Qëndrimet e kandidatëve Trump-Harris për Iranin

Qëndrimet e kandidatëve Trump-Harris për Iranin

Donald Trump dhe Kamala Harris

Sjellja kërcënuese e Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendit aleat, Izraelit, është një ndër politikat e pakta të jashtme që trajtohet gjatë fushatës elektorale nga të dy kandidatët për president, Kamala Harris dhe Donald Trump.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Lipin shqyrton përqasjet e ndryshme të Nënpresidentes Harris dhe ish-Presidentit Trump për t’u përballuar me rrezikun nga Irani dhe bashkëpunëtorët e tij.Kandidatja demokrate për presidente i ka përqëndruar komentet e saj relativisht të shkurtra për Iranin tek një koncept: tek mbrojtja.

“Dhe ta dini se nuk do të hezitoj të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur forcat tona dhe interesat tona nga Irani dhe terroristët e mbështetur nga Irani”, tha Nënpresidentja Harris gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar Demokrat.

Gjatë debatit me rivalin republikan, ish-Presidentin Donald Trump, ajo u zotua për ta zgjeruar këtë përqasje mbrojtëse edhe për Izraelin.

“Do t’i jap gjithnjë Izraelit mundësinë të mbrohet, në veçanti për sa i përket Iranit dhe çfarëdo kërcënimi që i vjen Izraelit nga Irani dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha Nënpresidentja Harris.

Administrata Biden-Harris e ndihmoi Izraelin të mbrohet nga sulmi ajror i paprecedent nga Irani në prill. Luftanijet amerikane u dërguan në rajon muajin e kaluar për t’i paraprirë përsëritjes së një sulmi të tillë nga Irani. Vendosja e theksit tek një përqasje e tillë mund të ketë ndikim tek votuesit.

“Mendoj se ajo e di që amerikanët janë të lodhur nga lufta dhe me siguri që nuk dëshiron të duket sikur po kërkon një luftë tjetër. Pra, mbrojta preferohet nga njerëzit. Por, amerikanët e shohin me dyshim sektorin e mbrojtjes, në veçanti për shkak të historikut të çerek shekullit të fundit”, thotë Michael O’Hanlon, drejtues për studimin e politikës së jashtme në Institutin Brookings.

Por, administrata Biden-Harris përjetoi në muajin gusht një rritje të agresionit nga bashkëpunëtorët e Iranit, me sulme ndaj bazave në Irak dhe Siri dhe me ekzekutimin e një pengu amerikan në Gazë.

“Nuk ka patur fare përgjigje nga Shtetet e Bashkuara. Kanë vazhduar në pozita mbrojtëse. Shqetësimi im është se Irani po merr mesazhin se mund të vazhdojnë të provokojnë dhe ta përshkallëzojnë situatën sipas dëshirës së tyre, dhe se gjithçka që do të mundet të bëjë SHBA-ja do të jetë në përgjigje, pra nuk do të ketë iniciativën”, thotë Victoria Coates, nga Fondacioni Heritage.

Ish-Presidenti Trump thekson historikun e tij të vendosjes së sanksioneve ndaj Iranit për shkak të veprimtarisë keqdashëse gjatë presidencës së tij.

“I thashë Kinës dhe vendeve të tjera, ‘nëse blini nga Irani, nuk do ju lejojmë të bëni biznes në vendin tonë, dhe do të vendosim tarifa mbi 100% ndaj çdo produkti që dërgoni këtu”, tha ish-Presidenti Donald Trump, gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar Republikan.

Gjatë debatit, ai e akuzoi administratën Biden-Harris se pasuroi Iranin dhe bashkëpunëtorët e tij, duke ua lehtësuar kështu trysninë. Ish-Presidenti Trump premtoi gjithashtu se do t’i japë zgjidhje rrezikut nga Irani, por nuk dha detaje të mëtejshme.

“Shikoni se ç’po ndodh në Lindjen e Mesme... Do ta zgjidh këtë me shumë shpejtësi”, tha ai. Gjatë mandatit të tij, ish-Presidenti Trump bëri një fushatë dyvjeçare me “trysni maksimale” ndaj Iranit.

Duke mos u riangazhuar për një strategji të tillë, ai ruan mundësinë e vendosjes së një politike të re që mund të ushtrojë trysni më me shpejtësi ndaj Iranit.

Një pikë e ngjashme mes Nënpresidentes Harris dhe ish-Presidentit Trump është se të dy kandidatët nuk kanë thënë se si do të vepronin në rast se Irani prodhon një bombë bërthamore, një mundësi për të cilën kanë sinjalizuar zyrtarët iranianë./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja