Në një seancë pyetje-përgjigje në Kuvend me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala, deputeti socialist Erion Braçe adresoi një problematikë të identifikuar në qendrën shëndetësore nr. 8, në rrugën “Irfan Tomini”. Shërbimi në këtë qendër është pezulluar përkohësisht.

Braçe tha se marrja e shërbimit shëndetësor, është po aq i rëndësishëm sa aksesimi i tij nga pacientët dhe kërkoi të dinte kur do të rivendoset shërbimi.

“Janë një numër i konsiderueshëm banorësh dhe të sëmurësh kronikë, në moshë të madhe që kanë nevojë për shërbim shëndetësor dhe duan ta kenë sa më pranë vendbanimit të tyre. Është e domosdoshme afërsia me qëllim që të kenë një akses të plotë në shërbimin shëndetësor për elementë jetikë siç janë vizitat, recetat me rimbursim dhe injeksionet për ta dhe për më të rinjtë se ata, veçanërisht fëmijët në një situatë si kjo. Është themelore patjetër siguria, por çdo element i tillë nuk duhet të cenojë aksesin e plotë. Kur do të vendoset shërbimi shëndetësor po përsëri në lagjen ku këta banojnë?”, tha Braçe.

Sala tha se ekspertiza ka vlerësuar se siguria në këtë qendër nuk është as në kushtet minimale, ndaj është rekomanduar ndërprerja e menjëhershme përkohësisht. Ajo tha se qytetarët tashmë marrin shërbim në qendrën pranë shkollës “Vasil Shanto”, gjë për të cilën qytetarët janë njoftuar paraprakisht.

“Sipas kësaj ekspertize, godina në qendrën shëndetësore nr. 8 nuk rekomandon kushtet minimale të sigurisë për vijimin e aktivitetit shëndetësor, ndaj është rekomanduar ndërprerja e menjëhershme, e përkohshme dhe rifillimi i tyre vetëm pas marrjes së masave përkatëse teknike e ndërtimore. Siguria strukturore është parakushti themelor për ofrimin e shërbimit shtetëror publik. Komunitetit i është garantuar barazi e shërbimit shëndetësor. Të gjithë banorët janë transferuar në mënyrë të përkohshme dhe ofrohen pa ndërprerje në qendrën ‘Vasil Shanto’. Ofrimi u transferua vetëm 850 metra më larg. Ky proces transferimi i përkohshëm është shoqëruar me njoftim paraprak dhe afishim të informacionit në hyrje të godinës”, u përgjigj Sala.

“Shërbimi mjekësor nuk është cenuar”, vijoi ministrja duke shtuar se zgjidhja afatgjatë është “rikonstruksioni i godinës ekzistuese” dhe kjo qendër do të jetë “prioritare për rikonstruksion” në 2026.

Braçe u përgjigj se kjo nuk është zgjidhje dhe ai ka konstatuar problematika në qendrën te “Vasil Shanto”.

“Dërgimi i gjithë banorëve në nevojë për shërbim shëndetësor në lagjen rreth e qark zonës nuk është zgjidhje. Kjo është harta e zonës. Të paktën 10 blloqe banimi më lart. Për njerëz në nevojë, të sëmurë kronikë, kjo është e pamundur. Nuk e shpik unë, janë njerëz realë. Qendra ambulatore te shkolla ‘Vasil Shanto’ nuk ofron kushtet. Natyrisht ofron kushte më të mira, por unë nuk mendoj që 3 dhoma që i vizitova dje, ofrojnë shërbim maksimal, për më tepër që ishin pa sistem ajrimi. Nuk mendoj që në kushtet e gripit janë të përshtatshme për t’iu ofruar shërbim këtyre njerëzve”, tha deputeti.

Më pas, duke iu referuar shifrave të renditura nga Sala për moscenimin e shërbimit shëndetësor, tha se bazuar tek ato “nuk mund të ketë 7 minuta vizitë mjekësore”.

E gjithë njësia nr. 5 ka nevojë për ambiente shërbimi shëndetësor”, tha Braçe duke përmbyllur se minimalisht, drejtoresha e qendrës duhet të ishte përpjekur për të zgjidhur realisht problematikën duke gjetur një ambient tjetër.