TIRANË, 5 Mars/ATSH/.- Muzeu Shtetëror i Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë kanë çelur sot në Tiranë, një ekspozitë të veçantë në nderim të kujtimit të heroit legjendar të Kosovës, Adem Jasharit, dhe familjes së tij.
Ekspozita e quajtur "Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri", prezanton historinë e Jasharëve, heroizmin dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës, bënë të ditur KosovaPress.
Për herë të parë në këtë ekspozitë u prezantuan për publikun shqiptar edhe armët me të cilat kanë luftuar Jasharët. Drejtori i Muzeut të Kosovës Sadik Krasniqi, por edhe homologu i tij shqiptar Melsi Labi e përshëndetën këtë ekspozitë ndërsa theksuan se ka një rëndësi jo vetëm kulturore-historike, por ngërthen në vete porosinë dhe mesazhin për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, si dhe mundëson që të vlerësohet flijimi i popullit shqiptar për liri.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi e konsideroi para së gjithash një detyrim, hapjen e kësaj ekspozite dhe përkujtimin e heroizmit të Adem Jasharit.
"Kjo lloj ekspozite është një detyrim në fakt i Muzeut Historik të Shqipërisë dhe i shtetit shqiptar, për familjen Jashari, por jo vetëm. Ndaj ne sot në plotësim të të gjitha iniciativave dhe objektivave që kemi vendosur shfaqim këtë ekspozitë, duke iu rikujtuar edhe një herë se disa eksponantë siç janë armët e familjes Jashari shfaqen për herë të parë, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar por dhe brenda kufijve të Shqipërisë, në mënyrë të hapur", tha ai.
Simbolika e tyre dhe e gjithë ekspozitës, sipas tij, na thërret dhe një herë që të jemi shumë të kujdesshëm dhe të kemi një memorie të fortë për të gjitha ngjarjet historike dhe për të mos i lejuar më që të përsëriten ashtu si ka ndodhur shpesh me disa ngjarje të ndryshme në rrjedhën e shekujve.
Ekspozita për Familjen Jashari do të qëndrojë e hapur për një javë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ekspozita tematike dokumentare paraqet fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së UÇK-së, përkatësisht të heroizmit të Familjes Jashari, si dhe flijimin me vetëdije të lartë kombëtare të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Materialet muzeale që prezantohen në këtë ekspozitë janë: eksponate tredimensionale, fotografi, dokumente, harta dhe gazeta të kohës që në një masë të caktuar pasqyrojnë Epopenë e Jasharëve në Prekaz./m.m/









