Punimet për ndërtimin e qendrës së re të qytetit në Kamëz po vijojnë me ritme të shpejta. Bëhet fjalë për një projekt, të cilin drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, e konsideron një nga investimet kryesore për transformimin urban të zonës.
Së bashku me kryetarin e bashkisë Rakip Suli, të enjten ata inspektuan nga afër ecurinë e punimeve të këtij iinvestimi që pritet të krijojë një hapësirë të re funksionale dhe një pikë referimi për qytetarët.
“Kamza e filloi ndryshimin e madh në verën e vitit 2019, kur Rakip Suli mori drejtimin e Bashkisë. Bashkë me Rakipin pamë nga afër qendrën e re të qytetit. Bashkia Kamëz ka infrastrukturën më të mirë shkollore dhe parashkollore. Ndërkohë edhe kompleksi i ri sportiv po ecën me ritme të shpejta. Plot punë të tjera janë në proces”, u shpreh Balla.
Qendra e re e qytetit synon të ofrojë më shumë hapësira publike dhe kushte më të mira për komunitetin, duke vendosur një standard të ri zhvillimi për zonën.
Projekti është pjesë e investimeve të nisura në vitet e fundit, ndërsa puna vijon për përfundimin e tij brenda afateve të parashikuara.
Komente











