikimin e tij dallova qortimin e pashprehur: nuk mund të thuhen budallalleqe para dikujt që vuan - donte të ma thonte ai shikim...Dhori ...fliste më zë të mbytur, ngadalë,- sikur të kishte frikë se mos po shqetësonte të vdekurën:
- Isha biri i vetëm i mbetur në jetë. Vëllai im më i madh vra nga grekërit, para shumë vitesh. Babanë, as që e njoh ndopak.
Ajo, mamaja, u kap pas meje ashtu si i mbytyri kapet pas çdo gjëje që t’i kapë dora. Ishim të varfër dhe të gjitha të mirat tona u dogjën dhe u rrënuan nga grekët. Unë isha i vogël dhe ajo ishte mjaft e re. Dhe bëri gjithçka për mua...Po! –dhe ngriti kokën drejt nesh, sikur të kishte dyshuar që ne s’po i vinin vesh.- Po, bëri gjithçka: mbërrijti sa të shiste veten, të bëhej prostitutë !...
U zbeh. Unë e shikova gojëmbyllur. Ai uli kokën dhe shikoi tokën. Heshtja që vazhdoi qe më e rëndë edhe se vetë rrëfimi i tij. E ndjeu ai shikimin tim tinzar? E kuptoi që më ishte e vështirë të përligjja, në ato vite të largëta të rinisë sime ,- të një sakrifice nëne sa të mbërrinte deri më atë vetmohim të turpshëm, por sublim?...Duket se po, sepse ai çoi kokën dhe më shikoi. E shikova dhe unë : e ndoshta , për herë të parë, ndjeva dhëmshuri për atë fatkeq të shkretë; më kujtohet që në sytë e tij shkëlqente një dritë e çuditshme, ndoshta ishin lotë. Foli duke u sjellë pjesërisht drejt meje:
-Më shikoni mirë! Unë nuk skuqem më para jush për mamanë time! Po! Dikur ndoshta jam skuqur.
Por që nga një mbrëmje kur ajo më mori në prehër e duke dashur të më puthë, une e largova me një përbuzje të kuptueshme, që nga ajo mbrëmje, unë nuk turpërohem më. Atë mbrëmje, ndonëse ende isha mjaft i ri, ajo më foli sikur unë të isha tashmë i rritur: - Ti po më bie mohit, Dhori? Pra, ti, nuk e do *më mamin tënd?...Unë heshtja me kokëfortësi,- dhe më kujtohet që, padashur, shikoja shtratin e saj, shtratin e turpërimit të saj, e turpërimit tonë.
Dhe ajo, duket, e kuptoi...Qante, sikur nuk e kisha parë kurrë duke qarë...Atë mbrëmje e kam ndjerë veten të pjekur, të pjekur para kohe. Një valë dashurie të dhimbshme e njëheri të ëmbël më ka pushtuar shpirtin:-Mos e bëj më, mami, kurrë më..Ne do të punojmë ndershmërisht. Do të punoj dhe unë...Nuk do të shkoj më në shkollë...
Dhe jemi përqafuar. Dhëmbja dhe dëshpërimi na bashkonin. Isha dymbëdhjetë vjeç dhe nuk kam shkuar më në shkollë. Kam punuar. Kam bërë çfarë më është ofruar, vetëm që mamaja të mos bëntë më “atë”...Që prej një viti ajo nuk ishte mirë më shëndet. Dhe muajt e fundit para se të më sillnin këtu, nuk mundi më të vazhdonte duke larë rrobat e zotërinjve.
Punoja unë tashmë. Dhe në të fshehten e zemrës sime kisha vendosur të punoja gjithnjë e më shumë, - në mënyrë që asaj të mos i mungonte asgjë; kisha vendosur ta shpërbleja për sakrificën e madhe e të dhimbshme të rinisë...Por ...por nuk më lanë të vazhdoj...Kur më morrën, ajo ishte tashmë e sëmurë. I lashë pak para për nevojët e saj...por pak...Nuk do t’i mjaftonin as për një muaj, përkundrazi kanë kaluar katër...Si do t’ia ketë bërë, si?
Më kishte kapur për krahu, sikur unë të dija t’i përgjigjesha. Pashë sytë e tij të mbyten me lotë, që i rridhnin për gjatë faqeve të zbeta dhe bashkoheshin te maja e mjekrrës që dridhej prej vajit. Midis lotëve tha:- Do të ketë...do të ketë vdekur nga uria...Supet e tij u dridhen.Edhe unë i ndjeva mollëzat e mia të njomeshin prej lotëve.
Kur njeri nga të pranishmit hodhi mendimin se dikush duhej ta kishte ndihmuar, Dhori e shikoi dhe tundi kokën në shenjë mosbesimi: -Jo!...Të gjithë e urrenin. Njerëzit nuk ia falnin kurrë të kaluarën...Nuk e dinë - oh, - nuk dinë njerëzit se me çfarë çmimi ajo e ka paguar...Me sa lotë është përpjekur ta fshinte...Jo për vete...por për mua...Për mua bëri gjithçka...Dhe unë...unë nuk i jam gjendur afër...Zot, Zoti im!...
Dhe shpërtheu në një valë të re lotësh...Heshtje...Pas dere dëgjohet i pandërprerë hapi monoton i rojes...Bie zilja për të lajmëruar se kishte ardhur ora për t’u mbyllur në qelitë e pista.”
Shkrimi u botua sot suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print)17.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)