Qendra e Librit jep Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, nga Agron Tufa tek Visar Zhiti, shpallen 6 fituesit

Qendra e Librit jep Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, nga Agron Tufa tek Visar Zhiti, shpallen 6 fituesit

Çmimet Kombëtare të Letërsisë për 2021

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë sot në hollin e Akademisë së Arteve Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, duke finalizuar kështu punën seleksionuese të nisur që në krye të këtij viti.

Çmimet janë si vijon:

1. Romani më i mirë i vitit, Agron Tufa me "Ngjizja e papërlyeme”. 

Në garë për këtë ccmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Bashkim Hoxha  me “Një shaka e vogël me vdekjen”;  Mira Meksi  me “Kutia e Agatha Christie-t” ; Ridvan Dibra  me “Gruaja që deshe” dhe  Stefan Çapaliku  me “Mbyllur për pushime”.

2. Vëllimi më i mirë me tregime i vitit, Durim Taçi me “Nga një derë në tjetrën”. 

Në garë për këtë çmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Arb Elo  me “Fugu”; Edmond Tupja me “Jehona ngacmimesh të çuditshme”;  Nasi Lera  me “Vetmia e syve të qenit” dhe Ndue Ukaj “Mbretëria e ëndrrave”.

3. Vepra më e mirë e vitit studimore letrare,  Persida Asllani, Dhurata Shehri me “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”. 

Në garë për këtë çmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Bardhosh Gaçe me  “Universi poetik i Fatos Arapit”;  Gazmend Krasniqi, Vjollca Osja  me “Arti i poezisë”; Shaban Sinani me “Shekulli letrar i Ismail Kadaresë” dhe Xhevat Lloshi  me “Vështrime stilistike”.

4. Vëllimi më i mirë poetik i vitit, Visar Zhiti me “Dorëshkrimet e burgut”. 

Në garë për këtë çmim ishin edhe 3 finalistët e tjerë: Adelina Mamaqi me “Qielli shkundte yjet”;  Nurie Emrullai me  “Në orën moderne të perëndive” dhe Preç Zogaj  me “Një e tretë, dashuria”

5. Përkthimi më i mirë i vitit, Saverina Pasho me "Njeriu i parë"  Albert Camus.

Në garë për këtë çmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Anna Kove me "Teposhtë" të Herta Muller  ; Erion Karabolli me "Shtatë të çmendurit" e Roberto Arlt;  Korab Hoxha me “Pasqyra dhe drita” të Hilary Mantel  dhe Sokol Çunga me përkthimin e “Antologji e poezisë bashkëkohore greke”, nga një grup autorësh.

6.  Libri më i mirë për fëmijë i vitit, Anila Kadija  me “Ninulla e zemrës”

Në garë për këtë çmim ishin dhe Natasha Poroçani  me “Bëmat e Estes dhe Kokosë - Ditari i Estes”;  Rudina Çupi  me “Piratë dhe paratë”;  Sazan Goliku  me “Kërkimi” dhe Xhahid Bushati me “O trumcak, bredharak”

Përzgjedhja është bërë nga juria, e udhëhequr nga akademikja Floresha Dado e anëtarët: shkrimtari Virion Graçi, akademiku Kujtim Shala, zv.dekanja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT, Elsa Skënderi Rakipllari dhe dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, Esmeralda Kromidha.

Drejtorja e Qendrës së Librit  Alda Bardhyli gjatë ndarjes së vlerësimeve, foli për rëndësinë e tyre dhe të promovimit të letërsisë së mirë, veçmas në kohë të vështira.

"Ceremonia e ndarjes së çmimeve Kombëtare të Letërsisë është një nga ngjarjet më të bukura letrare të një viti. Prej gati dy dekadash këto çmime të krijuara nga Ministria e Kulturës nderojnë punëtorët e fjalës shqipe, dhe kthejnë vëmëndjen tek libri dhe shkrimtarët si pjesa më e ndjeshme dhe më e rëndësishme e progresit të një shoqërie.
Letërsia ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në formësimin e identitetit dhe një orientimi perëndimor tek shqiptarët. Naim Frashëri, De rada, Gjergj Fishta, besonin se ishte fjala ajo që duhet të udhëhiqte procese e sfida të rëndësishme. Në fakt ka qënë gjithnjë fjala, librat ato që kanë udhëhequr kulturat, qytetërimet. Por duke qënë se pak më parë u citua Kalvino, po përsëris një pyetje të tij ku thotë : Çfarë mund të bëjë letërsia në një kohë të vështirë, si kjo e jona?
Letërsia gjithnjë ka treguar forcë përballë presioneve të ndryshme të kohës, dhe roli i saj sot bëhet më i rëndësishëm në mbrojtje të vlerave të cilat shoqëria nuk duhet ti humb përballë luftës me vanitetin. Vetëm libri, leximi, poetët shkrimtarët, ata që Persi Shelli i quante ligjvënësit e panjohur të botës, mund të jetë shtylla ku duhet të mbështetemi për të ruajtur dhe konfiguruar bukur të ardhmen. Vetëm përmes librit dhe leximit mund të ruajmë dhe përsosim gjuhën shqipe, e cila si asnjëherë më parë, duket na qorton", u shpreh drejtorja e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli gjatë fjalës së saj duke shprehur falenderimin për jurinë, që siç thotë ajo, shpesh gjendet edhe para keqkuptimeve apo paragjykimeve për zgjedhjet.
 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:30
'Dorëshkrimet e burgut' të Visar Zhitit, vëllimi më i mirë poetik për 2021, autori: Çmimi s'mu dha mua, por një të riu dikur që e dënuan me burg për vargjet e tij

"Dorëshkrimet e fshehta të burgut" të shkrimtarit Visar Zhiti u vlerësua sot gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për vitin  2021 nga Qendra e Librit si Vëllimi më i mirë poetik. I larguar pak ditë më parë nga Shqipëria për në Amerikë ku është zhvendosur së fundmi Zhiti ka shprehur mirënjohjen përmes një letre. 


