Ditën e sotme, Qëndresa Qytetare ka zhvilluar një protestë simbolike para Kryesisë së Kuvendit. Qëllimi i protestës ishte t’i kërkohej Këshillit të Mandateve që të dorëzonte imunitetin e ministres Belinda Balluku, e cila është nën hetim nga SPAK.

Sidorela, një përfaqësuese e kësaj organizate është shprehur se Kuvendi nuk mund të bëhet mburojë për ministrat e korruptuar, duke mos i dërguar para drejtësisë kur thirrjen nga Prokuroria.

“Shtyrja e qëllimshme e Këshillit të Mandateve që po gjykon çështjen e imunitetit të zonjës Balluku është një akt i hapur i manipulimit institucional dhe një shkelje e rëndë e besimit publik. Kjo nuk është një vonesë proceduriale, por një mbrojtje e orkestruar në favor të Ballukut, që akuzohet për korrupsion. Zvarritja e procesit është një mesazh i qartë për qytetarët, që ligji nuk është i barabartë për të gjithë dhe pushteti politik është mbi drejtësinë. Këshilli i mandateve po përdoret për të blerë kohë dhe për të shmangur llogaridhënien. Nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda 3 muajve, kërkesa e ardhur nga organet e drejtësisë do të quhet e pushuar dhe për Ballukun mandati do të jetë mburoja para drejtësisë. Kjo praktikë është e rrezikshme, sepse e shndërron Kuvendin në një mekanizëm mbrojtës për pushtetin. Kjo heshtje institucionale është fyerje publike për të gjithë ne. Mos-veprimi për çështjen Balluku forcon bindjen se Shqipëria qeveriset nga pandëshkueshmëria dhe jo nga ligji. Kërkojmë ndërprerjen e këtij procedi farsë, mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve dhe trajtimin e çështjes me transparencë të plotë. Çdo shtyrje tjetër me afat apo pa afat, është një akt i vetëdijshëm kundër demokracisë dhe vullnetit qytetar. Kërkojmë që hajdutët qeveritarë të mos mbrohen nga mandati i tyre i deputetëve”, tha Sidorela, një përfaqësuese Qëndresa Qytetare.

Po ashtu, në protestë foli edhe një përfaqësues tjetër, i cili tha se mbrojtja e korrupsionit të qeverisë po bëhet përmes deputetëve, të cilët janë zgjedhur aty nga vullneti i qytetarëve. Ai kërkoi që Këshilli i Mandateve të mblidhen me urgjencë dhe ta trajtonte seriozisht çështjen e Ballukut dhe ky proces të mos zvarritej më.

“A ka hall më të madh për qytetarin, kur prokurori thotë se një ministër është duke vjedhur? A ka hall më të madh kur Prokuroria i kërkon deputetëve imunitetin e një prej ministrave? Si mundet që deputetët me vullnetin e qytetarëve të mbrojnë hajdutët, të mbrojnë hajdutët, të mbrojnë vjedhjen dhe milionat e eurove të vjedhura në mënyrë galopante.”, tha një tjetër përfaqësues i Qëndresa Qytetare.

Në përfundim të protestës, përfaqësuesit e Qëndresës Qytetare hodhën çelësa para Kryesisë së Kuvendit, për të simbolizuar 300 apartamentet për të cilat Balluku përflitet se i ka në pronësi të vet.


Lajmi kryesor:

SPAK do arrestimin e Ballukut, Kuvendi shtyn mbledhjen e Këshillit të Imunitetit! PS: Presim Kushtetuesen! PD: Po mbrohet me urdhër të Ramës