Qëndrimi ndaj Gorbaçovit, pse radikalët e majtë e akuzojnë si antikomunist e tradhtar

Qëndrimi ndaj Gorbaçovit, pse radikalët e majtë e akuzojnë si antikomunist e tradhtar

Gorbaçovi kokë më kokë me Putinin

(Vijon nga numri i kaluar)

Qëndrimi që është mbajtur ndaj M. Gorbaçovit është i skajshëm dhe lidhet me botëkuptimin që ka vlerësuesi apo me pozicionin që kanë forca të caktuara politike brenda dhe jashtë Rusisë. Natyrisht që nuk ishte M. Gorbaçovi ai që krijoi krizën në shoqërinë sovjetike. Ai e trashëgoi nga paraardhësit, por nuk gjeti zgjidhje dhe kriza u thellua deri në rënien e sistemit socialist dhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.  Si rregull në histori, kur shoqëria kalon momente kritike, dalin mendimtarë apo liderë të shquar, të cilët i prijnë procesit dhe skicojnë prospektin e reformave që duhen ndjekur. Por Gorbaçovi nuk u rreshtua në plejadën e liderëve dhe të mendimtarëve. Ai nuk spikati, as si të parët dhe as si të dytët. Edhe referati i tij “Perestrojka i novoe mishlenie” (“Perestrojka dhe mendimi i ri”) nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë teorike dhe më tepër ishte një sprovë për të treguar se në kushtet e reja botërore nuk duhet ndjekur metodologjia klasike leniniste dhe vlerësimi klasor. Edhe në reformat që zbatoi, ai nuk ishte i qartë, nuk ishte konsekuent, shkonte përpara, pastaj tërhiqej. Jo pa interes ka qenë gjykimi i historianit disident sovjetik L. Poljakov, në momentet kulmore të perestrojkës dhe glasnostit, se “nuk jam i sigurt nëse aftësitë e tij njerëzore do ta lejojnë të çlirohet nga detyrimi i dogmatizmit komunist”.

Radikalët e majtë e akuzojnë si antikomunist e tradhtar. Garda e vjetër sovjetike e konsideron tradhtar dhe agjent të imperializmit sepse pranoi shpërbërjen dhe fundin e Bashkimit Sovjetik. Sidomos tepër konsekuentë janë në intervistat e tyre drejtuesit e grushtit të shtetit të vitit 1991. Ata janë të mendimit se M. Gorbaçovi i kishte mundësitë të reagonte, por nuk veproi kundër B. Jelcinit dhe drejtuesve separatistë të republikave, që shpallën largimin nga shteti federal. Ka edhe autorë që pohojnë se M. Gorbaçovi është financuar nga Perëndimi dhe për këtë ai duhet çuar para gjykatës. Sipas gjykimit të E. Hobsbaëm: “Ai ishte dhe do të mbetet në histori si një figurë tragjike, një komunist-car-liberator si Aleksandri II (1855-1889), që shkatërroi atë që deshi të reformonte e në këtë proces qe shkatërruar edhe vetë”.

Gorbaçovi ishte në thelb komunist, por dënoi terrorin bolshevik
Kontradiktat dhe dështimet e tij lidhen me atë se donte të bashkonte të pabashkueshmet. Ai ishte në thelb komunist, por tërhiqej nga liberalizmi, dënoi terrorin bolshevik dhe donte që të njiheshin dhe të respektoheshin të drejtat e njeriut. Ai doli kundër teorisë e praktikave të ekonomissë socialiste, lejoi punën private dhe ekonomitë private, madje aq sa filloi të flitet për “socializëm tregu”. Por modeli gorbaçovian i demokracisë as që mund të krijohej. Shpejt u duk se filloi kaosi dhe kriza po thellohej, Perëndimi ndoqi me interes politikat e M. Gorbaçovit sidomos në fushën e marrëdhënieve dypalëshe. Vendet perëndimore përshëndetën çdo hap apo marrëveshje që ulte tensionin, pakësonte armatimet, mënjanonte vatrat e luftërave etj. Në këtë drejtim bota perëndimore mbështeti pa rezerva kursin e perestrojkës. Por Perëndimi nuk kishte iluzione ideologjike dhe gjithnjë vuri në dukje luhatjet teorike, paqëndrueshmërinë dhe kontradiktat e mendimit gorbaçovian. Perëndimi nuk ka pasur asnjë mëdyshje dhe ka dënuar sistemin socialist sovjetik si formë e totalitarizmit modern. Gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë në rrafshin teorik, Perëndimi ka mbrojtur alternativën liberal-demokrate dhe alternativën social-demokrate dhe ka qenë i papajtueshëm me alternativën socialiste totalitare.

     Për 75 vite rresht nga Revolucioni bolshevik i Tetorit 1917 deri në dhjetor 1991, alternativa socialite totalitare njohu lindjen, zhvillimin, përhapjen në shkallë botërore, krizën dhe falimentimin. Ajo që bie në sy është se kjo alternativë në planin teorik nuk ndoqi dot zhvillimin e ngjarjeve, mbeti pas kohës dhe nuk arriti të argumentojë dhe t’u paraprijë aspekteve të politikës sovjetike. Mendimi teorik socialist kishte arritur deri te ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit dhe nuk ishte në gjendje të parashtronte rrugën që do të ndiqte më tej shoqëria socialiste. Për hir të së vërtetës, pas Luftë së Dytë Botërore u paraqitën teza dhe teori për fitoren e plotë të komunizmit në shek. XX, për kalimin paqësor nga kapitalizmi në socializëm, për ndërtimin e shoqërisë së zhvilluar socialiste dhe për kalimin në komunizëm, për diktaturën ndërkombëtare të proletariatit etj.

“Njeriu i ri”, shoqëria sovjetike nuk e njohu shtetin ligjor
Është e vështirë të gjesh në histori vende me atë numër të stërmadh institucionesh studimore politike, ideologjike, historike e sociale që bashkë me shtëpitë botuese synonin të formonin njeriun e ri. Por si botëkuptimi ashtu edhe idetë nuk lidhen aq me numrin dhe botimet që nxirrnin institucionet sovjetike, por varen nga përmbajtja dhe nga vlerat për praktikën shoqërore.

     Shoqëria sovjetike ishte një shoqëri që nuk e njohu shtetin ligjor. Po të shprehemi me mendimin e Monteskjesë, në këtë shoqëri individi nuk ishte qytetar (pasi ai nuk mbështetet në pushtetin ligjor), por nënshtetas (pasi pranon autarkinë).

     Një ndër arkitektët kryesorë të revolucionit bolshevik L. Trocki, gjykonte se “Bashkimi Sovjetik është një shoqëri kontradiktore që ndodhet në mesin e rrugës midis kapitalizmit e socializmit”. Koha tregoi se perceptimi i kësaj shoqërie dhe teoritë për të ishin të pabazuara dhe të paargumentuara shkencërisht. “Komunizmi sovjetik, - shkruan Furet, - vdes nga një dekompozim i brendshëm, për të cilin Gorbaçovi ishte vetëm përshpejtuesi, përpara se rivali i tij Jelcin të bëhet likuiduesi i tij. I lindur nga një revolucion, ai zhduket në një regresion”.

     Sikurse shihet, i gjithë rrugëtimi historik i Rusisë, i shek. XX, është i lidhur me teorinë marksiste-leniniste. Utopia marksiste e shek. XIX u bë realitet në Rusi në fillim të shek. XX, duke ndjekur teoritë e V. I. Leninit dhe praktikën staliniane të diktaturës së proletariatit, të luftës së klasave dhe të ndërtimit të socializmit edhe në një vend të vetëm. Natyrisht që krijuesit e marksizmit, K. Marksi dhe F. Engelsi ishin mendimtarë kritikë që parashtruan pikëpamjet dhe vështrimin e tyre për të ardhmen. Por ata nuk janë statistë, pasi në kohën e tyre nuk u arrit askund kalimi në shoqërinë socialiste. Ky proces u bë realitet pas revolucionit bolshevik të 1917-s, që mbështetej në teorinë leniniste për imperializmin dhe sidomos në teorinë e re leeniniste të revolucionit proletar. Nën drejtimin e V. I. Leninit dhe të J. V. Stalinit lindi, u formësua dhe u konsolidua shteti ovjetik si formë e diktaturës së proletariatit. Me të drejtë, mendimtarët mbajnë përgjegjësi për teoritë dhe për veprimtarinë praktike për kohën që jetuan. Kjo do të thotë se K. Marksi dhe F. Engelsi nuk mundën të mbajnë përgjegjësi për çdo element të pushtetit dhe të praktikës ekonomike sovjetike.

     Ky problem ka qenë dhe mbetet temë diskutimesh teorike. Sidomos vlerë të veçantë ka diskutimi dhe kuptimi për demokracinë si problemi më madhor i shek. XX. Teoricienët sovjetikë hapur mohonin vlerat e demokracisë perëndimore dhe idealizonin shtetin sovjetik si formën më të arrirë të demokracisë. Koha tregoi qartë se ç’fshihej pas demokracisë sovjetike. Duke e trajtuar këtë problem, G. Sartori thekson: “Të shprehësh mospëlqimin tënd, të mos e japësh votën për një mendim e ta japësh për një tjetër, të jesh në gjendje të zgjedhësh vetë qeveritarët, të vendosësh vetë për punët e tua dhe të kërkosh të drejtat e tua – të gjitha këto mund të quhen vogëlima pa rëndësi. Por nëse këto janë pa rëndësi, atëherë as demosi, as kratosi i tij nuk hyjnë në këtë mes”.

     Në veçanti paradoksale dhe jashtë logjikës ishte që revolucioni dhe shoqëria e re sovjetike të shërbenin si model për vendet e zhilluara perëndimore. Në këtë kuadër lind pyetja: sa dhe si ishte kuptuar marksizmi në Rusi dhe a kishte mundësi të tjera zhvillimi? “Marksizmi, - thekson Delsol, - i zbatuar nga Plehanovi mund të kishte krijuar një tjetër formë pushteti, në atë kuptim që, pasi të kishte realizuar revolucionin e parë, ai ndoshta s’do ta kishte kapërcyer atë. Kjo do të thotë se Plehanovi mund të kishte realizuar ndryshe skemën marksiste të transicionit, nga frika e kthimit te despotizmi i vjetër, nuk do ta kishte përdorur dhunën masive shtetërore, që të arrinte komunizmin”.

     Edhe H. Arendt ka vënë në dukje ndërprerjen e mundësive të tjera të zhvillimit pas rimëkëmbjes së ekonomisë, në vitet 1921-1926. Ajo është e mendimit se kur vdiq V. I. Lenini, rrugët ishin të hapura. Punëtorët, fshatarët dhe klasat e mesme nuk kishin nevojë që të drejtoheshin në rrugën që të çonte domosdo te lufta e klasave, që kishte qenë karakteristike për kapitalizmin evropian. Bujqësia mund të zhvillohej ende mbi bazën kolektive të kooperativës apo të asaj private. Kështu ekonomia nacionale ishte ende e lirë që të ndiqte një model socialist, kapitalist-shtettëror, apo të një ndërmarrjeje të lirë. Asnjë prej këtyre alternativave nuk do të shkatërronte automatikisht strukturën e re të vendit. Kjo mundësi u ndërpre kur filloi, në vitin 1926, kursi i industrializimit socialist dhe i kolektivizimit socialist të bujqësisë.

     Charls Tilly, në veprën “Revolucionet evropiane, 1492-1991”, të botuar në fillim në Oxford dhe pastaj nga të gjitha universitetet kryesore evropiane, ka vënë në dukje se “për gjashtë vite që vazhdoi, NEP-i prodhoi një ripërtëritje ekonomike substanciale”. Kjo ripërtëritje ndërpritet në vitin 1926, kur Partia me në krye J. V. Stalinin ndryshoi kursin ekonomik dhe mori një varg masash politike.

Socializmi në Rusi, fryt i tragjizmit të Revolucionit të Tetorit
Socializmi, në formën që u paraqit në histori (modeli sovjetik dhe modeli i demokracive popullore), nuk e përligji veten dhe falimentoi. Kjo finale nuk ishte rastësi, por fryt i tragjizmit të Revolucionit të Tetorit, i cili krijoi llojin e socializmit të pamëshirshëm, brutal e të komanduar. Në literaturën ruse dhe të vendeve të tjera, nuk kanë qenë të paktë autorët që kanë idealizuar M. Gorbaçovin dhe kursin e tij rektifikues. Por ata nuk vlerësojnë objektivisht as kontradiktat e shoqërisë sovjetike, as edhe vetë horizontin teorik dhe aftësitë intelektuale të M. Gorbaçovit. Ai nuk e pati staturën e liderit që projekton dhe merr veprime të rëndësishme për të zgjidhur çështjet që koha i kishte nxjerrë në rendin e ditës.

     M. Gorbaçovi ishte më tepër njeri i organizimit dhe gjithnjë i pajisur vetëm me përvojën urbane dhe industriale të vendit të tij. Jo rastësisht E. Hobsbaëm shkruan: “Mangësia e tij nuk qëndronte aq shumë në mungesën e një strategjie efektive për të reformuar ekonominë – edhe pas rënies së tij nuk pati njeri një strategji të tillë – por sepse ai ishte shumë larg përvojës së përditshme të vendit të tij”.

     Shkenca, në të gjithë rrjedhën e historisë, është dalluar për përmbajtjen kritike, për parashikimet që përcakton për të ardhmen, për faktorët nxitës apo frenues të progresit. Shteti sovjetik ishte superfuqi, kishte një rrjet të gjerë institucionesh të fushave nga më të ndryshmet, por aktiviteti dhee rezultatet e tyre ngurtësoheshin nga ideologjia dogmatike. “Mendimi dogmatik, - pohon Ch. Delsol, - do të përfshijë të gjitha fushat e shkencës. Është doktrina ajo që ndan të vërtetën shkencore nga gënjeshtra. Partia dënon shkencat e konsideruara “borgjeze”, domethënë të kundërta me të vërtetën socialiste, ose që e vënë në dyshim atë me pasojat e tyre, biologjia, psikanaliza, kibernetika. Në këtë kohë, shkencëtarët u internuan ose u dënuan me vdekje, katedrat u shkrinë, mësimdhënia e tyre u ndalua. Pjesë të tëra të shkenncës pushojnë së ekzistuari. Totalitarizmi është shfaqur në variantin e tij më të kulluar. Asnjë grimcë e jetës së njeriut nuk duhet t’i shpëtojë sistemit”.

     Lind pyetja: po përse shkenca sovjetike nuk mbante parasysh parimet apo konkluzionet e logjikës së përbashkët? Sepse ajo i përshtatej dogmatizmit revolucionar dhe parimet që mbartin të vërtetën, vlejnë si të vërteta vetëm kur janë të dobishme për arritjen e qëllimit të shpallur. Kështu duke ndjekur këtë arsyetim, e vërteta nuk ka kuptim universal, por përfshin vetëm ato mendime që i shërbejnë qëllimit përfundimtar të partisë. Pra, në përputhje me qëllimet, kemi disa të vërteta. Borgjezia ka shkencën e saj dhe proletariati mund të krijojë shkencën që i shërben interesave të tij. Arsyetime të tilla i shpunë shkencëtarët biologë në kaos dhe në përfundime absurde pas Luftës së Dytë Botërore. Ata, në kuadrin e luftës kundër ideologjisë borgjeze, filluan ta konsiderojnë gjenetikën dhe kibernetikën si shkenca të krijuara nga borgjezia. Gjithçka lidhej me mbrojtjen e parimeve teorike dhe pathosi me të cilin shkruanin, i shtynte këta krijues që të dukesin më parimorë se sa parimet.

     Për sa u përket edhe vetë parimeve, në shoqërinë sovjetike pati një evolucion ligjik. Vetë praktika i detyroi njerëzit të rishikonin shumë elementë të dogmës ideologjike. Në jetën reale, mbrojtja e parimeve për anëtarët e partisë mori trajtën e mbrojtjes së avantazheve që gëzonin nga shkalla që zinin në nomenklaturën partiake.

     Komunistët gjithnjë kanë menduar se gjykimin fnal e jep historia dhe ja, në fund të shek. XX, komunizmi dështoi në teori dhe në praktikë, në të gjitha versionet e tij. Këtë deri diku e kuptojnë tashmë edhe në Moskë. Autorët modernë rusë janë të detyruar që të pranojnë dështimin e socializmit, por kurrsesi nuk pranojnë që ky proces u shoqërua me dezintegrimin dhe me copëtimin e shtetit federal. E kaluara perandorake ua zbeh arsyetimet dhe i shtyn në rrugën e nacionalizmit ekstrem dhe të përligjjes së aventurave e të agresioneve.

     Rrugëtimi drejt demokracisë në Rusi për hir të së kaluarës, do të jetë proces i gjatë dhe tepër kompleks. Shoqëria demokratike nuk ka nevojë vetëm për ide dhe për institucione, por edhe për shtet ligjor dhe për shoqëri civile të zhvilluar. Në Rusi elementët e këtij kuarteti: idetë, institucionet demokratike, shteti ligjor dhe shoqëria e zhvilluar civile, janë të distancuara nga bota perëndimore. “Historia, - ka theksuar Jacques Attali, - rrjedh në një drejtim të vetëm, kryeneçe, e veçantë, aq sa asnjë tronditje, madje edhe e tejzgjatur, nuk ka mundur që t’i ndryshojë drejtimin në rrjedhën e saj të qëndrueshme: nga shekulli në shekull, njerëzimi imponon përparësinë e lirisë individuale mbi çdo vlerë tjetër”. Meqë trajtojmë të ardhmen, d.m.th. zhvillimin e demokracisë në shek. XXI, ia vlen të citohet teza e Manfred G. Schmidt, e shprehur në traktatin “Teoritë e Demokracisë”, se “shek. XXI mund të jetë më shumë se gjysma e atij të njëzetë, shekulli i demokracisë: një shekull i demokracive që funksionojnë pjesërisht mirë, pjesërisht disi dhe pjesërisht keq, megjithatë, në ambientin e një numri të madh shtetesh autoritare dhe totalitare, që i kundërvihen demokracisë pjesërisht në mënyrë pasive dhe pjesërisht në mënyrë aktive”.

     Shumica e popullsisë së botës jeton në autokraci ose në demokraci me defekte. Demokracia nuk ka nevojë që të idealizohet. Jo vetëm studiuesit, por edhe opinioni i gjerë publik, duhet që të njohin tendencat e kundërta dhe

limitet e demokratizmit, sidomos në fushën e njohjes dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Lind pyetja: po Rusia, në cilin grup do të përfshihet? Koha do të tregojë sesa dhe si do ta kuptojë këtë populli rus. Deri në stadin e tanishëm, demokracia ruse është demokraci me defekte po tëkemi për bazë kriterin e përmbajtjes apo të funksionimit. Në qoftë se do të vështrojmë fazën e zhvillimit, Rusia ndodhet midis autokracisë dhe demokracisë.

     Historia, për shumë njerëz që e njohin pak sociologjinë apo shkencat social-politike, nuk është gjë tjetër veçse një paraqitje mistike e jetës shoqërore. Në rrjedhën e saj ka procese pozitive e regresive. Ka vuajtje, por ka edhe çlirim, ka tirani, diktatura, por ka edhe demokraci, ka vlera, por edhe antivlera. Nuk duhet harruar se gjithçka krijohet nga njeriu në kushte të caktuara. Individi, kur nuk realizon kërkesat, ngrihet dhe përpiqet për ato që dëshiron duke filluar një start të ri. “E vërteta se çdo fund në histori, - ka thënë Hana Arendt, - përmban domosdo një fillim të ri, ky fillim është premtimi, i vetmi “mesazh” që fundi mund të prodhojë ndonjëherë. Fillimi, para se të bëhet një ngjarje historike, është aftësia më e lartë e njeriut, politikisht, ai është identik me lirinë e njeriut”. Në kohët moderne, kur rëndësi të dorës së parë marrin mjetet e komunikimit, njerëzve duhet që t’u flasësh ose t’u bësh thirrje me gjuhën e nevojave, të interesave dhe të idealeve për të cilat ata janë ose mund të bëhen të ndërgjegjshëm”.

     Jo rastësisht presidenti Xhon Kenedi, presidenti më popullor i periudhës së pasluftës së Dytë Botërore, thoshte: “Motoja jonë mbetet ajo që ka qenë: po përparimit, jo tiranëve”.

(Fragment nga libri “Nga Gorbaçovi tek Putini”, A.Mezini. Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dhurata Hamzai)

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindje ’cowboy’! Beyoncé performon bashkë me vajzën e saj Blue Ivy

Krishtlindje ’cowboy’! Beyoncé performon bashkë me vajzën e saj Blue Ivy