"Lajmi i dhënies së një çmimi letrar, aq më tepër Kombëtar, është i gëzueshëm. Unë do të thosha se çmimi për poezinë këtë vit është i veçantë dhe me domethënie si vetë libri për të cilin jepet. Nuk m’u dha mua, por një të riu dikur, që e dënuan me burg për poezitë e veta, thjeshtë njerëzore dhe ai shkruajti dhe atje, në ferr, fshehurazi. Me ndihmën e të burgosurve të tjerë, aq shumë shokë besnikë, ai mundi t’i shpëtojë poezitë dhe botuesi “Onufri” tani I publikoi të gjitha, anastatikisht, një mrekulli e pabesueshme për atë poet të ri atëhere…
Mirënjohës në emër të tij të atëhershëm bashkëvuajtësve, që e deshën dhe e mbrojtën poezinë dhe atje, ku nuk lejohej, mes rreziqesh. Ja, ku arriti libri i tyre! Mirënjohës ideatorit dhe pergatitësit të botimit, shkrimtarit Andreas Dushi dhe botueses Enxhi Hudhri, që bënë realitet endrrën e Edës time, madje dhe në ballinë të librit vunë pikturën e Atjonit tonë, që ai e kishte menduar për këto poezi.
Falenderoj jurinë e çmimeve të letërsisë të Ministrisë së Kulturës dhe Qendrën e Librit e të  Leximit për ftesën. 
Të bukurës në poezi, pavarësisht se e mynxyrshme në rastin tim, më duket se iu bashkëngjit dhe etikë nga kujtesa kolektive, nga morali dhe pergjegjshmëria e epokës…
Poezia edhe na ka mbrojtur, edhe na ka bashkuar jo vetëm me kushtrimin e saj, por dhe me ndjenjën, atë emocionin jete që na kuptimëson…
Nga larg, nga Çikago, SHBA, por dhe nga afër, nga zemra! ", shkruan Zhiti.

Ora 23:07
Romani i tij më i miri për 2021, Agron Tufa: I gëzuar për lexuesit e mi, pavarësisht mungesës sime në atdhe do kenë shenjë shtesë se dialogu ynë vazhdon

 'Ngjizja e papërlyeme' e shkrimtarit Agron Tufa u vlerësua si Romani më i mirë për vitin 2021, gjatë ceremonisë së mbajtur sot  nga Qendra e Librit në Akademinë e Arteve për Çmimet Kombëtare të Letërsisë për 2021. E megjithatë mirënjohjen ndaj jurisë dhe mesazhin e tij për lexuesin autori e ka dhënë përmes një letre nisur prej  Zvicrës ku jeton.


"Të dashur profesorë, gjuhëtarë, shkrimtarë, kritikë dhe teoricienë të Letërsisë,
Lajmi i vlerësimit tuaj me çmimin Letrar Kombëtar për romanin tim “Ngjizja e papërlyeme” më befasoi sot, në këtë prag Krishtlindjesh. Befasia ka të bëjë me festën tradicionale të çmimeve Letrare Kombëtare të çdo fundiviti dhe se unë nga viti 2013 kam qenë për tetë vite radhazi i nominuar në finale me nga një a dy vepra në një nga zhanret e konkurrimit. 
Sigurisht, zonja e zotërinj të Jurisë, kurrë nuk kam menduar (dhe asnjë krijues nuk ia vlen të mendojë) se çmimi letrar është Gjyqi i Fundit për krijimtarinë e tij. Por sot jam i gëzuar dhe mirënjohës për vlerësimin tuaj profesional, që fare mirë (dhe me plotë të drejtë) mund të kishte shenjuar veprën e cilitdo kolegu tjetër konkurues. Por le ta them hapur: jam i gëzuar për rëndësinë artistike që paraqet në krijimtarinë time ky roman, të cilin e rrëfen një narrator me emrin Roman; jam i gëzuar për lexuesit e mi, që pavarësisht mungesës sime në atdhe dhe në rrjete sociale komunikimi, do kenë një tjetër shenjë shtesë e të sigurtë se dialogu ynë vazhdon; jam i gëzuar sepse vëmendja juaj më forcon besimin të vazhdoj të ekzistoj në rrafshin më të lartë të dashurisë sime, e cila që nga fëmijëria ime ka qenë Letërsia dhe, po, e theksoj, është një gëzim i veçantë për mua në periudhën më të vështirë të jetës sime e të familjes kur, në kushtet e mërgimit dhe mungesës fizike të atdheut, personalisht nuk më ka mbetur asgjë tjetër përveç krijimtarisë letrare. Ju i njihni ndoshta më mirë se unë ndjesi të tilla që kanë shoqëruar fatin e shkrimtarëve dhe poetëve me plot ilustrime, që nga poeti romak i periudhës augustine, Ovidi.
Vlerësimi juaj më vjen veçanërisht i çmuar edhe pse, përpos vlerës artistike, orienton lexuesin e specializuar për kah ndjeshmëria dhe diskursiviteti i ideve, pengjeve të pangushëllimta që vuajtën në lëkurë breza të tërë viktimash nën diktaturë. Dhe romani im qe shkruar si requiem për ta, në përputhje me thelbin tim të kauzës që më ka mbajtur e më mban gjallë", shkruan më tej Tufa duke shprehur mirënjohjen ndaj shtëpisë botuese.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja