Lufta në Ukrainën Lindore, ëndrra e Kremlinit si fuqi botërore

Lufta në Ukrainën Lindore, ëndrra e Kremlinit si fuqi botërore

(Vijon nga numri i kaluar)

Me gjithë ndryshimet e ndodhura gjatë periudhës së transicionit, ende nuk mund të thuhet se Rusia është ndër fuqitë që numërohen në qendër të sistemit botëror. Si Rusia ashtu edhe Evropa Lindore, llogariten si rajone që përfshihen në gjysmë periferitë e këtij sistemi, siç janë disa vende të industrializuara. Në periduhat e viteve ’70-’90 të shek. XX, gjysmëperiferia shërben si një zonë politike zbutëse midis qendrës dhe periferisë. Rusia putiniane nuk është si ajo e vitit 1991. Janë zgjidhur shumë çështje të transicionit, prodhimi kombëtar është rritur dhe janë shlyer borxhet e jashtme. Me ritme të shpejta janë zhvilluar disa degë të industrisë (industria e naftës, e gazit, industria ushtarake dhe ajo aerospaciale) dhe të bujqësisë (prodhimi i drithërave) dhe vendi u përfshi në rrjedhat e globalizmit.

në këtë sfond zhvillimesh e ndryshimesh, gjeopolitika ruse rivlerësoi pozitat dhe rolin që duhet të luajë Rusia si fuqi e madhe në politikën evropiane dhe ndërkombëtare. Kremlini nuk u mjaftua vetëm me deklarata doktrinare, si ato të vitit 2015, se nuk pajtohet asnjëherë me atë që të tjerët të kenë përparësi ushtarake ndaj Rusisë. Moska intensifikoi përgatitjet ushtarake, përpunoi një plan për modernizimin e të gjitha strukturave ushtarake deri në vitin 2020, përmirësoi pagat dhe shpërblimet në ushtri, rriti efektivin deri në 800.000 veta. Buxheti i shpallur ushtarak arriti 80-100 miliardë dollarë. Në vitin 2014 u organizua ndërhyrja ushtarake dhe aneksimi i Krimesë, filloi rebelimi ushtarak dhe lufta në Ukrainën Lindore. Në vitin 2015 filloi ndërhyrja ushtarake në Siri për të mbrojtur regjimin e Asadit dhe bazat ushtarake në detin Egje. Të gjitha këto aspekte tregojnë se Kremlimi, në dallim me konceptet që qarkullojnë në gjeopolitikën perëndimore, nuk e konsideron veten si fuqi rajonale, por synon që të mbetet edhe në fillim të shek. XXI fuqi botërore.

Ushtria ruse në botë llogaritet e dyta pas SHBA-së
Në klasifikimin ushtarak të ushtrive më të fuqishme të botës, Rusia llogaritet e dyta pas SHBA-së. Megjithatë ajo nuk e ka arritur nivelin e superfuqisë. Potenciali ushtarak, ekonomik, financiar dhe logjistik është shumë larg SHBA-së. Në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XXI, Rusia kishte një GDP që llogaritej në nivele shumë më të ulëta se SHBA-ja, Kina, Japonia dhe Gjermania. Sipas të dhënave të vitit 2014, të Bankës Botërore, Rusia zinte vendin e 10-të dhe GDP-ja llogaritej në vlerën 18 herë më e vogël se ajo e Bashkimit Evropian dhe 17 herë më e vogël se ajo e SHBA-së. Shumë degë të ekonomisë, si për nivelin teknologjik, ashtu edhe për cilësinë, janë larg simotrave perëndimore. Prapambetja është më e theksuar në disa degë të ndërtimit të makinave, në industrinë elektroteknike, në prodhimin e mjeteve të informacionit dhe të komunikimit masiv, në industrinë kimike e farmaceutike dhe në disa degë të artikujve të përdorimit të gjerë.

Programi putinian i reformave ka pasur vetëm rezultate të kufizuara dhe Kremlini është shumë larg ambicieve të shpallura për t’u bërë përsëri superfuqi. Me sa duket, edhe në këtë rast gjen shprehje ligji i njohur se historia nuk mund të përsëritet dy herë në të njëjtën formë. Ndërkaq zhvillimet në rrugën e re të demokracisë duhet të thellohen dhe të krijojnë bindje të reja se nuk mund të ndiqen më metodat dhe format e Luftës së Ftohtë. Rusia, si edhe të gjitha fuqitë e reja të industrializuara në fund të shek. XX dhe në fillim të shek. XXI, kanë nevojë për kushte që krijojnë mundësi më tepër të fitojnë nga bashkëpunimi se sa nga konflikti me SHBA-në, me Bashkimin Evropian apo me fuqitë e reja të mëdha si Kina, India etj. Kohët e reja diktojnë koncepte dhe politika të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare.

     11) Gjeopolitika dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera kanë evoluar në përputhje me peshën që ka pasur Rusia dhe ndryshimet që kanë ndodhur sidomos në Evropë dhe në Azi. Në shek. XVIII-XX carizmi rus ishte protagonisti kryesor i luftërave rajonale dhe i konfliktit të parë botëror. Ai arriti që të shtrijë spektrin nga Varshava deri në Vladivostok dhe nga Arktiku deri në malet e Azisë Qendrore. Ndryshimet që ndodhën gjatë luftës dhe vendimet e Konferencës së Versajës përcaktuan ndryshimin e kufijve dhe të hartës politike evropiane. Gjithsesi, shteti i ri sovjetik, po të përjashtojmë shkëputjen e Finlandës, të Lituanisë, të Letonisë, të Estonisë dhe të Polonisë ruse, arriti të ruajë tërësinë territoriale të ish-perandorisë cariste. Fitorja në Luftën e Dytë Botërore i dha mundësi Bashkimit Sovjetik që të bëjë rektifikime në kkufijtë me shtetet e Evropës Lindore. Por ekspansioni sovjetik këtë radhë mori trajtë tjetër, pasi trupat sovjetike morën të drejtën që të dislokohen në shtetet ish-socialiste që lindën pas përfundimit të luftës. Filloi Lufta e Ftohtë midis dy botëve me ideologji, me politika dhe me synime të ndryshme. Në këtë ballafaqim të pashembullt në histori, Perëndimi e mposhti Lindjen dhe demonstroi epërsinë në fushën ekonomike, në mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut, në krijimin e një standardi shumë më të lartë jetese dhe në organizimin politik mbi baza demokratike.

Në vitet 1989-1992 lëvizjet demokratike e përmbysën regjimin socialist dhe në të gjitha vendet e Evropës Lindore filluan proceset riorganizuese demokratike. Brenda një kohe të shkurtër, jo vetëm që u bënë ndryshime radikale, por këto vende u përfshinë në proceset e integrimit euroatlantik dhe të globalizmit. Në përputhje me vendime të veçanta, të cilat vareshin nga ecuria e proceseve demokratike, shtetet e Evropës Lindore dhe republikat ish-sovjetike balltike u bënë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Në këtë mënyrë, dimensionet e integrimit dhe të globalizmit u shtrinë në shtetet e Evropës Lindore dhe u rrit pesha dhe roli i Bashkimit Evropian në ekonominë, në tregtinë botërore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjithashtu Traktati i NATO-s u shtri edhe në hapësirat e Evropës Lindore e Juglindore, si edhe në republikat balltike. U rrit pesha dhe roli i tij për mbrojtjen e paqes dhe të sigurimit në Evropë dhe në botë.

Federata ruse, marrëveshje të veçanta me NATO-n dhe me BE
Federata Ruse në parim nuk del kundër proceseve moderne integruese, por ajo thekson specifikat dhe interesat e Rusisë. Ajo ka marrëveshje të veçanta me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, por këto marrëveshje kanë zigzaket e tyre dhe kondicionohen nga qëndrimet e Kremlinit për çështje të caktuara ndërkombëtare. Federata Ruse jo vetëm qnuk ka hequr dorë nga politika ekspansioniste, por ndërmerr veprime të hapura ushtarake në Ukrainë dhe përpiqet që të ndërtojë ura të ekspansionit ekonomik e ushtarak në Ballkan, në Azi dhe në Amerikën Latine.

     Federata Ruse, fill pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik i ka kushtuar vëmendje të veçantë raporteve me Ukrainën. Të dyja republikat e veçanta të shtetit federal ishin jo vetëm njësitë më të mëdha në sipërfaqe, në popullsi dhe në ekonomi, por kishin lidhje të veçanta etnike e kulturore. Por politika në shtetin federativ sovjetik u ndërtua e tillë që rusët bënin ligjin kurse interesat e ukrainasve nuk përfilleshin.

Pas vitit 1991, kur Republika e Ukrainës u bë e pavarur, populli i Ukrainës u bë i vetëdijshëm se sa gjëra kishte humbur nga identiteti nacional. Në vitet 1991-2014 u bënë përpjekje të pandërprera për të konsoliduar pavarësinë, por ndikimi rus ishte i theksuar në jetën ekonomike dhe politike të Ukrainës. Në veçanti, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shek. XXI, politika proruse e presidentit Janukoviç dhe e rrethit të tij, i dha shkas, më 2014, shpërthimit të demonstratave e të manifestimeve popullore në Kiev dhe në qytete të tjera. Lëvizja u kurorëzua me rrëzimin e presidentit dhe të qeverisë proruse. Në këto kushte rusët futën trupa të zgjedhura në krime, organizojnë një referendum për shkëputjen nga Ukraina dhe për bashkimin me Federatën Ruse. Në të njëjtën kohë Moska nxiti revoltat e popullsisë ruse në rajonet e Ukrainës Lindore, të cilat u shkëputën nga pushteti qendror në Kiev. Rajonet lindore u shpallën Republika Demokratike Popullore në Donbas dhe Lugansk. Filloi lufta e armatosur me ushtrinë ukrainase, luftë e cila me gjithë armëpushimet vijon edhe në ditët tona. Me gjithë manovrat politike e diplomatike të Moskës, është e dukshme ndërhyrja ushtarake e qeverisë së Putinit në Ukrainë.

     Perëndimi iu përgjigj Rusisë me vendosjen e sanksioneve ekonomike. Rusia u kundërpërgjigj me ndalimin e importit të prodhimeve bujqësore nga vendet që ishin bashkuar me sanksionet. Po të kemi parasysh se në të njëjtën kohë trupat ruse u përfshinë në luftën në Siri pro Asadit, atëherë rezulton sesa largpamës ka qenë George Friedman në librin “100 vitet e ardhshme”. Autori parashikoi se në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XXI, Rusia do të fillonte një start të ri ekspansionist pasi të ketë rivitalizuar ekonominë, se nuk pajtohet me afrimin e brezave mbrojtës nga Perëndimi në thellësi të territoreve perëndimore të Rusisë, se do të angazhohet në veprime ushtarake në rajone të tjera etj.

Në gjendjen e sotme Rusia e ndien veten të fuqishme në planin ushtarak dhe hapur liderët e saj pohojnë se ata nuk do të pranojnë që të tjerët të kenë përparësi dhe po i shtojnë ndjeshëm shpenzimet ushtarake. Por Rusia ka një bazament ekonomik jo të fuqishëm dhe në Moskë e ndiejnë se janë të distancuar nga vendet e tjera të zhvilluara, si në vëllimin e prodhimit ashtu edhe në cilësinë e produkteve. Firmat ruse ndiejnë vështirësi në konkurencën me produktet e vendeve të tjera. Në këto kushte ajo ka nevojë për investime në teknologjinë e shumë sektorëve të industrisë. Kjo është e domosdoshme në rast se ajo dëshiron të jetë jo vetë një fuqi e madhe ushtarake, por edhe një fuqi ekonomike, që përfshihet midis vendeve më të zhvilluara në botën multipolare.

     Dikur sundonin Romanovët dhe ambiciet territoriake lidheshin me gjykimet arkaike të tyre dhe më tepër me mungesën e sensit të kohës dhe të progresit shoqëror. Pas 1917-s u vendos diktatura e proletariatit dhe ekspansioni u fsheh pas internacionalizmit proletar. Tani, në fillim të shek. XXI, oligarkët e Kremlinit nuk gjejnë rrugë tjetër veçse të fshihen pas nacionalizmit dhe intereave kombëtare. Me sa duket, duhet ende kohë që fryma e demokracisë të mbizotërojë në Moskë dhe të frymëzojë të gjitha aspektet e jetës dhe të politikës ruse.

     12) Në fushën teorike, dukee ndjekur rrugëtimin e transicionit rus, vetiu lindin pyetje të tilla: si ta vlerësojmë M. Gorbaçovin si komunist apo si antikomunist? A dha ai ndonjë element të ri në mendimin majtist evropian? A mund të rinovohej shoqëria sovjetike dhe përse u frenua mendimi teorik në Bashkimin Sovjetik?

     Qëndrimi që është mbajtur ndaj M. Gorbaçovit është i skajshëm dhe lidhet me botëkuptimin që ka vlerësuesi apo me pozicionin që kanë forca të caktuara politike brenda dhe jashtë Rusisë. Natyrisht që nuk ishte M. Gorbaçovi ai që krijoi krizën në shoqërinë sovjetike. Ai e trashëgoi nga paraardhësit, por nuk gjeti zgjidhje dhe kriza u thellua deri në rënien e sistemit socialist dhe në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Si rregull në histori, kur shoqëria kalon momente kritike, dalin mendimtarë apo liderë të shquar, të cilët i prijnë procesit dhe skicojnë prospektin e reformave që duhen ndjekur. Por Gorbaçovi nuk u rreshtua në plejadën e liderëve dhe të mendimtarëve. Ai nuk spikati, as si të parët dhe as si të dytët. Edhe referati i tij “Perestrojka i novoe mishlenie” (“Perestrojka dhe mendimi i ri”) nuk kishte ndonjë vlerë të veçantë teorike dhe më tepër ishte një sprovë për të treguar se në kushtet e reja botërore nuk duhet ndjekur metodologjia klasike leniniste dhe vlerësimi klasor. Edhe në reformat që zbatoi, ai nuk ishte i qartë, nuk ishte konsekuent, shkonte përpara, pastaj tëërhiqej. Jo pa interes ka qenë gjykimi i historianit disident sovjetik L. Poljakov, në momentet kulmore të perestrojkës dhe glasnostit, se “nuk jam i sigurt nëse aftësitë e tij njerëzore do ta lejojnë të çlirohet nga detyrimi i dogmatizmit komunist”.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

(Fragment nga libri “Nga Gorbaçovi tek Putini”, A.Mezini. Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Përgatiti për botim Dhurata Hamzai)

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    6 Dhjetor, 08:38

    A jeni dakord të falen gjobat për ndërtimet pa leje në fshat e 'Covid19'?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Policia mban të bllokuar prej pesë orësh 2 autobusë me emigrantë shqiptarë në Komisariat! Shkak bidonët e vajit dhe stekat e cigareve, i sillnin nga Greqia

Gjirokastër/ Policia mban të bllokuar prej pesë orësh 2 autobusë me emigrantë shqiptarë në Komisariat! Shkak bidonët e vajit dhe stekat e cigareve, i sillnin nga Greqia